Lajm.co

Enver Hoxhën e helmuan, ja si u zhduk në mënyrë të papritur mjeku i tij dhe roli i Nexhmijes e shërbimit sekret serbo-sllav

Liliana Hoxha, nusja e djalit të diktatorit Enver Hoxha, ka reaguar për një dokumentar që flet për vdekjen e tij. Ajo shkruan për “Gazeta Shqiptare”, se vdekja e Enverit nuk ka qenë natyrale. Sipas Lilianës, Enveri është helmuar dhe për këtë ka pasur dijeni edhe Nexhmija, në mos ka bashkëpunuar për këtë

Shkrimi i plotë

Siç hidhet e adhurohet Skënderbeu gjatë valles së përjetshme haluçinative kundër vetes me kohën që ecën bashkë me historinë, ashtu po ndodh edhe me Enver Hoxhën. Nuk mund të ndodhte ndryshe për pritshmëritë që ofrojmë si komb, për mosmarrëveshje midis nesh, sidomos për dimensionet jo vetëm prej miti për mirë apo për keq, por deri edhe mistike që patën të dy. Gjë që, me sa duket, nuk mund të ndodhë përveç se një herë në 500 vjet, sado ritëm fatal ky i nënshtrimit ndaj të keqes që prodhojmë, njëkohësisht si ritëm shprese, si dinamikë të brendshme kur kombi të vendosë të çelë sytë, për të dalë nga asimilimi këtë radhë prej injorancës e korrupsionit që dikton pushtimi shqiptar ndaj shqiptarëve. Kështu që asgjë nuk mund të më intimidojë më në raport me Enver Hoxhën se sa somnambulizmi i shqiptarëve. Po të kthehemi në temë.

Sërish pata keqardhje për produktin shqiptar se sa atë të CIA-s për Enver Hoxhën. Thënë shkurt, mbrëmë dokumentari i “ABC News” për sekretet e Enver Hoxhës lëvruar nga CIA, ishte një ripërsëritje e dokumentarit të Fevziut miksuar me të ashtuquajtura dokumente të CIA-s të deklasifikuara, nga të cilat nuk mund të merrje asgjë për t’u bazuar, si superficiale e të mangëta nga serioziteti, pa asnjë fakt të vrojtuar e jo më të vërtetuar nga agjentë apo bashkëpunëtorë të mirëfilltë të CIA-s të pajisur me kompetencat që i takojnë këtij shërbimi autoritar.

Ishin dëshmi thashethemesh të individëve të rëndomtë rrethanorë e të vetvullnetshëm për të dëshmuar ashtu siç ju kërkohet të hiqet vallja. Kjo gjë sinqerisht më ka befasuar sa kuptova që nuk është qëllimi i CIA-s të lëvrojë këto hedhurina për investigimin e saj të posaçëm për Enver Hoxhën, por janë kërkuesit e thërrimeve që mund të gjenden lehtë si të pavlera ndaj edhe të deklasifikuara.

Interpretimi i të cilave CIA-s nuk i intereson fare, pikërisht sepse nuk ka qenë qëllimi i saj të përdorë këto hedhurina për deri sa s’ia doli në qëllimin që kishte për të sajuar perversitetin seksual të Enver Hoxhës ndaj të cilit vetë shqiptarët do të ngriheshin kundër tij.

Gjithsesi nuk është qëllimi im të merrem me dokumentacionin e pavlerësuar nga vetë CIA, por me shfrytëzimin e abuzimin që bëjnë në emër të CIA-s kërkuesit shqiptarë në këmbëngulje për vdekjen natyrale të Enver Hoxhës e në qëndrimin aq sa mund pro Ramiz Alisë.

Skemë e diktuar në kohën përkatëse nga ai vetë e Nexhmije Hoxha. Vdekja natyrale e Enver Hoxhës i intereson çdo antishqiptari në thelb i tillë sado shqiptar qoftë, për të zvogëluar dimensionet e mitit.

Por drejtpërsëdrejti i intereson Nexhmije Hoxhës e diktuesve të saj të shërbimeve ruso-sllave. Siç është insistimi për vdekje natyrale në qëndrimin zyrtaro-publik ashtu ka qenë kërcënimi me vetë jetën time duke shpëtuar shumë herë për çudi, prej saj në gojën e ish-sigurimsave: Fol çfarë të duash, vetëm për vdekjen e Enver Hoxhës mos fol!!!!!

CIA-s, vdekja e tij që do të përfshinte vetëm disa vjet nuk i ka interesuar. Për vetë ndryshimet gjeopolitike në Ballkan e sidomos të luftës së ftohtë, Enver Hoxha ishte faktor stabiliteti në rajon kundër KGB dhe UDB. Pra, jetëgjatësia e tij i interesonte asaj. Por nga ky interes më se i qartë nuk mund të rrjedhë deklarata e përdorur nga dokumentari në emër të saj për vdekje natyrale të Enver Hoxhës.

