Lajm.co

Zaev: Pranojmë shtesë gjeografike për emrin, është fakt që Maqedona ndodhet në tre shtete

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka dhënë një intervistë për magazinën më të madhe europiane, “Der Spiegel”, ku ka folur kryesisht rreth kontestit të emrit me Greqinë. Sipas tij, Maqedonia nuk ka asnjë pretendim irredentist ndaj fqinjit jugor, por është fakt se rajoni historik i Maqedonisë shtrihet në tre shtete: “pjesa veriore ose e epërme në vendin tonë, pjesa lindore në Bullgari dhe pjesa jugore në Greqi

Ky është fakt dhe ne nuk duhet të jemi kundër fakteve. Për shkak se grekët duan të dallojnë, ne e kuptojmë dhe e pranojmë që të ketë një shtesë gjeografike (për emrin e Maqedonisë.” Zgjidhja e kontestit të emrit do kishte dobi edhe për Greqinë, që do përafronte rolin udhëheqës të saj në rajon.

Për të sqaruar raportin e mirë mes dy shteteve, Zaevi ka shtuar se mbi një milion maqedonas udhëtojnë çdo vit në rivierën greke.

Pas përmendoreve, librat e historisë?

Në pyetjen e gazetarit Keno Verseck, se çfarë ka në plan të veprojë Maqedonia pasi largimit të disa përmendoreve dhe emrit Aleksandri i Madh nga autostrada dhe aeroporti i Shkupit, Zaev përgjigjet se momentalisht nuk ka asgjë konkrete, por është i gatshëm të flasë për të gjitha problemet. Në të ardhmen, “për shembull mund të ketë komisione të përbashkëta për ripërpunimin e librave historik shkollorë.”

Në fund Zaev shton se as nuk e paramendon mos zgjidhjen e emrit, nga vetë fakti se Maqedonia si vend multi-etnik luan rol qendror në Ballkanin perëndimor. “Nëse te ne sundon jo-stabiliteti dhe trazirat, atëherë kjo do rrezatonte në gjithë rajonin. Andaj zgjidhja e kontestit të emrit i paraprin zhvillimit të mëtutjeshëm ekonomik dhe integrues të Maqedonisë dhe gjithashtu dobi do kishte edhe vetë BE.”

Skenari i Serbisë për ta kthyer në terr Kosovën dhe për destabilizimin e saj

Nga Avni Xhemajli

Përmes procesit të stërzgjatur të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë nën monitorimin dhe ndërmjetësmin e BE-së, kjo e fundt po fiton gjithçka, ndërsa ne nuk jemi as në rend të fitimit – bile as të heqjes së vizave. Në këtë pikë BE-së duhet shtrurar hapurazi disa pyetje: Kujt po i shërbën ky proces negocimi? Dhe mbi të gjitha, a është dhe a mund të quhet diçka e tillë negocim, përderisa ky proces, sa më shumë që po zgjatë, aq më tepër po shpërfaqet si favorizim i plotë për palën serbe, duke ia dhënë komplet krahun Serbisë. Në gjithë këtë lojë, edhe një gjë po mbetet në mjegull: Prej kujt po fikësohet BE-a? Prej Serbisë? Prej Rusisë? Apo prej hijes së vet? – e cila po i zvogëlohet asaj në Lindje dhe në Perëndim.

Në njërën anë, përmes pjesëmarrjes në këtë proces, Serbia në sytë e BE-së po duket si shtet normal, demokratik, tolerant; si një shtet që po shprehet i gatshëm të merr pjesë në zgjidhjen e problemeve etj.; qasje kjo, përmes së cilës ajo tashmë është në prag të arritjes së plotësimit të kushteve për tu anëtarësuar në BE; dhe, në anën tjetër po e shtyen përpara me krejt fuqinë e saj që ka, realizimin e themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe brenda Kosovës.

Pyetja është se çka po fiton Kosova në krejt këtë proces të qoroditur? – Përgjigjja është shkurt e shqip: trasht e Sules po fiton! – Kurgjë hiç! Kosova po del humbëse e plotë e këtij procesi të stërzgjatur negociatash të pa kuptimtë, që si duket paska pasur për qëllim që ndër të tjera ta lodhë mirë palën kosovare, që edhe ashtu e lodhur nga qindra probleme të brendshme, në fund të pranojë gjithçka që i ofrohet në tavolinë.

Pra, thënë me një fjalë, pala kosovare, me qëndrimin e butë në negociata, po i kontribuon Serbisë për realizimin e të gjitha objektivave që ka, edhe mundësinë e integrimit të Serbisë si shteti i parë ndër shtetet e mbetura jashtë BE-së, si dhe, poashtu të planeve të saj dashakeqe brenda Kosovës. Domethënë, Serbia dukshëm po iu afrohet procesit të anëtarësimit në BE, si dhe në anën tjetër, krahas rritjes dhe ndikimit të saj politik përmes Listes serbe që tashmë është realitet i prekshëm, ajo është shumë afër për ta shtuar edhe një instrument të ri, për dobësimin dhe kontrollimin e shtetit të Kosovës. Ai instrument është padyshim realizimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe brenda Kosovës, të cilën Serbia po e kërkon me ngulm në vazhdën e proceseve negociuese.

