Lajm.co

Problematika e vizave të punës në Ballkan

Pritje pa fund! Shumë vetë nga vendet e Ballkanit që duan të punojnë në Gjermani duhet të kalisin durimin derisa të marrin vizën e punës. Ekspertja, Carola Burkert thekson, se ambasadat gjermane ishin të papërgatitura

Deutsche Welle: Në nëntor 2015, qeveria gjermane miratoi “Rregulloren e Ballkanit Perëndimor” – kush kishte ofertë punë mund të vinte në Gjermani me vizë pune, por shumë vetë ankohen ndërkohë për kohën e gjatë të pritjes për vizë – dështon ëndrra e Gjermanisë për shkak të burokracisë?

Carola Burkert: Që nuk fillohet puna kaq shpejt në Gjermani, ka të bëjë edhe me burokracinë, por kjo nuk është arsyeja e vetme. Ajo që vëmë re nga përgjigjet zyrtare të qeverisë gjermane është se në sektorët e vizave, ka kohë shumë të gjata pritjeje, duke filluar që nga kërkesa për orar deri tek data kur mund të paraqesësh kërkesën.

Çfarë vendesh do të veçonit?

Ajo që bie në sy më shumë është Prishtina, me më shumë se një vit kohë pritjeje, Sarajeva me më shumë se një vit, Beogradi 7 muaj, Tirana 6 muaj, kjo ka qenë gjendja në shkurt të 2018-s, në gjysmën e dytë të vitit të kaluar këto afate pritjeje u shtuan. Por nuk duhet të llogarisni vetëm këtë kohë. Por edhe kohën e përpunimit të dokumenteve, pra qëkur si person kam bërë kërkesën për vizë e deri kur ajo miratohet kalon po ashtu mjaft kohë. Për këtë ne nuk kemi të dhëna, vetëm hamendësimin se me një orar kjo çështje nuk përmbyllet. Pra nuk e dimë saktë, se sa kohë kalon nga momenti, po, kam ofertë për punë deri në ditën kur e kam vizën në dorë.

Mund të thuhet se barriera për migrimin për punë nga Ballkani ra vetëm politikisht, por në ambasadat e Ballkanit sundon një realitet tjetër…

Kur u vendos rregullorja, në fund të fundit ajo ishte një këmbim, punë në vend të azilit, sepse u rritën shumë kërkesat për azil. Ideja në Këshillin Federal Gjerman, migrim për punë në Gjermani ishte një novitet në politikën gjermane të migracionit, pra që të ardhurit për të imigruar në Gjermani kishin nevojë vetëm për një ofertë pune. Kjo ishte rregulluar gjithmonë përmes kualifikimit. Por ajo që nuk u mendua ishte rritja e menjëhershme e kërkesave për punë. Nga nëntori i vitit 2015 deri në fund të vitit 2017 u dhanë 120.000 miratime provizore paraprake nga Agjencia e Punës. Sektorët e vizave u përmbytën le të themi. Mendoj se si nga ana e personelit edhe kapacitetet e tjera ambasadat nuk ishin të përgatitura për këtë. Kapacitetet e personelit nuk mjaftojnë. As rritja maksimale që thotë qeveria gjermane në përgjigjet zyrtare nuk e zbut gjendjen.

Në këtë kohë kaq të gjatë pritjeje punëdhënësi mund ta tërheqë ofertën, a keni të dhëna për këtë?

Nuk kemi të dhëna se sa punëdhënës e tërheqin ofertën, për shkak se nuk merret viza, por kjo ndodh, sepse kur punëdhënësi ju kërkon juve tani, për këtë moment, dhe ju nuk mundeni të vini, se nuk keni vizë, atëherë bie oferta dikur, unë si punëdhënës kërkoj një zgjidhje tjetër. Bie edhe miratimi provizor paraprak i Agjencisë së Punës që jepet për gjashtë muaj, sepse koha, siç e thashë për vizën është shumë më e gjatë.

Çfarë janë këto miratime provizore paraprake?

Miratimet provizore paraprake jepeshin deri më 1 nëntor 2017, e këto tregonin realisht se sa e madhe ishte kërkesa për punë nga Ballkani. Kur si punëtor nga vendet e Ballkanit një person kishte një ofertë pune, punëdhënësi, para se ti të kërkoje vizën, shkonte tek Agjencia e Punës dhe merrte një miratim, pra a është në rregull kjo ofertë, nuk ka të preferuar tjetër që e bën këtë punë (ligji që mbron gjermanët nga punëmarrësit e vendeve të treta. shën red.), po ashtu kontrata e punës plotëson kriteret. Me këtë miratim shkoje dhe kërkoje vizë tek ambasada.

Por tani ka një ndryshim në procedurat e marrjes së këtij miratimi provizor. Ku konsiston ky ndryshim?

