Lajm.co

A do ta hetojë Arta Marku, Sali Berishën?

Arta Marku është e re në atë zyrë dhe si e tillë, para se të shfletojë dosjen e “21 Janarit”, po i përmbledh qëndrimet publike të Sali Berishës që e bëjnë atë fajtor për vrasjet, për prishjen e provave dhe për pengimin e drejtësisë. Nuk po flas për gjëra që janë në dosje shërbimesh apo hetime prokurorësh. Po jap detaje nga qëndrimi i tij publik, të cilat i kam përsëritur disa herë. Qëndrimi i tij publik, provon të tria veprat penale, edhe vrasjen, edhe fshehjen e provave dhe pengimin e drejtësisë – shkruan Mero Baze, i cili ka publikuar një kronologji të deklarimeve të Berishës në 21 janar

Më 21 janar në orën 19.30 minuta, Sali Berisha doli para shtypit, i bindur se do t’ia arrinte të fajësonte për vrasjen e tre qytetarëve, opozitën. Ai tha:

“Në këto përleshje kanë humbur jetën tre qytetarë, janë plagosur dhjetëra policë dhe demonstrues. Përgjegjësia e plotë totale për të gjitha këto bie mbi organizatorët e skenarit “tunizian”, mbi pinjollët e “benalive” shqiptarë. Duke ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave, theksoj se të dhënat paraprake flasin se secili prej tyre është qëlluar nga afër me armë pistoleta të lehta, të cilat nuk gjenden në armatimin e Policisë së Shtetit dhe as të Gardës së Republikës. Duke theksuar këtë, i kërkoj Prokurorisë të zbardhë sa më shpejt të vërtetën e këtyre jetëve të humbura.”

Më poshtë ai tentoi të japë dhe prova se vetë qytetarët ishin bindur se vrasjet i bëri opozita. Ishte interesante, por ai foli në orën 19:30 për një ngjarje që kishte ndodhur rreth orës 19:15 minuta në Spitalin Ushtarak, ku një grua nga Tropoja i është hakërryer Preç Zogajt, pse i ishte plagosur vëllai polic me gurë në demonstratë. Aq “online” ishte Berisha për të prodhuar një akt të tillë, sa doli para medieve dhe e shtrembëroi ngjarjen duke zëvendësuar gruan nga Tropoja, që doli që nuk kishte as vëlla polic, me “motrën” e Aleks Nikës, plagosur, që më vonë humbi jetën. Ja çfarë ka thënë po më 19:30:

“Opozita organizoi një skenar puçist, e paralajmëroi atë, organizoi skenarin tunizian. Përgjigje opozitës i dhanë familjarët e njërit prej viktimave, i nxorën jashtë ata: “Dil jashtë kriminel, na vrave vëllanë”. Të dhënat paraprake të ekspertëve dhe të mjekëve të reanimacionit janë se ata janë gjuajtur nga afër me armë të lehta…..Përshëndes, ndonëse në fatkeqësi, familjarin e njërit prej këtyre viktimave, i cili do t’i thoshte në Spitalin Ushtarak njërit prej këtyre drejtuesve kryesorë të kësaj dhune: “Largohu kriminel, na vrave vëllanë”, dhe në prani të personelit do ta nxirrte jashtë nga dhoma. Motra e shkretë, megjithëse kishte në gjendje shumë të rëndë vëllain, por që nuk kishte humbur arsyen, i dha atë që meritonte këtij shoku.”

Nga ana tjetër, i sigurt që gazetarët nuk kishin filmuar vrasjet, ai sulmoi publikisht në konferencë një gazetar, i cili ishte plagosur, duke i shpuar plumbi dorën në krah të Hekuran Dedës, që u vra pasi ishte tek vendi ku rrinë gazetarët. Ja çfarë thotë Berisha:

“Mund t’ju bëj një pyetje: Ju që ishit në të katër anët e kësaj situate me kamerat tuaja, pse nuk arritët të filmonit njërin prej tyre. Si nuk arritët ju të filmoni qoftë dhe njërin prej tyre. Çfarë ndodhi me kamerat tuaja? Ju i keni dhënë të gjitha, madje unë dëgjova një telekronist tuajin që tha se më ka marrë plumbi, pastaj doli se nuk e kishte marrë plumbi. Ndjeva keqardhje, por fatmirësisht doli se nuk e kishte marrë plumbi dhe tha se më shtynë.”