Çfarë do të ndodh pas kësaj? Cili do të jetë plani politik i radhes nga ana e Serbisë, pasi ta realizojë asociacionin: Përgjigjja është aneksimi i Kosovës veriore së bashku me digën e ujëmbledhësit jetik të Kosovës – Gazivodën, pa të cilin puna e termocentralit të KEK-ut paralizohet totalisht, që si rrjedhojë e gjithë Kosova do të kthehet në terr, pasi KEK-u nuk do të këtë ujë për ftohjen e turbinave për prodhimin e energjisë elektrike. Përveç kësaj edhe disa komuna do të mbeten pa sistemin e tyre të ujitjes së tokave të mbjellura me kultura bujqësore. Përmes këtij plani pushteti i posedimit të rubinetit të ujit jetik të Kosoëvs, me këtë trend rrezikohet t’i kalojë Serbisë, me anë të së cilit ajo do të fitonte edhe më shumë pushtet për kontrollimin, destabilizimin, nxitjen e trazirave dhe dobësimin ekonomik të Kosovës.

Qytetarët e Kosovës edhe ashtu të lodhur nga hallet e shumta, do të qarten e tërbohen nga mungesa e dritave me orë të tëra, gjë që mund të shkaktojë revoltë të madhe qytetare brenda Kosovës. Në një skenar të tillë Serbia do ta detyronte Kosovën të importojë rrymën me çmim dyfishë më të shtrenjtë nga jashtë se sa që mund të prodhojë brenda vet Kosovës, si dhe rrezikimin e investimit për termocentralin e Kosovës së re, që ka lidhur me kompaninë amerikane. Serbia është e vetëdijeshme për këto gjëra dhe do të lufton parreshtur që ta realizojë planin e saj të radhës për asociacionin – për t’i hapur vend planit të saj të ri – në rast se nuk vetëdijesohemi për këtë gjë. Serbia nëse arrinë ta fut në dorë rubinetin e ujit të Gazivodës dhe veriun e Kosovës, ajo përmes këtij instrumenti të radhës (nëse mund ta quajmë kështu), do ta dështojë kurdo herë që t’iu teket funksionimin edhe ashtu të brishtë të shtetit të Kosovës, si dhe do ta cënojë dhe do ta mbajë nën presion permanent rendin dhe sigurisë e vendit tonë.

Çështja është se a ka pala e Kosovës ndonjë plan për t’ju kundërpërgjigjur Serbisë për ndalimin e zhbërjes së shtetit të Kosovës edhe mëtutje?! Cila strategji do t’i shërbente palës kosovare për të shmangur këtë dështim të plotë?! Si duket nuk ka. Krejt diplomacia jonë negociuese fillon dhe mbaron tek apleli për ta pranuar komplet Ballkanin perëndimor në BE, gjë që si duket BE-ja nuk do ta pranojë.

Mbi krejt këtë situatë mund të ngritet ky dyshim: Duke qenë se Serbia tashmë ka hyrë thellë në kthetrat ruse, BE-ja me gjasë nuk po gjen ndonjë mundësi tjetër për ta larguar atë nga Rusia dhe Rusinë nga Serbia, përveç se duke e shpërblyer atë me procesin e favorizuar të negociatave për integrim si anëtare e plotë në BE, krejtësisht në dëm të Kosovës. Edhe pse Serbia ishte agresore dhe shkaktare e të gjitha luftrave të viteve të 90-të në Ballkan, ajo megjithatë nga BE-ja u rendit si shteti i parë për anëtarësim në BE nga shtetet e mbetura: Para Malit të zi edhe pse anëtare e NATO-s, para Maqedonisë, para Bosnjes dhe Hercegovinës, para Shqipërisë si dhe para Kosovës.

Serbia i ka kuptuar këto dobësi të BE-së si duket dhe po i shfrytëzon pa mëshirë me lojën e saj të dyfishtë: Sa më e fortë Rusia brenda Serbisë, aq më e fortë Serbia në proceset integruese të BE-së. Në këtë mënyrë kjo siprale vetëm sa shkon e thellohet, derisa Serbia të tolerohet edhe më tutje nga Perëndimi.

Serbia nga një macë e egër që ishte e që gati s’la kënd pa e pre me kthetrat e saja në ish Jugosllavi, sot me në krah Rusinë është shëndërruar në një luaneshë kundrejt BE-në. Qendrimi i BE-së në këtë proces, dëshmon krizën e saj të thellë që ka dhe dobësinë për t’ju kundërpërgigjur Rusisë edhe në Ballkan, duke (mos) ia ngreh veshët Serbisë.

Pyetjes se kah po shkon Kosova në këtë proces të negocimit? – Përgjigjja është drejt dështimit total të vet shtetit tonë.