Ka një kthesë në këtë pikë. Tani kur ju keni një ofertë pune, hapi i dytë që bëni është të shkoni dhe aplikoni për vizë, për kujtesë, ke kohë pritjeje për dorëzimin e dokumenteve, kohë të përpunimit të dokumenteve e të tjera. E tanimë është sektori i vizës që e merr miratimin provizor për ju tek Agjencia e Punës përmes një procedure të brendshme mes autoriteteve.

Ky ndryshim u bë për të lehtësuar rregulloret e për të shkurtuar kohën?

Zyrtarisht arsyetimi ishte se skadojnë shumë miratime provizore paraprake, sepse Agjencia e Punës jep miratime që në fund nuk konkludojnë me vizë, sepse sektorët e vizave nuk arrijnë dot t’u bien pas kërkesave të shumta. Miratimi duhej të lëshohej sërish, pra kishte shumë burokraci për Agjencinë e Punës. Nga aspekti studimor, ne e kritikojmë këtë, sepse mungon transparenca. Ne nuk e dimë më tani se sa njerëz e marrin këtë miratim, dhe vetëm ata që kalojnë vrimën e gjilpërës, sektorin e vizës, mund të shpresojnë për një miratim (nga Agjencia e Punës, shën.red.) Nuk shohim më sa kërkesa ka.

E shikoni problematikën vetëm tek sektori i vizave?

Nuk janë problem vetëm sektorët e vizave, ne dimë pak për to, dhe shifra disponojmë pak, por dimë për problemet që kanë ato me mungesë personeli, që ndërtesat janë shfrytëzuar maksimalisht dhe janë në plan shtesa. Por duhet thënë se ka edhe vonesa për probleme dokumentesh, certifikata lindjeje, certifikata të vërtetuara të profesionit, kur kërkohet një profesion me specializim dhe diploma e barasvlefshme, derisa të merren të gjitha këto, kalon kohë, edhe kjo është po ashtu arsye për vonesat.

Çfarë mund t’u këshilloni aplikuesve?

Përgatituni që më parë sa më mirë të jetë e mundur, pra ajo që kërkohet nga ju të sillet në formën më korrekte të mundshme.

A mund të ndihmojë punëdhënësi i ri në këtë proces?

Nuk kemi të dhëna studimore për këtë, por nga ajo çfarë kam ndjekur, punëdhënësit thonë, se nuk është e mundur që për shkak të kësaj vrime gjilpëre, sektor vize të mos marrim fuqinë punëtore, për të cilën kemi nevojë. Dua të përmend edhe se sektorët e vizave me gjasë ndjekin prioritetet e tyre në dhënien e vizave, ka forma të ndryshme të migrimit për punë, ka tërheqje të familjes, dhe unë kur kam vetëm resurce të caktuara, duhet të seleksionoj. Prandaj vizat nuk janë njësoj viza. Ky mund të jetë edhe një shpjegim pse ka kohë të tejzgjatura të procedurës për viza. Kështu nëse pyesni si drejtohet migrimi për punë, në fund të fundit ai komandohet përmes politikës së vizave.

/Dr. Carola Burkert, sociologe, është eksperte për migrimin në Institutin Gjerman për Tregun e Punës dhe Studimin e Profesionit, (IAB)në Nuremberg.

“Kur të bëhem kryeministër, do ta shihni se kush është Ramushi”

Aktivisti i hershëm i LKÇK-së (Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës) dhe zyrtari, tash i Lëvizjes për Bashkim, Shukri Klinaku, përmes një shkrimi ka përkujtuar momentet e krijimit të koalicionit ndërmjet kësaj ish-lëvizjeje dhe AQK-së (Aleancës Qytetare e Kosovës) që i parapriu krijimit të partisë Aleanca për Ardhmëri të Kosovë që udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj

Klinaku në këtë shkrim përkujton dëshirën e shprehur me lot të Haradinajt që në vitin 2000 për të zënë vendin e të parit në Qeverinë e Kosovës.

Haradinaj, sipas Klinakut, atëherë kishte thënë: “Unë du me u ba një herë kryeministër. E kur të bëhem kryeministër, do ta shihni se kush është Ramushi”.

“Po sot, Ramush! A je kryeministër? Pse nuk e ndalon korrupsionin?”, pyet autori në këtë shkrim që po e japim të plotë:

1. Në pranverën e vitit 2000 filluam bisedimet për krijim të – ti thoshe të partisë, ne thoshim të koalicionit – AAK. U desh që me Sabit Gashin (kryetarin e LKÇK-së) të ta ndërtojmë, vetëm në letër, partinë tënde – AQK-në (Aleanca Qytetare e Kosovës) – që të bëheshe i aftë të hyje në koalicion me LKÇK-në. Pastaj filluam ta ndërtojmë koalicionin – për ty e disa përreth teje, partinë – AAK. AAK-ja u ndërtua mbi 30 degët e LKÇK-së, se sa për disa njerëz që kishe pas vetes, as deri në Gjakovë nuk do të dilte emri i dashur për ty – AAK. Madje edhe në Deçan LKÇK-ja kishte një degë solide. Ti dhe 3-4 njerëz rreth teje shpejtë filluat të shkelni statutin e koalicionit, sipas të cilit, ndër të tjera, kryetari kishte mandat 6 mujor, dhe nxorët qëllimin e vërtetë që koalicioni të “shndërrohej” në parti, ku kryetari do të bëhej i përhershëm.