Këto janë çfarë ai ka thënë më 21 Janar në orën 19:30, i bindur se do t’i funksiononte skenari, që demonstruesit i vrau opozita. 22 janari u gdhi ndryshe, pasi u publikua në mesnatë, video ku dukeshin qartë ata që vranë dhe ata që u vranë. Skenari i parë i Berishës nuk pinte më ujë. Por ai me të njëjtën vendosmëri nisi betejën e dytë, atë të fshehjes së provave, frikësimit të autorëve të vrasjeve, mbajtjes peng të tyre, mosdorëzimin në prokurori dhe kërcënimin e opozitës, gazetarëve, kryeprokurores dhe presidentit, si “puçistë”.

Në fjalimin e tij në mbledhjen e qeverisë më 23 janar paradite:

“Pas konferencës së shtypit i kam kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të vërë në dispozicion të Prokurorisë të gjithë videon e Kryeministrisë. Kryeministria ka një sistem videosh te vetin, përveç asaj që ka Garda, përveç asaj që vendos policia. Kamerat tuaja ishin të plota. Në këtë kontekst, me bindjen time kishte një material të plotë për të saktësuar se nga erdhën plumbat, si u vra dhe ku u vranë, pra të gjitha rrethanat.”

Sipas kësaj deklarate të bërë në datën 23 janar, i bie që më 21 janar rreth orës 20:00 në mbrëmje, Sali Berisha të ketë thirrur në zyrë Gjergj Lezhjen dhe t’i ketë thënë këto që thotë më sipër, pra që të kontrollojë serverin e Kryeministrisë dhe të nxjerrë andej pamjet filmike dhe t’i vërë në dispozicion të prokurorisë.

Këtë e thoshte më 23 janar. Siç doli më vonë nga ekspertiza amerikane, serveri i Kryeministrisë është fshirë rreth orës 01:00 të natës duke u gdhirë 22 janari. Pra, i bie që Gjergj Lezhja e ka marrë porosinë, ka kontrolluar pamjet filmike, është tmerruar nga ato çfarë ka parë, ka bërë një kopje, ia ka çuar Berishës në zyrë dhe Berisha ka urdhëruar për të fshirë serverin. Djallëzia e Berishës shkon në ekstrem. Ai qëllimisht flet më 23 janar për server të paprishur të Kryeministrisë, që sot të ketë alibi se ai nuk dinte gjë që ishte prishur.

Një vit më pas, kur FBI ka sjellë ekspertizën në Tiranë dhe paraqet si problem faktin se ky server është fshirë natën e 21 janarit, shihet qartë se Berisha çdo hap drejt alibisë së tij e ka bërë me vetëdije. Siç bëjnë vrasësit profesionistë.

Më 22 janar Ina Rama i kishte çuar ministrit të Brendshëm gjashtë urdhër- arreste që përfshinin zinxhirin komandues të Gardës, që nga komandanti deri tek qitësi i dyshuar për vrasës. Ministri i Brendshëm ka refuzuar. Arsyeja sipas tij është se nëse ai dorëzon ata, Garda kapitullon, pasi ushtarët dëshpërohen. Është një arsyetim që të lë pa fjalë. Në logjikën infantile të atij që quhej ministër i Brendshëm, kishte një psikozë lufte. Ai e quante Gardën një repart që duhet të ruante moralin e lartë për të mbrojtur pushtetin e tij. Dhe sipas kësaj logjike, shteti ligjor po u ngatërrohej nëpër këmbë në luftën e tyre me armiqtë.

Kryeprokurorja është detyruar t’ia bëjë më të lehtë duke i thënë se ata thjeshtë do merren në pyetje dhe mund të lihen të lirë. Por asgjë nuk ka funksionuar. Tensioni është rritur dhe ministri i Brendshëm me ligësi i ka kërkuar të shprehej dhe Presidentit, për një gjë flagrante, për një kundërshtim të Kushtetutës. Ai i ka treguar ligjin dhe kjo ishte sikur t’i tregoje burgun.

I vetmi që ka pranuar t’i dëgjojë, ka qenë ambasadori amerikan. Ai ka hyrë në mes të këtij konflikti të pastër ligjor, duke inkurajuar prokuroren për hetime, por dhe duke bindur Berishën se vetë nuk është “pjesë e puçit”.

Për herë të parë në historinë e një shteti ligjor, një kryeministër mori përsipër moszbatimin e urdhrave të kryeprokurores duke u vetëshpallur vetë agresor, vetë gjykatës, vetë prokuror dhe vetë garant i Kushtetutës. Në të vërtetë ky ishte i vetmi element real i grushtit të shtetit atë ditë. Atë e kishte bërë Sali Berisha.

Rezistenca e Berishës për të mos dorëzuar gardistët vazhdoi dhe pasdite, në komunikimin mes Prokurorisë dhe Drejtorisë së Policisë. Më në fund, drejtori Burgaj kishte gjetur zgjidhjen. Urdhër-arrestet kishin “lapsuse të papranueshme”.