Shqipëria në vendin e dytë në Ballkan për fuqinë globale

Indeksi i Fuqisë Globale 2017, i hartuar nga Global Fire Power e renditet Shqipërinë në vendin e 90-të, nga 133 shtete të marra në studim, sa i përket fuqisë së tyre, militare dhe njerëzore

Krahasuar me studimin e një viti më parë, Shqipëria është përmirësuar me dhjetë shkallë, në 2016 renditej e 100-ta në botë dhe e fundit në rajon. Studimi i vitit 2017 e nxjerr Shqipërinë me një pikësim 1.8465.

Shqipëria renditet më lart se disa nga vendet e Ballkanit. Për shembull, Bosnja e Hercegovina renditet në vendi e 121-të ndërsa Maqedonia në vendin e 122-të. Mali i zi dhe Kosova nuk përfshihen në studim, shkruan Shekulli. Serbia sakaq renditet e 83-ta, disa shkallë përpara Shqipërisë.

Indeksi është hartuar në bazë të një metodologjie komplekse, e cila merr në konsideratë më shumë se 50 faktorë të ndryshëm. Në veçanti shihet në këtë studim: numri i ushtrisë, numri i tankeve, anijeve, avionëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake, niveli i financimit të sferës ushtarake, infrastruktura e transportit të vendit, qasja në produktet e naftës dhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në aftësinë luftarake të ushtrisë. Duhet theksuar se Indeksi nuk përfshin armët bërthamore.

Indeksi hartohet nga Global Fire Power, e njohur për publikimet statistikore në fushën e ushtrisë, logjistikës, resurset natyrore dhe ato financiare etj. Në vendet me ushtritë më të fuqishme të botës përfshihen SHBA, Rusia, Kina, India, Britania e Madhe, Franca, Italia, Koreja e Jugut, Gjermania, Brazili, Japonia, Turqia. Në vendet e fundit sipas renditjes janë: Butan, Suriname, Sierra Leone, Mauritani, Republika Qendrore e Afrikës, Somalia etj.

Daçiq: S’ka karotë të BE-së që Serbinë e detyron të heqë dorë nga Kosova

Ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq ka thënë se nuk ka karotë europiane nga BE për të cilën Serbia me vetë dëshirë do të hiqte dorë nga Kosova. “Është pafytyrësi që qarqe në Bruksel të presin nga ne harakiri historik, ndërsa ata vetë brenda BE-së nuk kanë qëndrim unik kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës”, ka thënë Daçiq

Duke folur për vazhdimin e sotëm të dialogut të Beogradit e Prishtinës, Daçiq ka thënë për “veçernje novosti” se pala serbe nuk pranon asnjë korrigjim të marrëveshjes për AKS-në.

“Nëse BE pajtohet për diçka të tillë, e besoj se nuk do të pajtohet, atëherë bie poshtë i tërë dialogu dhe për ne aty nuk do të ketë më vend”, ka theksuar ai.

Daçiq ka vlerësuar se në një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare dhe në Prishtinë ekziston qëllimi i qartë që serbët në veri të Kosovës të shpallen faktor destabilizues duke shtuar se ata po luajnë me zjarr.

Ai ka thënë se tash është më lehtë të bisedohet me administratën në Washington, dhe, sipas tij, ky është shans i mirë për Beogradin, sepse Amerika nuk dëshiron destabilitet të ri dhe se ajo ka shfaqur interesim për iniciativën serbe për zgjidhjen afatgjatë për Kosovën.

Daçiq ka theksuar se deri te zgjidhja duhet arritur me kompromis e jo me imponimin e qëndrimit të Serbisë se ajo duhet ta njohë Kosovën.

“Do t’i pyesja të gjithë në BE, si është e mundur që vetëm kufijtë e Serbisë u ndryshuan e të tjerët mbeten si kanë qenë – gurë. Së pari e ndanë Kosovën nga Serbia e tash thonë se këtu nuk ka çfarë të flitet më. Ka, si nuk ka. Nëse ka përfunduar rrëfimi, pse po na ftojnë në dialog?”, ka pyetur Daçiq.

Promovohen dy libra për Adem Demaçin

Me rastin e 82-vjetorit të lindjes së veprimtarit Adem Demaçi, përurohen librat e përgatitur nga Selatin Novosella “Viti i Adem Demaçit” dhe “Demaçi- njeri i lavdisë”

Promovimi i librave bëhet në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në ora 12.00. Simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi sot mbush 82 vjet. Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.

Ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).

Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. /KosovaPress/

Nuk ka gaz për Shqipërinë, TAP nuk mund të shfrytëzohet për mungesë rrjeti

Me kalimin e gazsjellësit TAP në vendin tonë, Shqipëria bëhet pjesë e rrjetit europian të gazit natyror, por kjo nuk do të thotë se ky burim energjie mund të përdoret menjëherë për nevojat e vendit, rasti më i mirë është periudha afat mesme, por edhe ky objektiv është i largët

Në planin e qeverisë për zhvillimin e sektorit të gazit natyror në Shqipëri dhe identifikimin e projekteve prioritare, nënvizohet fakti se shpërndarja e gazit natyror brenda vendit nuk mund të pritet të ndodhë përpara vitit 2020.