Meqë CIA s’ka qenë e interesuar për vdekjen e tij ajo nuk mund të bëhet mbulim i shërbimeve të huaja kundërshtare të luftës së ftohtë. Edhe informacioni i CIA-s për shëndetin e Enver Hoxhës s’të çon asgjëkund, çka provon mosinteresimin real të saj për vdekjen e tij.

Por për dikë që ka studiuar çështjen, aty këtu, gjen përkime të rastit, por të fuqishme. Ndaj më vlejtën dy argumente shumë të rëndësishëm në vërtetim të akuzës time për vrasjen e Enver Hoxhës nëpërmjet mjekimit.

Në dokumentet e CIA-s del që në 1976 kardiologu pranë E.H , Nikolla Shurbani deklaron që ai vuante lehte nga problemet kardiake e qarkullimit të gjakut.

Nikolla Shurbanin e kam njohur personalisht. Ishte më kompetenti e ndërkaq më i ndershmi pranë shërbimit të Enver Hoxhës. Bie në sy që Shurbani nuk e ka bërë alarmante shëndetin e tij në 1976 kur Nexhmija e mjeku personal i tij Kalo që në ‘74 e kishin futur në karantinë me psikozën e të sëmurit rëndë ndaj atij dhe ndaj nesh, por sekret për popullin.

Shurbani u zhduk. Protagonistet nuk i zë lapsi i CIA-s, sepse ajo nuk është marrë me atë problem. Gjithashtu, përmendet një mjek italian (Zorxoli) apo disa japonezë që kanë vizituar Enver Hoxhën. Përveç mjekut francez Miliez për të cilin CIA s’kishte hollësi, asnjë nga këta nuk ka vizituar Enver Hoxhën. Duken më shumë si pista dizinformuese për vetë CIA-n.

Gjithmonë në kësi rastesh për njerëz që janë marrë me studimin e çështjes mund të gjesh prej rrjedhjes së informacionit në dukje të parëndësishëm, por që përkon me faktin e vërtetuar nga Auron Tare që zbulimi italian ka pasur që në vitet ‘70 dosjen reale shëndetësore të Enver Hoxhës, e mundshme kjo vetëm nëpërmjet njerëzve më të afërt d.m.th. doktorit më të afërt apo familjarëve të tij.

Në krahun tjetër të luftës së ftohtë të atyre viteve, shërbimet përkatëse fshehin, kërcënojnë, vrasin për zbulimin e vdekjes së Enver Hoxhes. Ndërkaq që nxjerrin në gojën e CIA-s të pa interesuar që Enver Hoxha pati vdekje natyrale.

Askush nga ne shqiptarët që veprojmë me fjalë e penë, duke filluar që nga unë, producentët e dokumentarit apo emra që përmenda më lart nuk kanë interes as qëllim e as këllqe të merren, të analizojnë apo përgojojnë këto shërbime në fjalë.

Çështja është sa shqiptarë jemi në të vërtetë se antishqiptarizmi ushqehet madje diktohet në mënyrë të pandjeshme po të jesh i verbër e për më keq po të jesh i interesuar, sërish mund t’ia dalësh duke pasur alibi opinionin personal. Mbetet gjithmonë çështje ndërgjegjeje: Sa është secili në thelb shqiptar.

Menaxhimi i lëndëve civile në Gjykatat Themelore në Kosovë nuk është efikas

Zyra e Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Efikasiteti i Menaxhimit të Lëndëve Civile në Gjykatat Themelore”

Përmes këtij auditimi, është vlerësuar procesi i menaxhimit të lëndëve gjyqësore nga ana e Gjykatave Themelore si dhe punën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës në monitorimin e progresit të këtyre Gjykatave dhe krijimin e mekanizmave për t’i mbështetur ato në menaxhimin e duhur të lëndëve.

Procesi i menaxhimit të lëndëve civile në Gjykatat Themelore në Kosovë nuk është efikas, dhe ky raport auditimi përmban informata mjaft të rëndësishme dhe me interes për tu shqyrtuar, si për subjektet e audituara, për Kuvendin, qytetarët dhe palët tjera të interesit.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar parregullsi dhe ka nxjerrë konkluzione përmes të cilave synon që të vihen në pah çështje me rëndësi për tu adresuar.