2. Pak para se të dilnim nga “koalicioni” të thirrëm në selinë e LKÇK-së (aty ku sot është selia e LB-së). Ishte mbrëmje e errët dimri (dhjetor 2000), madje edhe pa rrymë. Në seli ishim vetëm 4, ne tre (Sabit Gashi, Fatmir Humolli, unë) dhe ti. Ishim të ulur përreth tavolinës së rrumbullakët. Sabit Gashi filloj duke i kujtuar disa nga shtyllat e idealit për të cilat kishim luftuar. Sabit Gashi i kujtoi aty disa emra të dëshmorëve, përfshirë edhe dy vëllezërit e tu. Pastaj, Sabit Gashi vazhdoi t’i përmend disa nga veprimet e tua të atij 6 mujori, e të cilat, sipas nesh, binin ndesh me ato të parat. Pas kësaj, radhën e kishe ti. A të kujtohet Ramush, çka bëre dhe çka the ti? Në fillim qave Ramush! Po nuk qave pak, qave shumë! Jo si “dy lotët” metaforik, por dhjetëra lot të vërtetë lagën tavolinën. Kur u ngope vaj, u përpive dhe the: “Ju keni të drejt! Krejt ashtu është! Por, unë du me u ba një herë kryeministër. E kur të bëhem kryeministër, do ta shihni se kush është Ramushi”! Le të përfundoj këtu kujtimi, se edhe ashtu, takimi ishte i shkurtë.

3. Po sot Ramush! A je kryeministër? Pse nuk e ndalon korrupsionin? A e di se ndalja e korrupsionit është kusht për përparimin e Kosovës, e ndriçon edhe demarkacionin, edhe asociacionin, edhe dialogun? Vetëm një rrugë ke, nëse do ta tregosh veten kryeministër! Krijo program dhe ndërmerr aksion të gjerë kundër korrupsionit. Në fillim anulo vendimin për rritjen e pagave, largo të gjithë zëvendësministrat dhe disa ministra dhe grumbullo njerëzit e dijshëm dhe të pa korruptuar rreth vetes! – Po, por më prishet partia, thua ti. Po le të prishet o Ramush, se nuk të vlen gjë ajo parti që nuk të përkrahë për përparimin e Kosovës. – Po, vazhdon ti, edhe me vendos që mos me ruajt partinë, me punu drejt, ma prishë qeverinë PDK-ja. Po le ta prishë, o Ramush, se nuk të vlen gjë qeveria që miraton demarkacion jo transparent, që bën dhe lejon korrupsion, që bën dialog jo transparent. Ti, tri vjetët në vijim mund t’i përdorësh që të përmendesh edhe 30 të tjera, si njeriu që shënoi epokën dhe filloi erën e Kosovës pa korrupsion dhe zgjidhjen e mbarë për të gjitha problemet. Vetëm kështu do të bëheshe kryeministër. Se, me qeverisjen e këtij viti që shkoj, për mua nuk je kryeministër.

E di, se kjo punë nuk bëhet duke thënë; por më fal, se nuk munda pa të thënë.

Mallkuar qoftë ai integrim, që blihet duke dhënë territore

Dikush në Moskë është bashkuar me dikë në Bruksel dhe kërkojnë të shpërthejnë Ballkanin

Shkruan Shaban Murati

Një anëtar i qeverisë së Kosovës më shkruante këto ditë lidhur me ecurinë e bisedimeve përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës se dikush në Bruksel i ka kërkuar Prishtinës të pranojë ndryshime të karakterit të brendshëm të Kosovës në parime territoriale dhe se Kosova nuk duhet të vendosë vija të kuqe në këto bisedime.

Mesazhi diplomatik i dikujt në Bruksel është i qartë dhe kërkon që Kosova të cedojë në sovranitetin, në integritetin territorial dhe në pavarësinë e vet.

Ka një situate alarmante, ku përfaqësues të veçantë të diplomacisë europiane po kërkojnë të devijojnë objektivin kryesor të bisedimeve përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i cili është dhe duhet të jetë njohja reciproke e dy shteteve fqinj.

Ky është çelsi i zgjidhjes dhe i normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve fqinj. Çuditërisht, dikush në Bruksel e quan këtë kërkesë logjike “vijë e kuqe” dhe nuk e pëlqen si zgjidhje. Nuk e pëlqen, sepse dikush në Bruksel kërkon ta mbajë të pazgjidhur konfliktin Kosovë-Serbi. Nuk është vetëm interesi i vjetër i një pjese të diplomacisë europiane për të shpërblyer Serbinë në ambicjet e saj hegjemoniste në kurriz të territoreve shqiptare. Është diçka më shumë dhe konturohet si një implikim i përbashkët i disa qarqeve filoserbe në BE sëbashku me Rusinë.