Ky madje është një afat optimist, pasi në të vërtetë as fondet dhe as mënyra e ngritjes së rrjetit të gazit në Shqipëri nuk janë siguruar.

Qeveria ka parashikuar ndërtimin e tre linjave kryesore të transmetimit. Koha për të ndërtuar është e shkurtër, deri në tre vjet, dhe shuma që kërkohet është 185 milionë Euro.

Ndërsa për shpërndarjen duhen 110 milionë Euro të tjera. Për momentin është ngritur si njësi vetëm kompania publike që do merret me administrimin e rrjetit të gazit.

Në letër përfituesit e parë duhet të jenë sektorët e industrisë, më konkretisht TEC i Vlorës, por edhe ky kërkon një investim serioz për përshtatjen e teknologjisë nga përdorimi i naftës tek gazi natyror.

Sasitë e para te gazi do të kalojnë përmes tubacionit të TAP nga Azerbaxhani drejt Evropës në 2020-ën, por Shqipëria nuk pritet të jetë nga përfitueset e para./Top Channel

I forti dhe e drejta

Nga Xhevat Bislimi

Zhvillimet dhe ngjarjet kudo ne bote po e vertetojne ate thenien e mocme se i forti gjithmone ka te drejte ose se e drejta eshte me te fortin! Kjo po vertetohet ne te kater anet e botes edhe ne ditet tona: i forti po ka te drejte ne lufte e ne paqe, ne toke e nentoke, ne det e ne qiell! E drejta mbeti ne anen e te fortit! Kush eshte i forte ka edhe te drejte! E drejta nuk mund te ndahet nga i forti!

Jo vetem qe ka te drejte, por i forti edhe e detyron me te dobetin qe ta njeh dhe zbatoje te drejten e te fortit! I forti e ben edhe ligjin sipas kutit te tij, i bene edhe normat, rregullat, konventate e traktatete nderkombetare sipas kutit te tij!

Kjo u vertetua dhe po vertetohet shume here edhe ne kurriz te Kosoves shqiptare dhe te krejt Shqiperise se ber cope-cope nga fqinjte shoviniste dhe aleatet e tyre, Fuqite e Medha! I forti ose te fortite, me sakte super te fortite (superfuqite) zakonisht kane mbajtur anen e me te fortit ne nje rajon te caktuar! Me kete logjike te “aktit te kryer” u njohe edhe spastrimi etnik i krahinave te Shqiperise (si Sanxhaku i Nishit, Cameria, etj.), gjenocidi dhe pushtimi i dy te tretave te Shqiperise! Me kete logjike Fuqite e Medha po mbajne anen e Serbise edhe pas Luftes ne dem te lirise, pavaresise dhe sovranitetit te Kosoves shqiptare!

Keto Fuqi te Medha, me logjiken e super te fortit, duke shfrytezua nje klase politike te shantazhuar e te korruptuar, ia imponuan Kosoves Gjykaten Speciale per ta denuar Luften Antipushtuese e clirimtare te kombit shqiptar ne vend se te denoheje Serbia agresore, pushtuese, luftenxitese e pergjegjese per gjenocid ndaj shqiptareve, kroateve e boshnjakeve!! Me kete logjike te perkrahjes se me te fortit po mbeshtetet edhe Mali i Zi per zhvatjen edhe te mbi 8 200 hektare toke shqiptare! Me kete logjike po i behet presion edhe Tiranes zyrtare qe t’i beje leshime Greqise shoviniste qe eshte pergjegjese per gjenocid ndaj shqiptareve te Camerise dhe qe ua mohon cdo te drejte te arberve-shqiptareve!!

Prandaj, shqiptaret do te duheje te kishin mesuar deri tash ate qe dinte dhe ua mesonte Enver Hoxha: respekti fitohet me pune te palodhshme, me organizim, me ekonomi te zhvilluar, me force ushtarake dhe me unitet politik e kombetar! Kush harron peson! Nje popull i percare ne krahina, ideologji, fe e parti, i varfer, i paorganizuar dhe pa ushtri te tij ose me nje ushtri te dobet nuk mund ta fitoje as respektin dhe as perkrahjen e te fortit ne rajon dhe te super te forteve (superfuqive)! Po te ishin shqiptaret te organizuar, te udhehequr nga nje klase politike-shteterore e pergjegjshme dhe po te kishin forcen e nevojshme ushtarake muhabetet me Serbine do te ishin mbyllur motiii… Edhe te tjeret do te silleshin me respekt ndaj kombit shqiptar! Petullat nuk behen me uje, ka thene hanedan populli yne i urte…

Greqia pati 11 kryeministra shqiptarë

Këto biografi janë marrë nga arkiva e Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë. Shumica e tyre janë me origjinë nga ishujt që historikisht njihen të banuar dhe banohen edhe sot me shumicë nga popullata arvanitase: si Hidra, Speca, Poros, Salamina etj