“Gjykatat vazhdojnë të ballafaqohen me numër të konsiderueshëm të lëndëve të vjetra që vazhdojnë të mbesin ende të pazgjidhura, si dhe numri i përgjithshëm i lëndëve civile përveç që nuk është reduktuar, është vazhdimisht në rritje. Si rezultat i numrit të madh të lëndëve civile nëpër Gjykata Themelore, qytetarët detyrohen të presin periudha të gjata për të iu shqyrtuar e finalizuar lënda. Njëkohësisht, fakti që trendi i lëndëve që mbeten të pazgjidhura nga viti në vit është vazhdimisht në rritje është shqetësues, dhe nëse nuk ndërmerren masa për ta përmirësuar këtë gjendje atëherë gjyqësori mund të shkojë drejt kolapsit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu thuhet se procesi i menaxhimit të lëndëve civile është karakterizuar me parregullsi të shumta në të gjitha fazat e tij.

“Procedurat aktuale të vendosura në Gjykatat Themelore për të shpërndarë lëndët civile tek gjyqtarët nuk janë uniforme, dhe në të tre Gjykatat e audituara, secila nga procedurat e aplikuara është karakterizuar me parregullsitë e veta. Këto parregullsi janë evidente qysh nga faza fillestare e shpërndarjes së lëndëve civile tek gjyqtarët, kompletimi dhe precizimi i kërkesë padive, menaxhimi jo adekuat i grumbullit të lëndëve nga sekretarët juridik, shtyrjet e vazhdueshme të seancave gjyqësore, vonesat në shqyrtimin e lëndëve në Gjykatën e Apelit si dhe norma e lartë e lëndëve që kthehen në ri-gjykim në Gjykatat Themelore. Po ashtu, mangësi kishte edhe në praktikat që vet gjyqtarët aplikojnë për të balancuar llojet e ndryshme të lëndëve civile të cilat i marrin në shqyrtim”, thuhet më tej.

Po ashtu në raport thuhet se Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk është treguar efikas për të monitoruar në mënyrë të duhur progresin e arritur nëpër Gjykata.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka krijuar mekanizma të përgjithësuar të cilat nuk i ofrojnë mbështetje të mjaftueshme Gjykatave Themelore në menaxhimin e lëndëve. Kjo nënkupton që mekanizmat e përgjithësuar të krijuar nga Këshilli vështirësojnë monitorimin e progresit të arritur në Gjykata për të reduktuar numrin e lëndëve gjyqësore, si dhe nuk janë mjete të duhura për Gjykatat për të adresuar parregullsitë që hasin gjatë menaxhimit me lëndë gjyqësore.

Raportin e plotë mund ta lexoni në: www.zka-rks.org

Thaçi: Po nderojmë ata që dhanë gjithçka për liri

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sot filloi ditën duke bërë homazhe tek shtatorja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti dhe te varri i ish-presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova

Homazhet janë bërë me rastin e 28 Nëntorit, ditës së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Derisa te shtatorja e Zahir Pajazitit, Thaçi nuk dha deklaratë për media, tek varri i ish-presidentit tha se sot po nderojnë të gjithë ata që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Është ky një nderim tradicional shtetëror të cilin e bëjmë për komandantët ë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për presidentin Rugova për të gjithë luftëtaret e lirisë. Në shenjë nderimi dhe respekti për kontributin për liri dhe pavarësi të Kosovës ishim tek monumenti, tek busti i komandantit tonë ndër të parët UÇK-së, Zahir Pajazitit.

Tash jemi këtu tek varri i presidentit Rugova për të nderuar përpjekjet e tij për liri dhe pavarësi të Kosovës, gjithashtu pas pak do të jemi edhe në Prekaz dhe mundësisht në të gjitha ambientet, hapësirat përkujtimore që simbolizojnë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës personalitetet, duke dëshmuar gjithmonë dhe respektuar lart dëshmorët e lirisë, heronjtë e Kosovës, gjitha sakrificat e njerëzve për pavarësinë e Kosovës në këto momente të rëndësishme të kremtimit të festave të Nëntorit”, tha presidenti.

Gjatë ditës presidenti i Kosovës do të qëndrojë edhe në Gjilan ku bashkë me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta do të zbulojnë shtatoren e heroit të kombit Idriz Seferi.

A do të përfshihen SHBA-të në dialogun Kosovë – Serbi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, gjatë vizitës së tij të fundit në New York, ka kërkuar përfshirjen e SHBA-së në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Thaçi në takimin me zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence kishte thënë se “përfshirja direkte e SHBA-së në fazë përfundimtare, është përcaktuese për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, të zbatueshme për të dy palët”

E një gjë të tillë e ka kërkuar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili gjatë takimit me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, ka ngritur çështjen e dialogut, me kërkesën që tash e tutje të jetë edhe një përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në tavolinën e bisedimeve.
“Po, unë kam kërkuar që SHBA të jetë pjesë e dialogut me Serbinë”, ka thënë Haradinaj.