Dhe Berisha e gjeti lidhjen mes puçistëve. Meqë Bamir Topi refuzoi të futej në këtë mes, meqë Ina Rama këmbënguli gjithë ditën t’i arrestonte gjashtë të dyshuarit për vrasje dhe meqë Edi Rama atë pasdite vonë kishte deklaruar se Berisha po refuzonte të dorëzonte vrasësit, atëherë dilte që Bamir Topi, Ina Rama dhe Edi Rama kishin një plan të koordinuar.

Tragjikomedi. Pasditen e së dielës, në seancën e posaçme në Kuvend, teza kishte avancuar. Ishte futur në listë dhe SHISH. Sipas Berishës, në zarfin që SHISH i kishte dërguar në zyrë në datën 20 janar, kishte zero informacion për “puçin”!

Aq shumë ishte autosugjestionuar nga ideja se ishte para një puçi, sa tani i kërkonte dhe SHISH-it ta kishte parë atë ëndërr një ditë para se t’i fanepsej atij. E vuante shumë idenë se SHISH-in nuk e kishte nën kontroll. E vuante më shumë që ata raportonin më shumë tek ndonjë vend mik i Shqipërisë se sa tek ai. Dhe ju duk rast i artë t’i hiqte qafe me këtë rast.

Para deputetëve shpjegoi qartë dhe skenarin. Foli për dy lloj zarfesh me lekë, një për transportin dhe një për “luftën”. I pari kishte 10 deri 20 mijë lekë, i dyti 200 deri 300 mijë lekë. Shpjegoi se si para “Dajtit” ky grup kishte marrë një drogë sintetike.

“U shpërnda thuhet një lloj droge sintetike, për këtë duhet të bëhen analizat se për këtë nuk kam dijeni, u shpërndanë gurë dhe të gjitha mjetet e tjera…”.

Komisioni u ngrit dhe u bë kujdes të gjendeshin deputetë që nuk prishnin punë dhe nëse bëheshin qesharakë, e shihte se skenari nuk po ecte. U ngrit një Komision dhe në krye të tij u emërua Eduard Halimi. Detyra ishte e qartë: Të terrorizonte prokurorinë dhe të baltoste sa të mundej presidentin, SHISH-in dhe median kritike me Berishën.

Kërkesa e tij e parë e lexuar nga Gent Strazimiri, ishte dhe më tragjikomikja, por që përputhej me psikologjinë e Sali Berishës. Shpalli si kokë të puçit katër gazetarë, që sipas tij kishin udhëhequr skenarin e grushtit të shtetit.

Por pasi kaloi furtuna e gazetarëve puçistë, Perëndimi u pa se po u jepte mbështetje “puçistëve” dhe ky ishte një problem i madh për Berishën. Presidenti i Republikës dhe kryeprokurorja u bënë destinacioni i ri i diplomatëve. Berisha u tërbua dhe shpërtheu. Në një takim më 24 janar me efektivë të policisë dhe familje të tyre, iu turr me një fjalor rrugaçëror Ina Ramës dhe Bamir Topit. Të parin e quajti “horr bulevardi”, të dytën “lavire bulevardi”. Sofistikimi i tij për “puçin” kishte ecur përpara.

Argumentet pse ai nuk dorëzonte gardistët tani ishin të ndryshme nga një ditë më parë. Më 22 janar argument ishte demoralizimi i zinxhirit komandues të Gardës, më 23 janar bënte thirrje të merrej filmimi i serverit të Kryeministrisë që vetë e kishte fshirë qysh më 21 janar dhe më 24 janar thoshte ata nuk kanë prova, dhe provë të vetme kanë rregulloren e Gardës që lë përgjegjësinë tek zinxhiri komandues. Ishte duke sulmuar “skenarin B të puçit”, që sipas tij lidhej me marrjen e pushtetit përmes gjyqësorit dhe prokurorisë. Skenari A përmes armëve kishte dështuar. Në të vërtetë, kishte dy skenarë, por ato ishin tek Berisha. Skenari A i tij ishte që vrasjet i bëri opozita dhe skenari B ishte që meqë u bë grusht shteti, vrasje do ketë. Siç e tha vetë në Parlament dhe para policëve, në raste të tilla nuk ka rëndësi sa vriten.

“Në një grusht shteti mund të mos vritet asnjë, mund të vriten 3, 30 apo 300. Grushti i shtetit nuk mund të kalojë. Kjo është absolute. Forca e institucioneve të një shteti demokratik është e hekurt. Mjerë ata që e provojnë!…”

Këto janë të gjitha publike. Kemi një kryeministër që ka urdhëruar vrasjen e katër qytetarëve, ka dhënë me vetëdije një version që ata i vrau opozita me armë surprizë, ka tentuar të manipulojë opinionin publik, pastaj ka ndryshuar qëndrim dhe ka shpallur atë që quhet “grusht shteti”.