Në vitin 1850, arvanitasi Andoni Kryeziu, kur ishte kryeministër, shpalli Kishën Autoqefale Greke, duke e shkëputur përgjithmonë nga vartësia e Fanarit të Stambollit. Arvanitasi tjetër, Dhimitër Vulgari, pasi u zgjodh kryeministër i Greqisë, u bë i mundur bashkimi i shtatë ishujve me Greqinë. Kryeministri Dhimitër Vulgari mbështeti fuqishëm kryengritjen e ishullit të Kretës për t’u bashkuar me Greqinë. Po ashtu, kryeministër të Greqisë kanë qenë edhe arvanitasit Teodoros Pangallos i cili më tej u zgjodh dhe kryetar i shtetit grek.

Kryeministër i Greqisë ka qenë edhe anëtari i Akademisë së Athinës, Aleksandër Diomidhis. Shumë prej tyre përfshihen në listën e emrave më të shndritshëm që i dhanë lavdi Greqisë së Re. Por, sot, pozicioni i gjuhës, kulturës dhe i traditave të tyre nuk e meritojnë vendin që u ka lënë shtetin grek. Madje, çdo gjë që ka lidhje me arvanitasit fshihet, izolohet dhe konservohet nëpër bodrumet e harresës për të mos dalë më në dritë e vërteta e tyre që janë zotër të Greqisë.

1. Gjergj KUNDURIOTI (1782-1858)
lindi në ishullin e Hidrës. I takon familjes së Kunduriotëve që ia dhanë shumë kryengritjes së 1821. Tok me vëllanë Llazarin, dhanë shumën prej 1.948.158 franga ari (4/5 të pasurisë së tyre) për mbështetjen të Kryengritjes së 1821. Ishte Kryetar i Greqisë në periudhën 11.10.1824-06.02.1825. Kryetar dhe anëtar i Komisionit Drejtues më 1832. U zgjodh kryetar i mbledhjes së Pleqërisë së parë (1844-1845), të mbledhjes së Pleqërisë së dytë(1845-1846), dhe të mbledhjes së tretë(1846-1847). Në janar të 1844 u bë kryeministër dhe ministër i Marinës. U bë kryeministër përsëri në vitin 1848, dhe dha dorëheqjen për shkak të mospajtimit me mbretin Otton. Në vazhdim ishte deputet dhe kryetar i Kuvendit të mbretërisë së Greqisë më 1856. Vdiq më 1858 në ishullin e Hidrës.

2. Andon KRYEZIU (1796-1865) lindi në ishullin e Hidrës më 1796. Familja e tij kishte ardhur në ishull në shekullin XVII. Rrënjët e fisit të Kryezinjve gjenden në fshatin arvanitas Krieza të Eubesë jugore. Qysh në fillim të luftës së 1821 luftoi gjithnjë në vijën e parë dhe si dorë e djathtë e admiral Andrea Miauli. Më 1836 bëhet ministër i Marinës detare greke, më vonë bëhet krye kujdestar i oborrit të mbretit Otton dhe zgjidhet kryeministër në 1842-1844 e në vitin 1849-1854. Gjatë periudhës që ishte kryeministër zgjidhi problemin e madh kishtar të asaj kohe me shpalljen e Kishës Autoqefale Greke më 1850, duke e shkëputur përgjithmonë nga qendra e fesë ortodokse në Stamboll. Ishte i pari njeri që u bë nënadmiral i Marinës greke dhe u caktua adjutant i mbretit Gjeorgjit të parë të Greqisë. Vdiq më 1865 në Athinë dhe u varros me nderime të veçanta të mëdha.

3. Dhimitër VULGARI (1801-1877) lindi më 1801 në ishullin e Hidrës. Ishte bir i beut të Hidrës, Gjeorgjio Vulgarit. Në moshën 17 vjeç u bë anëtar i Këshillit të Hidrës dhe më 1822, u zgjodh kryetar i përfaqësisë së Hidrës, u bë dhe drejtues i anijes luftarake në ishull. Më 1826 ishte prokuror i Hidrës dhe më 1848 u bë ministër i Ekonomisë. Ishte kryeministër nga viti 1855-1857, 1862-1863, 1863-1864, 1868-1869, 1871-1872 dhe nga 1874-1875. Gjatë periudhës që ishte kryeministër u bë bashkimi i Shtat Ishujve me Greqinë dhe mbështeti fuqishëm kryengritjen e ishullit të Kretës. Vdiq më 1877 në Athinë.

4. Athanas MIAULI (1815-1867) lindi në ishullin e Hidrës më 1815 dhe ishte djali i të lavdishmit Andrea Miaulit. U rrit pranë babait në det dhe mësoi në anije Fregatë shkrim e këndim në gjuhën greke nga Filip Joanu. Ai mbaroi Fakultetin Ushtarak të Mynihut në Gjermani dhe shërbeu si oficer i marinës greke. U bë adjutant i mbretit Otton dhe ministër i Marinës në vitin 1855. Kryeministër i Greqisë u zgjodh nga viti 1857-1862. Vdiq në Paris të Francës në vitin 1867.