Ambasada amerikane: Jemi në bisedime me Mogherinin për mbështetje shtesë ndaj Kosovës

Në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, Ambasada Amerikane në Prishtinë, ka bërë të ditur se SHBA është në bisedime me ekipin përfaqësueses së BE-së, Federica Mogherini, për atë se si mund të ofrojë përkrahje shtesë në fazën e ardhshme të dialogut.

Ambasada e ka cilësuar si hap përpara edhe integrimin e sektorit të drejtësisë, që filloi muajin e kaluar. “Qeveria e Shteteve të Bashkuara vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ne jemi duke diskutuar me ekipin e Përfaqësueses së BE-së, Mogherinit, për atë se si ne do të mund të ofronim më së miri përkrahje shtesë në fazën e ardhshme. Dialogu ka sjellë përfitime konkrete për qytetarët e Kosovës dhe i ka bërë institucionet e Kosovës më të forta. Integrimi i sektorit të drejtësisë, i filluar muajin e kaluar, është edhe një hap pozitiv përpara”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane.

Por, a do të duhej të përfshihej SHBA në këtë dialog dhe sa do të kishte ndikim për përparim të dialogut. Hulumtuesi i lartë në Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Artan Murati, ka thënë se SHBA në mënyrë indirekte ka qenë e përfshirë në dialog që nga fillimi, derisa dihet qëndrimi pro Kosovës.

Murati: Përfshirja e SHBA-ve në dialog, lajm i mirë

“Në njëfarë mënyre, që nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi në vitin 2011, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të përfshira në proces, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejt. Ne e dimë që SHBA-të që nga fillimi, pra, qysh prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, vazhdimisht kanë shtyrë në drejtimin që Republika e Kosovës duhet të jetë e përfshirë në dialogun me Serbinë, për çështje që janë të rëndësishme për të dyja shtetet dhe rrjedhimisht edhe politikanët më të lartë të administratës amerikane në çdo takim, qoftë me Serbinë apo Kosovën kanë potencuar faktin që të dy shtetet duhet të jenë të përkushtuara në dialog dhe se SHBA e përkrah dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Murati për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, përfshirja direkte në dialog e SHBA-ve, do të ishte lajm i mirë për Kosovën, duke e ditur qasjen e tyre ndaj shtetit tonë, por që më pas Serbia mund të kërkojë përfshirjen e Rusisë, si aleat të tyre në këtë dialog, për t’u balancuar.

“Sa i përket përfshirjes direkte të SHBA-së në dialog, ky është një lajm i mirë për Kosovën, pasi e dimë qasjen amerikane ndaj shtetësisë së Kosovës, por pastaj druaj se edhe pala serbe mund të dalë me kërkesa tjera, në mënyrë që të kërkojë balancë. Në përgjithësi në Serbi ekziston një perceptim që SHBA-të janë pro Kosovës e kundër Serbisë dhe kjo pastaj do të mund ta hapte një kuti të Pandorës ta quaj ashtu, ku Serbia mund të kërkojë ta përfshijë Rusinë në dialogun mes Kosovës e Serbisë”, ka vlerësuar ai.

Murati ka thënë që në mënyrë që të përfshihet edhe Rusia apo ndonjë shtet tjetër nga Serbia, më mirë është që dialogu të vazhdojë të zhvillohet me ndërmjetësim të BE-së dhe varet nga SHBA-të nëse duan të jenë pjesë e dialogut.

“Andaj mendoj që dialogu është mirë të zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe normalisht të jenë të informuara gjatë gjithë kohës dhe të jenë pjesë aktive në proces, mirëpo sa i përket një ulëse apo marrja e statusit si palë në dialogun Kosovë-Serbi, fillimisht duhet të shihet interesimi i SHBA-ve, a duan apo jo të jenë pjesë e dialogut dhe pastaj edhe realitete tjera në Bashkimin Evropian, pse jo edhe Serbinë, edhe pse nuk ka nevojë të pyetet Serbia për një gjë të tillë, vetëm se Serbia pastaj mund të kërkojë që të përfshijnë dikë tjetër për t’i përkrahur me dialog”, ka thënë Artan Murati nga KDI për “Bota sot”.

Daku: BE nuk është e interesuar për marrëveshje historike Kosovë-Serbi

Ndërsa, drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci Selim Daku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, uron që kjo dëshirë e Haradinajt të konsiderohet e tillë edhe nga SHBA-të. “Kryeministri Haradinaj ka shprehur një dëshirë të arsyeshme. Uroj që si e tillë të konsiderohet edhe nga ana e SHBA-ve. Kjo për shkak të eliminimit të situatave të pakëndshme nga një mosgatishmëri eventuale e tyre”, është shprehur ai.