Dikush në Moskë është bashkuar me dikë në Bruksel dhe kërkojnë të shpërthejnë Ballkanin. E thënë shkurt, në Bruksel po vërtitet Konferenca e Londrës e vitit 1913, për një ricoptim të ri të territoreve shqiptare dhe konkretisht të Kosovës.

Ku është Shqipëria dhe përse nuk ndihet zëri i saj në një situatë të tillë inkandeshente diplomatike?
Si mund të rrijë indiferente Shqipëria ndaj asaj, që po i kërcënohet Kosovës, e cila është pjesë e trupit, e gjakut dhe e zemrës së kombit?

Në kohën e Konferencës së Londrës të vitit 1913 shqiptarët anembanë botës, nga Shqipëria në Amerikë, nga Anglia e Franca deri në Ballkan, u mobilizuan me protesta dhe peticione drejtuar Konferencës dhe fuqive të mëdha për të shprehur qendrimin e vendosur kundër coptimit të territoreve shqiptare.

Si nuk flet sot Shqipëria, që është anëtare e NATO-s, dhe të shpallë vijën e kuqe të mbrojtjes së pavarësisë së shtetit të Kosovës, të cilën e ka sanksionuar ndërkombëtarisht dhe ligjërisht Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 korrik 2010 dhe e kanë njohur 116 shtete të botës?

Si nuk ka protesta as zyrtare e as publike nga Shqipëria në Bruksel në mbrojtje të integritetit dhe pavarësisë së Kosovës?

Si nuk ka protesta nga shqiptarët në Amerikë dhe në Europë për të dëshmuar mbrojtjen e Kosovës?
A është ndërgjegja kombëtare tani më e ulët se në vitin 1913 apo opiumi i integrimit u ka hequr shqiptarëve të menduarit kombëtar dhe njerëzor?

Mallkuar qoftë ai integrim, që blihet me territore tokësore dhe detare shqiptare!

Përfshirja e Luginës në dialog “zvogëlon ambiciet e Serbisë rreth Asociacionit”

Analisti politik, Shkëlzen Maliqi, ka vlerësuar se partitë opozitare duhet ta mbështesin fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë, në vend se të marrin masa penguese kundër saj, të cilat, sipas tij, nuk çojnë askund

Ai ka thënë për “Epoka e re” se Lidhja Demokratike e Kosovës do të bënte mirë nëse do ta ndihmonte dialogun, duke u dëshmuar si parti institucionaliste. Maliqi ka shtuar se përfshirja e Luginës së Preshevës në dialog mund të jetë kushtëzim i Kosovës, që t’i zvogëlojë ambiciet e Serbisë rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në këtë kontekst, ai ka theksuar se Beogradi nuk mund të kërkojë autonomi për Asociacionin, nëse nuk u jep shqiptarëve të Luginës të drejta dhe status të njëjtë. Maliqi ka folur edhe për jetëgjatësinë e koalicionit qeverisës të vendit. Ai ka thënë se kjo qeveri e ka gjetur modusin e mbijetesës, pasi opozita nuk po mund t’i mbledhë votat për mocion të mosbesimit.

Vdes regjisori kosovar Bekim Lumi

Ka vdekur regjisori i njohur kosovar Bekim Lumi

Lajmin e ka konfirmuar në rrjetin social edhe dramaturgu kosovar, Jeton Neziraj. “Rest In Peace, Bekim Lumi”, ka shkruar ai.

Regjisori dhe profesori i njohur i Fakultetit të Arteve në Prishtinë, Bekim Lumi, që prej dy vitesh po përballej me një sëmundje të rëndë.

Përmes këtij projektligji, synohet kontrollimi i figurave të shtetit!

Nëntë deputetë kanë dhënë nënshkrimet e tyre, që Kuvendi i Kosovës të hartojë një ligj, për pastërtinë e “Figurës së Zyrtarëve të Lartë në Institucione Publike”

Drafti i këtij dokumenti tashmë është hartuara, ndërsa një ekzemplar të tij e ka siguruar edhe Klan Kosova.Aty tregohen detajet se çka përfshin ky projektligj. Sipas këtij dokumenti verifikimit duhet ti nënshtrohen të gjithë ata që kanë lindur para vitit 1982, ndërsa vlerësim pozitiv nuk u lëshohet atyre që kanë punuar në ish sistemin komunist.

Ta bëjmë Evropën sërish të madhe

Vetëpërmbajtja është një virtyt europian. Por vini re: Sot bota e ka humbur ekuilibrin, të paktën matur me standartet e 30 viteve të fundit, aleatët përcaktohen si armiq, gjithkush e shkruan diversifikimin me gërma të mëdha, e në botë rri pezull një ndjesi pasigurie

Nga Radu Magdin

Në Bruksel e kryeqytete të tjera europiane flitet gjithnjë e më shumë për kompetencat e zgjeruara europiane dhe sovranitetin. Rrallë ka pasur provokime të tilla kundrejt projektit europian me inkurajimin që Donald Trump i dha daljes nga BE dhe paralajmërimit të Steve Bannon, se do të themelojë një fondacion në Europë, nga ku shpreson shpërndarjen e populizmit.