5. Pavlo KUNDURIOTI (1855-1935) lindi në ishullin e Hidrës më 1855. Pavloja ishte nipi i Gjeorgjio Kunduriotit dhe bëri karrierë si oficer i Marinës, me një veprimtari të gjerë. Në vitin 1905 u bë adjutant i mbretit Gjeorgjio i Parë, në prag të luftës së 1912 u bë komandant i flotës së Egjeut dhe në vazhdim u bë nënadmiral. Pushtoi ishujt Limons, Tenedos, Tasos, Samothraqit, Psara dhe Mitilini. Mundi flotën turke në dhjetor të vitit 1912 dhe në janar 1913. Më 1915 u zgjodh ministër i Marinës dhe më 1916 anëtar i Treshes arvanitase Venizellos, Dangëlliu, Kundurioti që drejtonte lëvizjen më 1917, dhe u bë ministër i Marinës. Më 1920 u bë mëkëmbësi i mbretit të Greqisë dhe më 1923 u bë Kryetar i parë i Republikës Greqisë deri më 1926. Në vitin 1926 u zgjodh Kryetar i Republikës Greke arvanitasi tjetër Teodoros Pangallos. Në vitin 1929 u rizgjodh përsëri Kryetar i Republikës së Greqisë dhe dha dorëheqjen për shkaqe shëndetësore në dhjetor të vitit 1929. Vdiq më 1935 në Faliro të Greqisë.

6. Petro VULGARI (1884-1957) lindi në ishullin e Hidrës më 1884. Ishte oficer i Marinës në Luftërat Ballkanike dhe mik i ngushtë i Pavlo Kunduriotit. U bë në periudhën 1926-1935, komandant i përgjithshëm i aviacionit të marinës, komandant i bazës së nëndetëseve dhe më vonë atashe ushtarak në Ankara të Turqisë. U bë ministër i Aviacionit në Qeverinë e Lindjes së Mesme, dhe nga 8-4-1945 e deri më 17-10-1945 u bë kryeministër i Greqisë. Nuk pranoi kurrë shpërblimet për detyrën si kryeministër. Ai vdiq në Athinë më 1957.

7. Diomidh QIRIAKO (1811-1869) lindi në ishullin e Specas në vitin 1811. Familja Qiriako i dha shumë Kryengritjes të 1821. Vëllai i tij, Jani Qiriako ishte nënadmiral i flotës së ishullit të Specas dhe u vra në luftën e Mesollogjis. Diomidhi studioi për drejtësi në Universitetin e Pizës dhe të Parisit. Më 1835 u bë prokuror i Gjyqit të Shkallës së Parë. Në vitin 1840 u zgjodh i plot fuqishëm i ishullit të Specas. Ishte redaktori kryesor i Kushtetutës të vitit 1843 dhe qysh nga viti 1851 ishte profesor i së Drejtës Kushtetuese. Ishte ministër i Fesë dhe Arsimit Publik, dhe më 18-3-1863 deri 29-4-1863 ishte kryeministër i Greqisë. Vdiq në Itali në vitin 1869.

8. Emanuil REPILI (1863-1924) lindi më 1863 në Kranidhi. Studioi për drejtësi dhe u mor dhe me gazetari. Ishte kryeredaktor i gazetës “Akropol” dhe ishte artikullshkruesi special për më se një dekadë. U bë ministër i Jashtëm më 1910 dhe më 1913, në krah të kryeministrit Elefterios Venizellos. Ai mori administrimin e përgjithshëm dhe organizimin e Greqisë së Veriut. Në vitin 1925 u zgjodh ministër i Ekonomisë dhe më 1916 ministër i Punëve të Jashtme dhe nënkryetar i qeverisë. Si ministër i Jashtëm përpunoi dhe arriti të votohet ligji për Bashkitë dhe Komunat që tregonte sistemin e drejtimit të bashkive dhe komunave. U zgjodh kryeministër më 21.08.1917 deri 28.08.1917, dhe nga 19.10.1917 deri 03.01.1918. Vdiq në Kranidhi më 1924.

9. Aleksandër KORIZI (1885-1941) lindi më 1885 në ishullin e Poros. Studioi për Drejtësi dhe në vitin 1903 u emërua nëpunës në Bankën Kombëtare Greke. U bë drejtor i kësaj banke më 1921 dhe nëndrejtor i saj më 1928. Në vitin 1929 krijoi Bankën Bujqësore dhe ishte i pari drejtor i saj. Më 1936 u bë ministër i Komunikacionit dhe më 1939 u bë përsëri drejtor i Bankës Kombëtare Greke. Me vdekjen e kryeministrit Metaksait në janar të vitit 1941, kur askush nuk ndërmerrte qeverisjen e Greqisë, mori detyrën e kryeministrit më 19-1-1941, dhe më 18 prill 1941, pas një mbledhje të vështirë të Këshillit të Ministrave, kur u kthye në shtëpi, vrau veten.