Daku ka vlerësuar se që nga fillimi i dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të BE-së, nuk janë sjellë rezultate të kënaqshme, pasi BE nuk është e interesuar të arrihet ndonjë marrëveshje historike ndërmjet të dyja shteteve.

“Prej nisjes së tij në mars të vitit 201, si dialog teknik dhe shndërrimit në dialog politik në tetor të vitit 2012, procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë është tejzgjatur dhe nuk ka sjellë rezultate të kënaqshme. Arritja e rreth 20 marrëveshjeve mund të cilësohet si progres, por jo edhe si sukses për shkak të çalimit në respektimin e tyre nga ana e Serbisë. Bashkimi Evropian, si organizatë është mjaft komplekse dhe jo përherë zgjedhë qasjen konkrete të zgjidhjes së çështjeve. Nga një analizë e thjeshtë, mund të konkludojmë që BE-ja më shumë është e interesuar në ruajtjen e një status quo-je, sesa në ofrimin e alternativave konkrete që çojnë në arritje dhe respektim të marrëveshjeve historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pra, ajo vetëm po menaxhon një proces shumë të rëndësishëm, por të brishtë dialogu të cilit nuk po i dihet përfundimi”, ka vlerësuar Daku.

Përfshirjen e SHBA-ve në dialog, ai e sheh si mundësi për të arritur marrëveshje të rëndësishme dhe si garantues të sjelljeve serioze të palëve në këtë dialog.

“Kryeministri Haradinaj përfshirjen e SHBA-ve në dialog mund ta shoh si tjetërsim të procesit që në intervale më të afërta kohore mund të dërgonte në arritje të marrëveshjeve të rëndësishme. SHBA-të, procesit të dialogut, pos seriozitet do t’i ofronin edhe një efikasitet më të lartë, po ashtu do të shërbenin edhe si garantues serioz që do të impononte sjellje serioze të palëve në dialog, karshi respektimit të marrëveshjeve të arritura”, ka deklaruar Selim Daku për gazetën “Bota sot”.

Adem Jashari, krenar që mban emrin e gjyshit

Falë luftës së gjyshit, komandantit legjendar të UÇK-së, familjarëve të tij dhe shumë shqiptarëve të tjerë Kosova është çliruar përfundimisht nga Serbia. Por nipi i Adem Jasharit, Adem Jashari i Riu, bën plane që të studiojë në Fakultetin e Arteve, përkatësisht dizajnin grafik

I ulur në krye të Odës Adem Jashari tregon rëndësinë e Festës së 28 Nëntorit për familjen e tij në veçanti dhe për shqiptarët në përgjithësi.

Kjo festë njëherësh shënon ditëlindjen e gjyshit të tij, komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jasharit, si dhe daljen e parë publike të kësaj Ushtrie.

Ai tashmë është rritur e shkon në shkollë të mesme në gjimnazin “Hamëz Jashari” dhe thotë se me krenari e bart emrin e gjyshit.

Në një rrëfim për “Zëri” nipi i komandantit legjendar Adem Jashari, i cili po ashtu bart emrin e këtij të fundit, thotë se gjithë familja është krenare me paraardhësit e tyre.

“Pa dyshim ndihem shumë krenar dhe me përgjegjësi shumë të madhe e barti këtë emër, emrin e gjyshit tim Adem Jasharit. Sipas tregimeve të familjarëve, ne të gjithë pasardhësit, ne që mbajmë emrat e tyre, ndihemi krenarë ta bartim këtë emër sa me më përgjegjësi, të mësojmë, të shkollohemi dhe amanetin e të parëve ta çojmë në vend”, u shpreh kështu Adem Jashari.

Një qokë tek arvanitasit dhe në Çamëri

Nga Artan Xh.Duka

Mirë, shumë mirë bëri Presidenti ynë që qoftë dhe privatisht sikurse u tha në media, takoi shqiptarët e krahinave shqiptare në Serbi. Bëri detyrën si simbol i unitetit të kombit, nderoi veten dhe postin që përfaqëson duke respektuar shqiptarët e atjeshëm, u dha zëmër e kurajo që të gëzohen në vëndin e të parëve pavarësisht se jashtë kufirit zyrtar, shtriu dorën e fqinjësisë së mirë ndaj Serbisë pavarësisht padrejtësisë historike ndaj kombit shqiptar, duke bërë apel për urtësi dhe çlirim nga sindroma e fituesit apo humbësit në Ballkan.