“Make Europe great again”

Për europianët dhe politikanët e BE ka ardhur koha të ndihmojnë Europën të kujtojë madhështinë e saj -“Make Europa great again”. Ata duhet ta rimarrin kontinentin, para se ta bëjë Steve Bannon. Partitë kryesore politike, partitë popullore konservatore, ato socialdemokrate europiane dhe aleanca e liberalëve dhe demokratëve ndodhen para zgjedhjeve në maj 2019.

Europa duhet të pozicionohet qartë: Jemi mbrojtës apo reformues të rendit botëror që kërcënohet nga Trump, Putin dhe vende të tjera? Fjalët e shkrimtarit Giuseppe Tomasi di Lampedusa nga romani “Leopardi” janë të qarta: “Nëse duam që gjërat të mbesin siç janë, kemi nevojë për ndryshime.” Pra, reformat janë të domosdoshme.

Aktorët kryesorë të politikës botërore duhet të rifreskojnë aftësitë e tyre të drejtimit të narrativit europian. Për këtë kemi nevojë për një strategji të përgjithshme, që mbështetet në principe. Rindërtim, riinterpretim dhe riformulim. Kjo kërkon fantazi dhe guxim, një strategji të zgjuar për të reduktuar suksesin e përfaqësuesve nga periferitë e spektrit politik.

Rindërtimi: Duhet një marrëveshje e re shoqërore

Partitë europiane duhet të kuptojnë, se marrëveshja aktuale shoqërore dhe modeli shoqëror duhet të verifikohen. Këto rinovime duhet të kalojnë në masa të politikës. Duhet të pyesim veten se si i kuptojnë demokracitë tona reagimet e qytetarëve. Votuesit janë të pakënaqur me shpërndarjen e përfitimeve të globalizmit dhe rënien e rrjetit të sigurisë nën kushtet e internacionalizimit dhe lëvizjes së lirë të kapitalit.

Pabarazia nuk është fjalë boshe, por realitet. Kush e injoron atë në nivelin politik, do të paguajë një çmim të lartë. Hapi i parë dhe kryesor për rindërtimin e “politikës mainstream”, të partive kryesore është t’u vihet kufiri mekanizmave të neoliberalizmit dhe të gjendet një ekuilibër funksional mes fuqive të tregut dhe shoqërisë. Temat që prekin njerëzit duhet të shqiptohen: Si mund t’ia dalim që globalizimi të funksionojë për të gjithë? Si mundet që një politikë më e mirë migrimi të zbusë frikën ekonomike dhe kulturore të njerëzve? Kemi nevojë për një kontratë të re shoqërore. Refreni “një Europë që mbron” mund të funksionojë, po të mendojmë, se sulmet ndaj periferive të spektrit politik janë strategjia më e mirë. Të mos bësh asgjë do të thotë që t’ua lësh populistëve “fortesën” Europë.

Riinterpretimi: “Popullor” pa qenë populist

Bëhet fjalë t’ua shkulësh dhëmbin përgjigjeve të thjeshta të partive radikale për problemet e sotme kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka shumë pak dallime mes të majtëve dhe të djathtëve të konsoliduar. Konkurrenca politike ofron shumë pak hapësirë, partitë e konsoliduara nuk ia dalin të bëjnë për vete me narrativin e tyre njerëzit. Politika e ka lënë hapësirën publike dhe është fshehur pas dyerve. Ajo është teknike, pa frymëzim, e ftohtë.

Një nga leksionet më të rëndësishme të dy dekadave të fundit: Politika duhet të rifitojë rëndësinë në sytë e qytetarëve. Kjo mund të bëhet, vetëm nëse partitë popullore e lënë zonën e rehatisë të dikurshme dhe sjellin vizione që i bëjnë qartësisht të dallueshme nga partitë e tjera. Kemi nevojë për një politikë që të mbështetet në masë të madhe në parime dhe vlera. Nuk është e thjeshtë të ripolitizosh temat që u jepen ekspertëve, dhe në të njëjtën kohë të kujdesesh që të mos e prishësh konsesusin minimal që kemi nevojë si shoqëri demokratike. Nëse kjo strategji funksionon, partitë populiste dhe nacionaliste do mund të izolohen, dhe vëmendja e qytetarëve do të drejtohet tek një qendër e re. Qëllimi i partive të konsoliduara duhet të jetë të bëhen “popullore” pa qenë populiste.

Riformulimi: Fjalë të reja, emocione e histori të reja

Një politikë e re nuk është e plotë pa një gjuhë të re, një fjalor të ri. Duhet të tregojmë kujdes se si funksionon truri politik, sa të rëndësishme janë emocionet, mitet, historitë. Më shumë se kurrë nevojitet një akt ekuilibrues: Ne duhet të themi, se sa komplekse është bota, ku jetojmë sot, (dhe të sjellim narrativin e komplikuar dhe mënyra të reja trajtimi), por në të njëjtën kohë duhet të ruajmë parimin e vjetër KISS- Keep it short and simple -mbaje shkurt dhe thjesht.