Prokurorja e Përgjithshme duhet doemos të hetojë këto qëndrime, ose të hetojë vrasjet, ose “puçin e shtetit”. Nëse ajo beson se opozita bëri “puç shteti” ta hetojë si të tillë. Pra, ajo është e lirë ta hetojë Berishën dhe Bashën, ose si vrasës ose si viktima. Por duhet t’i hetojë, pasi së paku katër vetë janë vrarë dhe vrasjet nuk mund të parashkruhen.

Abdixhiku ia kthen Krasniqit: PDK-ja bashkëqeveris me Listën Serbe

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas asaj që kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka akuzuar LDK-në se ka qëndrime të njëjta me Listën Serbe për Gjykatën Speciale. Ka thënë se megjithatë, LDK nuk e ka partner Listën Serbe, e partia nga vjen Krasniqi, pra PDK-ja, e ka

Postimi i Lumir Abdixhikut në Facebook:

Memli Krasniqi paska akuzuar deputetët e LDK-së për qëndrime të njëjta për Specialen me Listën Serbe.

– E para, LDK nuk e ka partner qeverisës Listën Serbe, PDK e ka. PDK ka pritur 5 orë miratimin dhe ardhjen nga Beogradi. Nëse vërtetë i konsideroni siç edhe janë, largoni prej qeverisë. Mos na mbani ligjerata.

– E dyta, LDK është konsistente në qëndrimet e saja. Gjykatën Speciale e ka votuar dhe sponzorizuar pikërisht PDK. LDK s’mund të luaj me politikën nacionale e ndërkombëtare sipas qejfeve të odave. Jemi shumë më serioz se kaq.

– E treta, LDK s’bën akrobacione politike për të rrënuar aleancën me SHBA-të. Ju njohim për theqafje, por theqafjen se lejojmë për vendin tanë. Këtë aleancë e kemi bindje politike.

– E katërta, identifikimi i LDK-së me Beograd s’është risi nga PDK. Kështu keni bërë gjithherë kur muskujt s’ju kanë bërë punë aty ku duhej intelekt. Por gjuha e njëjtë ka shtyrë e nxitë edhe eliminimin e figurave kyçe të LDK-së. Dhe gjuha e njëjtë sot, ka mu këtë rrezik.

Harroni se kjo strategji e kjo gjuhë ju bën punë. Qytetarët janë të dijshëm; s’janë aq naive sa i merrni ju – e ne jemi të vendosur ta mbrojmë Republikën me çdo kusht.

Nagavci: Paradoks, Qeveria një minutë heshtje për veprimtarin e lirisë dhe kriminelin

Deputetja nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka thënë veprimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës me mbajtjen e një minutë heshtjeje për vdekjen e veprimtarit të lirisë, Jonuz Musliut dhe vrasjen e Oliver Ivanoviqit është tregues i injorancës së kësaj qeverie dhe fyerje për qytetarët e Kosovës

Nagavci theksoi se kjo është paradoks qeveri është e papërgjegjshme dhe në garë me veten për sa më shumë skandale.

Lexoni të plotë postimin e deputetes në Facebook:

“Kjo Qeveri e papërgjegjshme thua se është në garë me veten për sa më shumë skandale. Sot paska filluar mbledhjen me një minutë heshtje për vdekjen e Ivanoviqit, për personin që u dënua për krime lufte kundër civilëve shqiptar!

Për të qenë paradoksi edhe më i madh sot u nderuan me një minutë heshtje në të njëjtën kohë veprimtari i lirisë Jonuz Musliu dhe krimineli Oliver Ivanoviq.

Ky veprim i sotëm është ofendim për familjet e dhjetra viktimave të luftës që u vranë me urdhër të Ivanoviqit, është tregues i injorancës, inferioritetit dhe servilitetit të kësaj Qeverie, është fyerje për secilin qytetar të Republikës!”.

Bedelizmi

Artan Xh.Duka

Prapë protesta në Rumani. Vënd i BE. Dhe prapë korrupsioni, ai “gogoli” që neve BE na i ka vënë si para-kusht për hapje negociatash, pale anëtarësim! Po, a ja vlen të mbajmë veten me garjet duke kritikuar BE për standarte pranimi për gjëra që hasen në gjirin e saj? Se fundja, edhe në BE, korrupsioni është pashmangshmëri. Natyrë njerëzore.