Me një fjalë, qoftë dhe privatisht, kjo vizitë gjeneroi publicitet të atillë, efektet e të cilit ndoshta tejkalojnë edhe një vizitë zyrtare që i nënshtrohet protokollit strikt, qoftë dhe e shoqëruar me paketa financimesh apo projektesh konkrete. Shqiptarët në Serbi, më shumë se financime kanë nevojë për vëmëndje, respekt dhe kontakte rutinë. Kaq u mjafton që të mos ndjehen të vetmuar matanë. Me këtë rast, Serbia po dëshmon se po reflekton. Një fillim i mbarë i saj por ende pak sepse e kaluara ende ka peshë në politikën e saj.

Por ndërsa vizita të këtilla po mësohemi të kalojnë “fjollë” tek fqinjët verior (Mali i Zi dhe Serbi) dhe ai lindor (Maqedoni), hamëndjet ngrihen nëse një gjë e tillë mund të ndërmerrej edhe në fqinjin jugor Greqi. Sikurse krahinat shqiptare në Mal të Zi, Serbi dhe Maqedoni, edhe Çamëria apo trevat arvanitase kanë prezencë etnike shqiptare apo arbërore dhe Shqipëria e ka në Kushtetutë vëmëndjen dhe përpjekjen ndaj mbrojtjes së interesave, të drejtat njerëzore dhe atyre kombëtare të shqiptarëve kudo ku ata ndodhen jashtë kufijve shtetërorë.

Në këtë sens, presidenti ynë, i njohur si politikan kurajoz dhe me inisiativë, duhet të ndërmarrë një hap të tillë duke dëshmuar me veprime konkrete vëmëndjen e shtetit shqiptar ndaj shqiptarëve në Greqi, qofshin ata çamë, arvanitas të kohës apo shqiptarë emigrantë të tranzicionit.

Është në përshkrimin e punës e Tij. Qoftë zyrtarisht apo privatisht, Ai duhet të takohet me ta, atje. Me urtësinë tradicionale të politikës së Tij, ajo vizitë nuk mund të shihet si provokim përkundrazi do të shërbejë si artikulim i tabuve që nuk ua zë dot goja të tjerëve këtej dhe andej kufirit duke krijuar preçedentin për më pas për të tjerë.

Si mund të presim ne që faktori arvanitas dhe ai çam në Greqi të hedhë sytë dhe besojë tek Atdheu mëmë kur ne të parët i anashkalojmë dhe nuk bëzajmë për ta? Ata nuk kanë nevojë për financime, përkundrazi mund të na mbajnë ne ata me to por ata kanë nevojë për solidaritet dhe një dimension më shumë të identitetit që ju jep krenari dhe kjo është detyra jonë këtej.

Meraku se mos turbullohen ujrat me grekun janë argumenta që provokojnë “agoni” diplomatike në marrëdhëniet me ta duke bërë që të vërtitemi gjithnjë rreth pikës zero. “Djalli nuk është aq i tmerrshëm kur e takon” thotë një shprehje ndaj dhe me Greqinë, e vetmja mundësi për të gëzuar marrëdhënie të shkëlqyera siç dhe popujt meritojnë, është thënia e gjërave troç. Fundja jemi popuj binjak në gadishullin Ilirik dhe është absurd që 200 vjet vetëm i ndërsehemi njëri-tjetrit.

Nëse një vizitë presidenciale, qoftë dhe private, është tashmë gjë normale në Serbinë e nacionalizmit që shkaktoi tre luftëra në rajon këto dekada, ajo nuk ka pse të jetë më një tabu në Greqi, që për më tepër është dhe anëtare e BE. Vetëm nëse nuk duam vetë ne sepse politikanin e lartë, shoqëruar me një autobuz diplomatësh dhe tabor gazetarësh që pasqyrojnë “live”, zor se do e kthejë mbrapsht në kufi një doganier apo do e shpallë të padëshiruar një polic apo kalec lokaliteti në fshatrat arvanitase ku Ai shkon.

Po në ndodhtë, do jetë publicitet falas dhe bota do dëgjojë më mirë dhe më shpejt dhe do kuptojë se nuk është Himara molla e sherrit por tjetër gjë. Më e madhe, reale dhe quhet Çamëri dhe arvanitas dhe ndodhen matanë kufirit, në Greqi. 28 Nëntori nuk është keq për fishekzjarre por për vëmëndje ndaj kauzave shqiptare ngado. Patriotizmi nuk ka brirë. Tej kufirit në jug nuk ka thjesht kauzë çame e arvanitase por kauzë shqiptare dhe ajo meriton përkushtim.