Ky ekuilibër i ri është i mundshëm vetëm me përbërës të tjerë të rëndësishëm – emocionet, empatinë, guximin, përgjegjësinë.

Për të qenë spikatës dhe të tejkalojmë marshimin e populizmit dhe nacionalizmit, duhet që politika e “mainstream” e partive kryesore të kombinojë në harmoni substancën me imazhin dhe stilin. Shumë do ta mbyllnin me gjetjen e zgjidhjeve politike për probleme, që kanë çuar në tensione dhe trazira tek votuesit. Por kjo nuk mjafton. Nëse joshja dhe shpresa nuk bëhen pjesë e recetës (kësaj ia doli Emmanuel Macron), do të fitojë politika e frikës. Me siguri ka edhe një rrugë tjetër që të rigjallërohet marrëdhënia mes politikës së konsoliduar dhe votuesve. Zgjedhjet për Europën do të jenë në këtë kuptim një fushëbetejë qendrore. Partitë popullore europiane, EVP, SPE, ALDE duhet të qartësojnë vetveten nëse duan të mbeten parti drejtuese në Europë.

Radu Magdin është një analist rumun dhe këshilltar politik. Ndër të tjera ai ka këshilluar kryeministrin rumun në vitet 2014-2015, dhe atë moldav në vitet 2016-2017. Nga viti 2007 deri në vitin 2012 ai punoi në Bruksel për Parlamentin Europian, EurActiv dhe Google.(DW)

Lufta dhe paqja midis monedhave

Teksa BE po përpiqet të dalë nga recesioni, dhe eurozona rrezikon të shkatërrohet, ia vlen një shyqrtim i shpejtë i krizës ekonomike në perspektivën e saj historike. Lufta midis monedhave, duket të jetë në fakt efekti i një lufte ndërmjet fuqive, në një sistem ku është e vështirë të rregullohet tregtia, dhe ku bashkimet monetare duket të destinuara të dështojnë

Nga Max Trimurti

Koncepti i luftës midis monedhave, është huazuar nga ai e luftës ekonomike. Napoleoni e eksperimentoi i pari luftën ekonomike, me pak sukses, kundër Mbretërisë së Bashkuar përmes bllokadës kontinentale të vendosur nëpërmjet Dekretit të Berlinit të vitit 1806. Konfliktet e shekullit XX-të e shndërruan atë në një përpjekje sistemike, duke mobilizuar nën autoritetin e shtetit, ekonominë dhe shoqërinë në shërbim të përpjekjeve të luftës.

Në kohë paqeje, lufta ekonomike synon të përmbysë, në tregtinë ndërkombëtare, peshoren në lojërat e pushtetit dhe në rivalitetet ndërmjet shteteve. Parashikimi i bërë në vitin 1849 nga shkrimtari francez Viktor Hugo është i vlefshëm:”Do të vijë një ditë, kur nuk do të ketë fusha të tjera beteje, përveç tregjeve që hapen për tregtinë”.

Në praktikë, lufta ekonomike, për të parafrazuar formulimin e Karl von Klauzeviç, është vazhdimi i operacioneve ushtarake me mjete të tjera, dhe rezulton në ndërhyrjen e shteteve në tregjet botërore në mënyrë që të shtrembërojnë në favor të tyre konkurrencën, për të kapur aktivitetet punët, investimet dhe talentet.

Paraja, është instrumenti më i fuqishëm dhe më efektiv i politikës ekonomike. Ajo përfshin të gjithë aktorët ekonomikë në një kohë shumë të shkurtër. Kjo është arsyeja e përpjekjeve të pushtetit politik për të manipuluar monedhën, veçanërisht në kohën e krizave ekonomike dhe financiare:të gjitha krizat e mëdha, janë shoqëruar me tensione në tregun e këmbimeve valutore.

Ari apo argjendi, gara mes dy metaleve të çmuara

Të dy metalet, kanë bashkëjetuar gjatë si një standard monetar referimi. Ari, më i rrallë dhe i shtrenjtë, shpesh ishte i rezervuar për transaksionet e rëndësishme, ndërsa argjendi ishte në përdorim të zakonshëm. Kursi relativ i arit dhe argjendit, praktikisht i qëndrueshëm gjatë gjysmës së parë të shekullit XIX, nisi të luhatet fuqishëm me zbulimin e depozitave të reja. Zbulimet e depozitave të arit në Kaliforni (1848) dhe Australi (1851), çuan në një rënie të vlerës së metaleve të çmuara.

Më pas, hyrja në shërbim e minierave argjendi të Nevadës në SHBA, shkaktoi një rënie dramatike të çmimeve. Mosmarrëveshja mbi përdorimin e dy metaleve, përveç stabilitetit monetar, u shoqërua me rivalitetin e fuqive të mëdha dhe tregjeve financiare.