10. Kiço XHAVELl (1801-1855), në s’është më i rëndësishmi i fisit të madh Suljot të Xhavellave, është gjithsesi, më i rëndësishmi i Xhavellave që morën pjesë në Revolucionin e 1821. Xhavella më i rëndësishëm cilësohet Fotoja, për të cilin Kollokotroni thoshte: “Marko Boçari nuk kapej, por Fotoja ishte përsosmëria. Kiço Xhavella u rrit në Korfuz, ku ishin shpërngulur suljotët pas pushtimit të Sulit nga Ali Pasha. Më 1820 rikthehet në Sul pas marrëveshjes të suljotëve me Aliun dhe shpallet kapedan në moshën 19 vjeç. Shkonte në Itali me detyrë të siguronte municione, por kur u kthye, Ali Pasha ishte vrarë dhe suljotët, u shkulën përse dyti nga Suli prej turqve të Sulltanit. Xhavella shkon në Etolakanani dhe merr pjesë në të gjitha betejat e rrethinës, qoftë nën komandën e Marko Boçarit qoftë dhe vetëm. Kur Gjeorgji Karaiskaqi u bë kryegjeneral i Rumelisë, Kiço Xhavella me suljotët e ndoqën pas, pavarësisht nga kundërshtimet fillestare. Më 1835 mbreti Othon e bëri nëngjeneral dhe Mbikqyrës i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe adjutant të vet. Kiço Xhavella shërbeu si prokuror, kryegjeneral pas vdekjes së Karaiskaqit, ministër i mbrojtjes më 1844. Më 1847-1848 ishte kryeministër. Vdiq më 1855 në Mesologgji. Sot pjesëtarët e fisit të Xhavellave i kemi në Shqipëri, Greqi, ShBA dhe Australi. Ata që jetojnë në Shqipëri e kanë ndryshuar mbiemrin nga Xhavella në Tasho. Trashëgimtarët e fisit të Xhavellave çdo 6 gusht mblidhen në Melesin në kishën e Shën Sotirit ku festojnë së bashku dhe kujtuar të parët e tyre. Xhavellasit kanë qenë pjesëtarë edhe të gardës së Skënderbeut.

11. Jonani Teodor KOLOKOTRONI (1804-1868) lindi më 1804 në Zakintho. Që në moshë të re 17 vjeçare mori pjesë në kryengritjen kundra turqve. Mori pjesë në disa beteja të mëdha për çlirimin e Greqisë si në Tripoli, Navplio, dhe luftoi përkrah arvanitasit Gjeorgjio Karaiskaqit deri në vrasjen e tij. Pas kësaj Joani u kthye në Peloponezi për të luftuar edhe aty kundra turqve. Ishte mik i arvanitasit tjetër Joani Kapodistrisë dhe u burgos më vonë nga kundërshtarët politik që kundërshtoni ardhjen e mbretit Otton. Në vitin 1836, kur Greqinë e udhëhiqte mbreti Otton ishte gjeneralmajor i ushtrisë së tij. U zgjodh Kryeministër i Greqisë në vitin 1862 dhe luftoi për të mbrojtur mbretin Otton të cilët kundërshtarët politik donin ta rrëzonin nga pushteti. Me largimin e mbretit Otton nga fronti mbretëror u largua për në Itali. U rikthye në Greqi pas ardhjes të mbretit Gjeorgjit të Parë. Vdiq më 20 maj 1868.

/Standard

U tha për të mërkurën, porPacolli thotë se Demarkacioni votohet në mars

Zëvendëskryeministri i parë Behgjet Pacolli thotë se ratifikimi i demarkacionit i hap rrugë liberalizimit të vizave por sipas tij votimi ka gjasë të mos ndodh edhe dy javë

Ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli nuk pret që votimi i marrëveshjes për demarkacion të bëhet në seancën e caktuar për të mërkurën e javës tjetër. Ai thotë se në mbledhjen e së mërkurës pritet të ketë vetëm debat derisa tregon kohën se kur pritet të marrë fund kjo çështje.

“Do të ishte një mrekulli nësë do të ndodh miratimi i kësaj marrëveshje ditën e mërkurë. Unë po frikësohem se është herët. Kundër dëshirës time por unë e shoh javën e dytë të marsit si kyçe për këtë”, tha Pacolli për Klan Kosovën.

Pavarësisht nëse hidhet në votim javën e ardhshme apo pas dy javësh zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës po thotë se demarkacioni do të kryhet.

Ai beson se kontribut për këtë do të japë edhe Lista Serbe e Vetëvendosje derisa për këtë të fundit ka një thirrje të veçantë.

“Edhe ata të bëjnë një ekzaminim të koshiencës së tyre të mendojnë se Kosova është mbi të gjithë dhe mbi të gjitha”, tha Pacolli.

Për paktin e arritur një ditë më parë pos të tjerëve Pacolli merita i atribuoi shefit të tij në Qeveri.