Porti i Durrësit, kryesori për Kosovën

Porti i Durrësit është porti kryesor në Adriatik ku operon biznesi i Kosovës

Mallrat me destinacion Kosovën apo ato që ky vend eksporton në vendet e tjera zënë rreth 10% të volumit të përgjithshëm të mallrave që janë përpunuar në kalatat e portit të Durrësit. 10 për qind e mallrave që janë përpunuar në Terminalin Lindor dhe në atë të Mallrave Gjenerale në Portin e Durrësit i janë drejtuar Republikës së Kosovës, ose anijet janë ngarkuar me mallra që kanë mbërritur nga Kosova.

Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në APD, vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti në këto dy terminale janë përpunuar afro 608 mijë tonë mallra gjithsej, shkruan sot Koha Ditore.

Bizneset e Kosovës kanë rritur ndjeshëm praninë e tyre në portin detar të Durrësit përmes lëvizjes së mallrave transit nga ky port duke zënë 10 për qind të vëllimit të përgjithshëm të import-eksportit transit nga/drejt Kosovës.

Melamina, xhamat, çimento, llamarina dhe superfosfati janë mallrat e importit që kanë vijuar udhëtimin me automjete nga Porti i Durrësit drejt tregut të Kosovës. Ndërkohë që anije të specializuara ngarkohen në Portin e Durrësit me mineral zinku që vjen nga “Trepça” në Durrës, për të vijuar drejt porteve të vendeve perëndimore… (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Deklarata e Pandeli Majkos që ka ngritur në këmbë Serbinë

Deklarata e ministrit të Shqipërisë për shqiptarët jashtë kufijve, Pandeli Majko, që të hapen kufijtë ndërmjet dy vendeve, ka nxitur reagim në Serbi

“Me një janar, në vitin 2018 ne shqiptarët e krahut tjetër po ju presim t’i hapim kufijtë. Le të bëjmë këtë veprim europian”, ka thënë Majko, duke folur edhe në emër të kryeministrit aktual, Edi Rama, në forumin ekonomik të diasporës shqiptare.

Por, kjo sipas medieve serbe vlerësohet si provokim ndaj shtetit serb.
Gazeta serbe Blic, shkruan se Majko në këtë forum foli në emër të kryeministrit shqiptar Edi Rama, shkruan Gazetametro.

Aty theksohet se në takim kanë marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe Presidenti Hashim Thaçi.

Huffington Post: A po e shtynë Evropa Kosovën drejt Erdoganit?

Një shkrim i botuar në Huffington Post nga Fron Nahzi, drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit Global në Institutin McCain për Lidership Ndërkombëtar, flet për atë se si Evropa me ndalimet që po i bën Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian, po e shtynë vendin e ri e të vogël drejt Turqisë, apo “neo-otomanizimit të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan”, njofton Klan Kosova

Dhe këtë ndikim turk Nahzi mundohet ta argumentojë në shumë mënyra – një prej tyre edhe me rritjen e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 11 qershorit. Analisti i jashtëm i CNN, BBC-së e kolumnist i shumë gazetave amerikane e britanike, shkrimin e tij e nis me betimin e Albin Kurtit në Kuran gjatë fushatës së zgjedhjeve të tetorit.

“Fjalimi në fillim erdhi si shok. Në një tubim partiak para zgjedhjeve të tetorit lideri i partisë opozitare Vetëvendosje, Albin Kurti, u betua në Kuran se fitorja do të jetë e tyre. ‘Kur të vijmë ne në pushtet’, u tha ai mbështetësve, ‘do t’i japim fund islamofobisë”, shkruan në rreshtat e parë të shkrimit të tij Nahzi.

Sipas këtij shkrimi, Kosova, përkundër shumicës absolute myslimane, dikur ishte mbështetëse e madhe e perëndimit dhe kishte sytë ka SHBA dhe Evropa, por tash, “18 vjet pas lufte, vendi po merr rrugë të tjera”.

“Kosovarët janë të frustruar nga papunësia, korrupsioni i madh dhe Evropa që po vazhdon t’i lë ata jashtë”.

“Si rezultat, gjenerata e re e liderëve të Kosovës po vjen në pushtet me slogane nacionaliste, dhe së fundi, kanë filluar të luajnë edhe kartën e Islamit, për ta zgjeruar bazën e mbështetësve të tyre. Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit nacionale fitoi 27 për qind, duke u bërë partia më e madhe në vend”.

“Vetëvendosje po ndihmohet. Turqia, Katari dhe të tjerë po mbushin boshllëkun e lënë nga BE dhe SHBA. Nën rrethana të paqarta, në vitet e fundit qeveria e Kosovës shpërbleu Turqinë me kontrata miliardëshe”.

“Ndërsa Katari, një mbështetës i hershëm i Erdoganit, besohet të jetë një nga donatorët më të mëdhenj të partive politike në Kosovë që përcjellin linjën islamiste të Erdoganit”.