Por ajo që dallon një vënd të BE nga ne është qasja ndaj tij. Ndërsa rumuni, italiani, greku apo francezi, del në protestë për veten e vet dhe të mirën e përbashkët, ne, që kemi shumë herë më tepër arsye se ta, nuk dalim ose kur dalim, dalim në kohën e gabuar, kauzat e gabuara dhe nën hyqmin e gabuar. Siç pritet të ndodhë edhe më 27 janar.

Qytetari rumun në protestë, sesa justifikim për problemet tona, është sfidë që nxjerr “lakuriq” sedrën qytetare në vënd. Ndoshta, prandaj dhe nuk jemi ende në BE. Ku opozita më së pari fillon tek qytetari.

Kriza e qytetarisë

Apatia qytetare ndaj abuzimit politik tek ne është historike. Ende nuk jemi shkëputur nga tribalizmi ku lideri admirohet dhe ndiqet pas apriori, për keq a për mirë. Prej vitesh si qytetar luftën kundër korrupsionit e kemi “deleguar” ironikisht tek protagonistët e tij por për fatin tonë të mirë, së fundi “stafetën”e kanë marrë miqtë e huaj që me sa duket, qoftë dhe për interesat etyre, do ia dalin mbanë.

Ndaj qeverisjes që nuk është e imunizuar nga problemet, reagimi qytetar tek ne është ose apatia (tipike), ose protesta dinjitoze ku opozita nuk i fton por ftohet në shesh (shumë e rrallë), ose ndjekja pas e opozitës sa herë bën ftesë ajo (tipike).

Demokracia fiton kur ndaj qeverisë që abuzon, sheshet mbushen plot. E mira e do që qytetari të mos priste për ftesë në të por tek ne ende mbetet ende luks (përjashto revoltën ndaj piramidave).

Demokracia ndërkohë humbet nëse qeveria abuzon dhe sheshet mbeten bosh! Por demokracia humbet edhe kur sheshet mbushen me qytetarë që thjesht i përgjigjen thirrjes së partisë pavarësisht mungesës së kauzave demokratike dhe cënimit të interesit kombëtar (sikurse sot hapja e negociatave). Jo vetëm dëshmon opozitë të paprinciptë por dhe qytetari në krizë.

Të dyja bashkë, qoftë apatia apo “bedelizmi” qytetar, njësoj na mbajnë larg standartit demokratik sa kohë politika ose nuk të llogarit ose të ka në “xhep” në çdo kohë. Po ndërsa qytetari nuk ka pse kritikohet kur nuk del në shesh për veten e tij, ai i prish punë jo vetëm vetes por gjithë shoqërisë, kur del në shesh si bedel për hallin “pas meje, qameti” të liderave që shpresojnë se me tensionimin e situatës e “martirizimin” grotesk politik do të mund të fitojnë ca kohë.

Protesta e 27 janarit nuk është protesta e qytetarit shqiptar, qoftë votues i PD apo PS, që kërkon jetë me të mirë dhe integrim në BE. Është thjesht tentativë në panik për dalje frike nga ata që shohin se drejtësia po u vjen rrotull për ato që bënë dje në qeveri brënda “kornizave” ligjore të kohës.

Takëmi në krye të opozitës e di që protesta do i izolojë dhe diskretitojë më shumë në sytë e publikut dhe partnerëve të huaj. Po aq u bën. Dëshpërimi ekstrem pjell reagime ekstreme. Mbi të gjitha shpresojnë se, sesa vetë “jehona” e protestës, do të ketë më shumë efekt zhurma mediatike dhe politike në ditët që i paraprijnë asaj! Në atë gjëndje që është sot lidershipi opozitar, beson gjithshka!

Protestë që vetëm prish punë për të gjithë!

Për fat të mirë, ndryshe nga herët e tjera, përballë opozitës të pashpresë dhe provokuese, nuk është vetëm një qeveria punëtore e liberale si kurrë më parë, një publik që nuk kandiset e kuturiset aq kollaj nga “fletërrufetë” opozitare të stinës por dhe një dyshe që nuk kanë ç’i bëjnë – BE/SHBA, që janë të vendosura për reforma për shtet ligjor dhe standarte reale demokratike në vënd. Është prania e të huajve që shpjegon dëshpërimin e madh opozitar.

Ndaj as 27 janari e as data të tjera më pas nuk i bëjnë më fajde takëmit në krye të opozitës që nuk ka kë fajëson tjetër për panikun sot nga drejtësia, përveçse veten për abuzimin e paskrupullt të djeshëm në qeveri. E kur nuk i bën fajde politikës së përfolur për abuzim, nuk i bën, jo e jo, qytetarit të thjeshtë simpatizant të PD e LSI. Përveçse dëm.