Me ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi të nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë, sipas Pacollit, hapet një faqe e re për shtetin e Kosovës dhe perspektivën e saj ndërkombëtare.

Juncker i hap Shqipërisë derën e BE-së

Kryetari i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, ka shpallur shkoqur dhe qartë verdiktin e tij se Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Europian

Me një njohje ekselente të politikës shqiptare, ai dha që në fillim një shenjë të fortë dhe të qartë që ka shërbyer si një shuplakë e fortë për PD-në dhe LSI-në që vazhdojnë e sulmojnë hapur ambasadoren e BE-së në Tiranë.

Në mënyrë jo thjesht kavalereske, por si një gjest zyrtar, në lidhje direkte televizive, numri një i brukselit dhe një nga krerët e PPE-së, i ka puthur dorën Romana Vlahutinit, demonstrativisht.

Një gjest që nuk është fare kavalieresk, pasi atë mund t’ja bënte në ndonjë darkë apo pritje private, por i ka bërë të ditur kritikëve të saj në Tiranë, se ambasadorja e BE-së, nuk është një “njeri i blerë”, por zyrtare që vlerësohet nga “shefi i madh”.

Dhe shef më të madh se Jean Claude Juncker, i cili ka marrë votat e mbi 500 parlamentarëve nga 28 vende të BE-së, nuk ka në kontinent.

Më pas, kur ka dalë nga takimi me Edi Ramën, kryetari i Komisionit Europian ka bërë të ditur shkoqur dhe prerë se parimisht Shqipëria i ka hapur negociatat, por që jo të bëhet realitet i duhen fakte konkrete dhe këto janë “peshqit e mëdhenj.

Ja fjala zyrtare që Juncker tha para pyetjeve me gazetarët:

“Turi im ballkanik është hapur me Shqipërinë dhe Maqedoninë, si dy vendet që presin hapjen e negociatave.

Si fillim, mund të jap një gjykim paraprirës për atë se çfarë përbën forcën e këtij vendi, pra Shqipërisë.

Janë bisedime që kanë filluar prej një kohe të gjatë.

Unë kam ardhur për herë të parë kryeministri ishte kryebashkiak. Kam dëgjuar që herët rezervat që kanë shprehur të tjerët për të.

Shqipëria është vend mik dhe aleat që kanë prespektivë europiane, sepse Shqipëria është vend thellësisht europian.

Ne jemi ndarë nga të papriturat e historisë dhe tani nuk duhet humbur kaq shumë kohë.

Bëhet fjalë për të rishikuar historinë nëpërmjet pajtimit, konstatoj me kënaqësoi se Shqipëria nuk pushon së akumuluari progres se ka ndërmarrë reforma strukturore që janë mbreslënëse.

Nëse vazhdohet me këtë rrugë reformëash, KE do të rekomandojë hapje negociatave.

Nuk kam ardhur të bëj premtime bosh, por vetëm mund të inkurajoj të vazhdohen me reformat që janë ndërmarrë, sidomos në luftën kundër krimit, të çohet përpara vetingu, reformimi i gjyqësorit etj.

Do të jemi përprah Shqipërisë për ta ndihmuar, në mënyrë që vendet e tjera të bashkohen me ne, duhet që të gjitha problemet mes vendeve kufitare tqë zgjidhen deri në datën e anëtarësimit.

Deri atëherë ne mbështesim Shqipërinë në të gjithë përpjekjet, edhe në përmirësimin e marrëdhënieve me vendet e Ballkanit.

Dal nga bisedimet me kryeministrit duke konfirmuar se vendi i Shqipërisë është në Bashkimin Europian”.

Pra siç shihet fjala e kreut të Komisionit Europian ka qenë mëse e qartë.

Por më pas, Juncker ka rrëzuar edhe një tjetër “legjendë urbane” që është ngritur për disa muaj.

Ajo e anëtarësimit të Serbisë dhe Malit të Zi në vitin 2025 dhe Shqipëria nuk është listuar.

I pyetur nga një gazetare e Klan-it për këtë çështje, politikani veteran që drejton qeverinë europiane tha: “Nuk ka asnjë datë për disa dhe diskriminim për ca të tjerë. Ne e kemi trajtuar Ballkanin perëndimor si një të tërë.

Viti 2025 është një horizont mudnësish, kush do t’I plotësojë do të hyjë. Nuk ka asnjë pararendje për askënd”, tha Juncker.

Ndërsa Edi Rama, i çliruar duket nga një barrë të paktën deri tani, nuk ndejti sërish rehat duke thumbuar gazetarët.

“Më vjen mirë se e dëgjuat live nga personi që e ka hartuar strategjinë e BE-së. Kur u thosha unë se nuk ka asnjë pararendje nga Serbia nuk më besonit. Tani e dëgjuat vetë.

Në do të pranohemi ose në një kohë me Serbinë, ose përpara saj”, tha Kryeministri, me një shprehje që donte të nxirrte fjalën “kazan”, por që natyrisht nuk ishte vendi…/tesheshi.com/