Ëndrra e bashkimit monetar

I krijuar në vitin 1865 dhe i përbërë nga Franca, Zvicra, Belgjika, Luksemburgu, Italia dhe Greqia që nga viti 1868, Union Monetar Latin, ishte një bashkim monetar i promovuar nga Napoleoni III dhe ministri i tij Feliks Esikru de Pario. Ky Union synonte të kundërshtonte epërsinë e Mbretërisë së Bashkuar në tregti, dhe të zhdukte dominimin e paundit britanik.

Ai ndoqi në thelb ndoqi katër objektiva:stabilizimin e vlerës së arit dhe argjendit; zhvillimin e tregtisë ndërkombëtare, e lehtësuar nga lëvizja e lirë e parasë brenda unionit; konsolidimin e begatisë dhe paqes në Evropë; dhe evolucionin drejt një monedhe universale.

Por refuzimi i Britanisë së Madhe, që synonte të favorizonte monopolin e qendrës financiare të Londrës, por mbi të gjitha, disfata franceze e Sedanit kundër Prusisë më 1870, do t’i japte de fakto fund projektit të monedhës universale. Unioni Monetar Latin, mbijetoi zyrtarisht deri në vitin 1927.

Vitet 1930: Tërheqje në zonat monetare

Kriza e viteve 1930, mbetet shembulli më i mirë dhe më tragjik i luftës ekonomike dhe monetare si një laborator i një lufte botërore. Katastrofa ekonomike luhet në tre akte.Akti i parë:si rezultati i rënies së bursave në SHBA më 24 tetor 1929, Banka Federale (FED) rrit normat e interesit, duke shkaktuar një falimentim banker zinxhir, dhe një recesion të dhunshëm.

Akti i dytë:Përgjigjja e qeverisë amerikane, vjen me përdorimin e proteksionizmit me Aktin e Tarifës Smut-Houlej, që rrit detyrimet doganore mbi thuajse të gjitha produktet industriale. Akti i tretë:zhvlerësimi i sforcuar i paundit britanik, dhe këmbyeshmërisë së tij në ar, e eksportoi recesionin në Europë.

Dështimi i Konferencës së Londrës (1933), çoi në zhvlerësimin e dollarit (1934) dhe pastaj në garën për zhvlerësimet konkurruese të monedhave dhe proteksionizmin. Këmnëngulja e Francës në mbrojtjen e standartit të arit si pikë reference, shkakton braktisjen e konferencës nga presidenti amerikan Frenklin Ruzvelt, i cili theksoi se “shëndeti ekonomik i një kombi, përbën faktorin më të madh të mirëqenies së tij, dhe jo vlera e monedhës, në raport me shkëmbimin e saj në vendet e tjera’.

Breton Uds ose “paqja e dollarit”

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, u themeluan institucionet e Breton Uds (1944), për të parandaluar shpërhtimin e ndonjë deflacioni të madh, të krahasueshëm me atë të viteve 1930. Baza e marrëveshjeve, u përqendrua në një kthim në një sistem të kurseve fikse të këmbimit, baza e së cilës këtë here sigurohej nga dollari, monedha e vetmja e konvertueshme në ar.

Por sistemi Breton Uds, ra viktimë e një asimetrie themelore, pasi bazohej tek dollari, i cili nuk i nënshtrohej ndonjë disipline apo kufizimi. Ai u minua edhe nga borxhi i jashtëm dhe rritja e inflacionit në SHBA, çka e detyroi presidentin Riçard Nikson të pezullojë këmbyeshmërinë e dollarit në ar në vitin 1971.

Lindja e euros

Origjina e euros rrjedh nga konvergjenca e tre ngjarjeve:krijimi i Tregut të Përbashkët Europian, në vitin 1957, kolapsi i sistemit Breton Uds; dhe rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989, e cila justifikoi një ringjallje të Bashkimit Europian për të kundërpeshuar ribashkimin gjerman.

Traktati i Mastrihtit (1992), krijoi një bashkim ekonomik dhe monetar, që cili megjithatë u karakterizua menjëherë nga një zhbalancim themelor. Ai nuk pati një lidhje të ngushtë dhe harmonizim ndërmjet sistemeve të prodhimit, të karakterizuara nga produktivitete të ndryshme, dhe mbi të gjitha pa një solidaritet financiar.

Euro, e lindur në euforinë e ekonomisë së flluskave spekullative, dhe e shtrirë progresivisht në 17 vende të BE-së, përjetoi një dekadë të parë të një suksesi të dukshëm. Por fasada e stabilitetit, kishte maskuar luhatjet që vazhduan të rriten, derisa shpërthyen në vitin 2010.

Kush është përgjegjës për luftën e re midis monedhave?

Në tre dekada, globalizimi ka shkaktuar zhvendosjen e qendrës së gravitetit të kapitalizmit drejt vendeve në zhvillim, të cilat sot garantojnë 52 përqind të prodhimit industrial, përbëjnë 48 përqind të eksporteve, dhe zotërojnë 80 përqind të rezervave valutore botërore.