“Me kohë, kosovarët humbën besimin në lidershipin ndërkombëtar, derisa Vetëvendosje po e rritë popullaritetin e saj. Duke mësuar nga ngjitja e Erdoganit në pushtet, Kurti bëri fushatën e tij duke portretizuar Evropën si të keqe dhe anti-kosovare”.

“Në zgjedhjet e tetorit, qytetarët e Kosovës u larguan nga retorika anti-perëndim e Kurtit dhe referencat e tij kuranore”, shkruan Fron Nahzi, duke aluduar se Vetëvendosja nuk fitoi njëjtë sikurse me 11 qershor, njofton Klan Kosova.

“Por, derisa Evropa dhe partitë qeverisëse në Kosovë të mos bëjnë ndonjë ndryshim, Vetëvendosje është vetëm një palë zgjedhje larg formimit të shumicës në Parlament”.

“Evropa duhet ta kuptojë këtë, duhet të heq vizat për kosovarët dhe t’i ndihmojë ata të bëjnë zgjedhjet e tyre në bazë të nevojave dhe aspiratave e jo frikës e frustrimit”. /klankosova.tv/

Qindra mijëra euro për vetura të reja zyrtare

Institucionet qendrore dhe ato lokale, vitin e ardhshëm, do të rrisin shpenzimet në paga dhe mëditje, si dhe në mallra dhe shërbime, dy kategoritë për të cilat ka pasur jo pak kritika për mënyrën e shpenzimeve të parasë publike. Vlera e rritjes së shpenzimeve në këto dy kategori lëviz mes disa qindra mijëra eurove e deri në mbi 1 milionë, raporton KTV

Ndërsa janë të pakta ato raste kur do të ketë ulje të shpenzimeve në këto dy kategori. Megjithëse në agjendën e integrimeve evropiane, Kosova duhet të ulë numrin e të punësuarve, kjo gjë nuk pritet të ndodhë as në vitin e ardhshëm. Shtimi i ministrive pritet të sjellë edhe punësime.

Në buxhetin e 2018-ës janë parashikuar edhe punësimi i 106 personave në dy ministritë e reja, të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, si dhe në atë të Zhvillimit Rural.

Apetitet nuk do të përfundojnë me kaq. Të dhënat në buxhet flasin edhe për vazhdimin e tendencës së shpenzimit të mijëra eurove për blerje të veturave dhe mobilieve. Në nivelin qendror, shpenzimet më të mëdha në këtë kategori parashihet t’i ketë Kuvendi i Kosovës, i cili përgjatë tre vjetëve të ardhshëm, do të shpenzojë nga 130 mijë euro.

Ndërkaq, zyra e Presidentit pritet të shpenzojë deri në 10 mijë euro për blerjen e një aparati fotografik. Për këtë të fundit, madje janë planifikuar që deri në vitin 2020 të shpenzohen 2.5 milionë euro për ndërtimin e objektit presidencial.

Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës do të shpenzojë 8.200 euro për blerje të laptopëve dhe printerit multi funksional, ndërsa do të vazhdojë të blejë automjete edhe vitin e ardhshëm.

Përpos punësimit e buxhetit, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do t’i shpenzojë edhe 150 mijë euro për blerje të veturave.

Në shpenzim buxheti për blerje të veturave, konkurrencë të madhe nivelit qendror do t’i bëjë Fushë Kosova. Për blerjen e një automjeti ka paraparë të shpenzojë 80 mijë euro, ndërsa Graçanica 55 mijë.
Vetura do të blejnë edhe komuna e Deçanit, Gjakova, Mamusha, Hani i Elezit dhe Zubin Potoku, që vazhdon traditën e blerjes së veturës zyrtare tash e disa vjet.

Fushë Kosova e Lipjani do të vazhdojnë të shpenzojnë buxhet për vendimet gjyqësore. Përpos bizneseve që po hasin në probleme me furnizim të rregullt me energji elektrike, të njëjtat probleme duket se po i ka edhe Dragashi, që ka vendosur t’i shpenzojë 20 mijë euro për blerje të gjeneratorit.

Ndërsa Komuna e Mitrovicës Jugore do të shpenzojë 10 mijë e 500 euro për t’i pajisur delegatët e kuvendit me laptopë. Në buxhetin e 2018-ës parashihet të ketë rritje të të hyrave nga të ardhurat personale, tatimi në pronë dhe akciza.

Po ashtu do të vazhdojmë të varemi nga doganat në mbushjen e buxhetit, që për vitin e ardhshëm do të duhet t’i mbledhin 67 milionë euro më shumë se në këtë vit, ndërsa ATK-ja 23 milionë më shumë.