27 janari është një sfidë e shans për të dëshmuar qytetarinë demokratike të përkrahësve të PD e LSI. Nëse e duan partinë e tyre, t’a lënë sheshin bosh që të shtohet presioni për rotacion në drejtim të partisë. Jo vetëm nuk fitojnë gjë duke bërë “bedelin” për interesa të tjetërkujt, por rrezikojnë të humbasin vetë dhe të gjithë me ta me komplikimin e negociatave me BE.

Perëndimi po na sheh dhe, më shumë se abuzimi politik i PS sot dhe PD e LSI dje, e preokupon reagimi ynë si qytetar ndaj tij. Po ndodh në Rumani! As duke e harruar, as duke e falur dhe për më tepër, as duke e përkrahur duke iu bërë dekor bedelash në shesh si deri më tani! Janari do mbahet mënd për datën 21. Data 27, as nuk ka as paralele me Rumaninë, as do të mundet të sfumojë tragjedinë për të cilën janari do mbahet mënd gjithmonë.

Bllofi me shqipen në Maqedoni

Flet Prof. Dr. Qemal Murati

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni i miratuar nga Parlamenti i atij vendi më 11 janar nuk është për t’u përshëndetur e festuar nga ana e gjuhëtarëve dhe të tjerëve, sepse ai e avancon përdorimin zyrtar të shqipes si gjuhë të pakicës sipas Marrëveshjes së Ohrit, por nuk e zyrtarizon në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë.

Kështu shprehet Prof. Dr. Qemal Murati, një nga gjuhëtarët më të mirë të atij komunitet shqiptar. Qemal Murati nga Kërçova, prof. dr. në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ka shkruar herë pas here për këtë problem dhe ka qenë në vijimësi në mbrojtje të shqipes standarde nga sulmet që janë bërë pas vitit 1990. Duke analizuar ligjin maqedonas për gjuhët në Maqedoni, në këtë intervistë ekskluzive për ‘DITA’ Prof. Murati analizon dhe shtjellon falsitetin e këtij ligji.

Ai argumenton se, sipas këtij ligji, p.sh. në Shkup shqipja do të ketë përdorim zyrtar vetëm në Komunën e Çairit ku flitet nga 20 për qind e popullsisë (ky është termi teknik që përdoret për gjuhën shqipe) por jo në tërë territorin e Shkupit. Si i tillë ky ligj nuk është mirëpritur dhe nuk është pranuar nga inteligjencia shqiptare në Maqedoni, sepse shqipja nuk e ka statusin e barabartë me maqedonishten. Shikoni p.sh. përdorimin e gjuhëve në Kosovë, ku gjuha serbe që nuk flitet as nga pesë për qind e popullsisë ka status plotësisht të barabartë me gjuhën shqipe, apo Ligjin e përdorimit të gjuhëve në Mal të Zi, ku shqipja ka status të barabartë zyrtar me gjuhën malazeze.

Më në fund, sipas Prof. Muratit ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni ka qenë shumë më i avancuar me Kushtetutën e vitit 1974 ku gjuha shqipe ka pasur status të barabartë me maqedonishten, madje në viset me popullsi shumicë shqiptare shqipja ka pasur statusin e gjuhës së parë, kurse maqedonishtja statusin e gjuhës së dytë. Pse nuk ka vend për ekzaltim në këtë rast dhe cila është arsyeja e vërtetë që presidenti maqedonas e ktheu për rishqyrtim ligjin në fjalë?/ Bisedoi: Xh. Shehu

– Prof. Murati, para pak ditësh në Parlamentin e Maqedonisë u miratua një ligj mbi përdorimin e shqipes si gjuhë zyrtare, i cili u trumbetua si një arritje historike. A është vërtetë një arritje historike kjo?

– Ligji për përdorimin e gjuhëve i miratuar nga Parlamenti i Maqedonisë (11 janar 2018), por i cili më pas nuk u dekretua nga presidenti Gjorgje Ivanov dhe u rikthye për rishqyrtim në Parlament, u trumbetua si një fitore e madhe demokratike e, madje, historike, por në fakt nuk është i tillë, ky ligj lë shumë për tëdëshiruar. Pas miratimit të këtij Ligji nisën dhe urimet e përshëndetjet e jargavitjet se kush e “zyrtarizoi” përdorimin e shqipes në Maqedoni. Se këtë Ligj e bëri LSDM-ja, BDI-ja, Aleanca për Shqiptarët apo Lëvizja Besa. Deri edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të shprehej pa ngurrim se pa Partinë Socialiste të Shqipërisë gjuha shqipe nuk do të ishte gjuhë zyrtare në Maqedoni! Ndërsa ish-presidenti i Shqipërisë Sali Berisha do të deklaronte se “Ky ligj është një fitore e madhe historike për shqiptarët në Maqedoni!”. E kështu me radhë, e kështu pa fund me absurditete të tilla. E gjitha kjo do të ishte në rregull sikur gjuha shqipe të ishte vërtet gjuhë zyrtare në Maqedoni. Por faktet flasin ndryshe, se përdorimi i shqipes është avancuar, por nuk është zyrtarizuar.