Monedha ka qenë në qendër të pabarazive, që çoi në krizën e madhe financiate që nisi në vitin 2007. Kina ka luajur një rol në krizë, duke ruajtur mos-konvertueshmërinë e juanit, dhe duke pasur një kontroll të fortë mbi këmbimin valutor, pavarësisht anëtarësimit të saj në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001.

Vendet kryesore në zhvillim, veçanërisht ato aziatike të goditura nga kriza e fundit të viteve 1990, kanë menaxhuar në të njëjtën formë monedhat e tyre, në mënyrë që të favorizojnë dinamizmin e eksporteve të tyre. Kështu, zhvlerësimi i monedhave të vendeve të mëdha në zhvillim (Kina, India, Brazili, Rusia, Argjentina), dhe mbiçmimi i monedhave të vendeve të zhvilluara, inkurajon një konfigurim të paqëndrueshëm, në të cilën shumica e vendeve kryesore të zhvilluara (SHBA, Britani të Madhe, Francë, Spanjë, Itali) zhyten në borxhe për konsumin e produkteve të importuara, ndërkohë që vendet në zhvillim dhe Gjermania për të investuar dhe për të shpëtuar eksportet në vendet, që financojnë defiçitin e jashtëm me tepricën e tyre të bilancit tregtar.

Rusia tregon ‘dhëmbët’ me avionë e anije lufte…

Një shfaqje e detajuar detare me dhjetëra anije dhe avionë luftarakë është organizuar në Krime, katër vjet pasi gadishulli është aneksuar nga Rusia

Disa anije luftarake dhe nëndetëse u shfaqën në portin e Sevastapol, pasi flota e Vladimir Putinit bëri “tregime” të forcës duke hedhur raketa në det.

Fotografitë nga parada vjetore të Ditës së Marinës treguan ushtarë dhe detarë që dhe dosje dhe dhjetëra anije që lundronin në një vijë për të shënuar rastin.

Krimea u aneksua nga Rusia në vitin 2014 pas revolucionit ukrainas, i cili pa presidentin Viktor Janukoviç të rrëzohej pas ideve të tij anti-BE.

Beogradi shkon me tanke në manovrat ruse së bashku me armiqtë e Perëndimit

Beogradi ka sfiduar sërish Bashkimin Eruopian, ku pret të bëhet anëtar pas dy vjetësh, e gjithashtu edhe NATO-n, e cila ka shpallur strategjinë për t’ju afruar Serbisë

Tanket serbë do të marrin pjesë në një manovër të madhe që do të zhvillohet afër Moskës, e ku do jenë të pranishëm kundërshtarët gjeostrategjikë të Paktit të Atlantikut Verior, pra Perëndimit, Rusia dhe Irani.

Portali i Kremlinit, Sputnik, jo pa qëllim ka vendosur kryeartikull shkrimin që e titullon: “Tankistët serbë, në një front me Rusinë dhe Iranin”.

Nesër pasdite, një njësi tankiste niset për të marrë pjesë në manovrën “Albino”, prezente dhe 6 vende përveç Rusisë. Ekipi i Ushtrisë Serbe merr pjesë për herë të pestë në Bitalionin e Tankeve dhe ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me vitet e kaluara.

Njësia serbe do të zhvillojë manovër me një tank T-72B3, i cili është për herë të parë i kuq. Në grupin me Serbinë janë Rusia dhe Irani.

“Në katër ekipe serbe, vetëm dy ushtarë morën pjesë në stërvitje pasi të gjithë janë oficerë. Gjatë përgatitjeve të kryera në poligone në Serbi, u zbatua përvoja e fituar nga pjesëmarrjet e mëparshme”.
“Rusia do të jetë pengesa e sigurt e hasur për herë të parë”, thotë Majori Rade Adamoviç për Sputnik.

Në vitin 2015 serbët arritën të fitonin në manovrat ruse që zhvillohen si një lloj gare, por që në fakt atje nuk bëhet gjë tjetër veçse proklamohen tanket e prodhimit rus.

“Albino” është një lloj panairi i madh i armëve të rënda dhe të blinduara dhe në të marrin pjesë përfaqësues të qeverive të vendeve të Gjirit Arabik si dhe shteteve të tjera afrikane e aziatike, të interesuara për të blerë tanket ruse. “Ne synojmë të dalim në gjysmëfinale. Tanket e ushtrisë serbe janë modeste”, thekson majori Adamoviç.

Tankistët serbë theksojnë se kjo është një përvojë e madhe për ta dhe një mundësi për të kontrolluar vendin e tyre në lidhje me tanket e vendeve të tjera, mbi të gjitha, atyre të Fuqive të mëdha.

Rusia është kampioni absolut i të gjitha manovrave që janë zhvilluar. “Përveç rusëve, fituesit tradicionalë janë kinezët, , kazakët dhe bjellorusët, por as India apo Ajzerbaxhani nuk duhet lënë pas dore”, thotë majori. /tesheshi.com/