– Si mund ta argumentoni këtë avancim, por jo edhe zyrtarizim të shqipes në Maqedoni?

– Me këtë Ligj shqipja është “zyrtarizuar” pikërisht sipas Marrëveshjes kornizë të Ohrit, ku gjuhë zyrtare është vetëm maqedonishtja, por jo dhe gjuha shqipe. Pra, Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni i miratuar nga Parlamenti nuk është për t’u përshëndetur e festuar nga ana e shqiptarëve, sepse ai ligj e avancon përdorimin zyrtar të shqipes si gjuhë të pakicës sipas Marrëveshjes së Ohrit, por nuk e zyrtarizon në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë. P.sh. në Shkup shqipja mund të ketë përdorim zyrtar vetëm në Komunën e Çairit ku flitet nga 20 për qind e popullsisë (ky është termi teknik që përdoret për gjuhën shqipe) por jo në tërë territorin e Shkupit. Si i tillë ky ligj nuk është mirëpritur dhe nuk është pranuar nga inteligjencia shqiptare në Maqedoni, sepse shqipja nuk e ka statusin e barabartë me maqedonishten. Ky Ligj madje as nuk e njeh shqipen si gjuhë zyrtare me emrin e saj të vërtetë, por si “Gjuha e 20 %”, që, sikurse shprehet edhe publicisti Nijazi Muhamedi, “ky është një mohim skajshmërisht racist i identitetit dhe i popullit shqiptar nga ana e maqedonasve”.

– Pse jeni skeptik? A nuk ishte përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Marrëveshjen e Ohrit më 2001?

– Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 e ka avancuar përdorimin e gjuhës shqipe në nivelin lokal e pjesërisht dhe në atë qendror, por nuk e ka zyrtarizuar plotësisht, ashtu siç nuk e zyrtarizon as Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni (2018) që del po nga Marrëveshja kornizë e Ohrit. Ndonëse, në fakt, ky ligj as nuk ka gjetur zbatim të plotë deri më tani dhe është larg standardeve me ligjet e përdorimit të gjuhëve në shtetet e tjera të rajonit, për të mos shkuar më larg në Zvicër a në Finlandë.

Shikoni p.sh. përdorimin e gjuhëve në Kosovë, ku gjuha serbe që nuk flitet as nga pesë për qind e popullsisë ka status plotësisht të barabartë me gjuhën shqipe, apo Ligjin e përdorimit të gjuhëve në Mal të Zi, ku shqipja ka status të barabartë zyrtar me gjuhën malazeze. Prandaj po themi se me këtë ligj nuk duhet të ekzaltohemi. Por shtetit të Maqedonisë duhet t’i ngrihet padi në Gjykatën e Strasburgut për shkeljen e të drejtave linguistike, kur dihet që më në fund, ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni ka qenë shumë më i avancuar edhe me Kushtetutën e vitit 1974 të ish-Jugosllavisë së Titos se sa sot, ku gjuha shqipe ka pasur status të barabartë me maqedonishten. Madje në viset me popullsi shumicë shqiptare shqipja ka pasur statusin e gjuhës së parë, kurse maqedonishtja statusin e gjuhës së dytë. Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në Maqedoni është një e drejtë natyrore, juridike dhe universale, dhe mendoj se nuk ka përse të falënderojmë dikë për një të drejtë elementare që u takon shqiptarëve.

– Cilat janë raportet e shqipes me maqedonishten aktualisht? Pra, a ka diskriminim të shqipes?

– Jo a ka diskriminim të shqipes, por në ç’shkallë është ai diskriminim. E ky diskriminim është total në të gjitha fushat dhe sferat e përdorimit publik të gjuhëve, ku gjuha shqipe nuk njihet as me emrin e saj të vërtetë.

Sa për krahasim me Republikën e Maqedonisë, le të shihet si është rregulluar statusi i përdorimit të gjuhëve zyrtare në Republikën e Kosovës ose në Republikën e Malit të Zi, dy shtete më të reja të Ballkanit, me demokraci të lartë funksionale linguistike të nivelit evropian.

Për shembull, në Kosovë dy gjuhët zyrtare shqipja dhe serbishtja nuk mund të zbatohen asnjëherë në mënyrë selektive dhe arbitrare, diku po e diku jo. Ato zbatohen gjatë tërë kohës, në tërë Kosovën, pa përjashtim. Edhe ndonjë gjuhë tjetër mund të jetë gjuhë zyrtare në vendbanime të ndryshme aty ku një pakicë i plotëson disa kritere të përcaktuara, siç është p.sh. turqishtja në Mamushë.

Në Malin e Zi: Gjuhë zyrtare është gjuha malaziase. Në përdorim zyrtar janë dhe serbishtja, boshnjakishtja, shqipja dhe kroatishtja. Shqipja me 5,27 për qind të folësve të saj, dhe kroatishtja me 0,27 trajtohen si gjuhë në përdorim zyrtar.

Në kontekstin e përdorimit zyrtar të gjuhëve, në Maqedoni duhet të ndiqet së paku modeli i Malit të Zi dhe i Kosovës. Nëse uniteti i Malit të Zi nuk rrezikohet nga përdorimi zyrtar i gjuhës së tjetrit, atëherë nuk rrezikohet as Maqedonia me barabarësinë e gjuhëve. Në Maqedoni duhet të ndryshohet qasja ndaj gjuhës së tjetrit, jo të mohohet gjuha e tjetrit.

– Si mund të ndryshohet kjo qasje ndaj gjuhëve dhe në mënyrë të veçantë ndaj shqipes?

– Gjuha shqipe në Maqedoni ka ngecur në rrjetën e pezhishkës (pëlhurë e merimangës), në kurthin e endur me dinakëri nga elitat politike maqedonase.

Për të siguruar kohezion të brendshëm dhe ekzistencën e shtetit, Maqedonia nuk duhet të jetojë me mite të rrejshme, ajo duhet të heqë dorë nga miti i njëgjuhësisë dhe të jetë një shteti unitar me dy gjuhë zyrtare në tërë territorin, siç është Kosova, Mali i Zi, Finlanda, Zvicra, madje dhe shtetet afrikane etj.

Jovan Bliznakovski, anëtar i Institutit për Demokraci ”Societas Civilis” nga Shkupi, nuk sheh asnjë të keqe nga “dygjuhësia” dhe “shumëgjuhësia” në Maqedoni:

“Dygjuhësia” thjesht do të thotë se bashkëqytetarët tanë nga bashkësia shqiptare mund ta përdorin gjuhën e tyre amtare në shumë situata, në komunikim me organet shtetërore. Këtu nuk ekziston asnjë dëm për asnjë individ apo kolektiv, flasim për operacion të mundshëm. Pikërisht për këtë termi ”dygjuhësia si rrezik” është absurd. Do të kisha dashur të shoh parti politike në Maqedoni, të cilat haptazi dhe zëshëm do të përkushtoheshin për avancimin e mëtejshëm të shumëgjuhësisë në shtet. Përmes saj shoh mënyrën që të ngrihet në një nivel më të lartë kohezioni shoqëror i brishtë midis bashkësive, i rrënuar nga elitat e papërgjegjëshme politike dhe mitet e pavërteta që këto elita i kanë prodhuar ose i kanë shfrytëzuar, – thotë Bliznakovski, edhe me të drejtë.

Këto premisa dhe koncepte duhet t’i pranojë sa më parë edhe klasa politike maqedonase dhe jo të ushqehet me atavizma ndaj shqipes e shqiptarëve, të cilët nuk i kanë sjellë asnjë të keqe këtij shteti, përveçse e kanë mbrojtur dhe e mbrojnë ekzistencën e tij.

– Ju jeni shprehur se ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni ka qenë shumë më i avancuar me Kushtetutën e vitit 1974 ku gjuha shqipe ka pasur status të barabartë me maqedonishten. Ndërkohë Maqedonia nuk është pjesë e ish-Jugosllavisë. Çfarë pengon që të avancohet në këtë drejtim dhe që shqipja të respektohet sikurse e meriton?

– Në hulumtimet e saj linguistja kroate Snježana Kordić na jep një pamje interesante të përdorimit të gjuhëve në Jugosllavi, ku mund të shihet se Jugosllavia ka pasur që në atë kohë një qëndrim shumë më liberal dhe demokratik në pikëpamje të përdorimit të gjuhëve zyrtare se sa shteti i sotëm i Maqedonisë.

“Sot nuk përmendet se në Jugosllavi mediet janë shtypur në 16 gjuhë, se mësimi në shkollë ​​është zhvilluar në 14 gjuhë, në fakultete në 9 gjuhë, se ajo ishte një nga shtetet e para, në mos i pari, në të cilin ekzistonin dhe tekstet shkollore në gjuhën rome. Hulumtuesit europerëndimorë edhe në kohët e fundit politikën gjuhësore të ish-Jugosllavisë e japin si shembull në krahasim me vendet e tjera evropiane.

Megjithëse serbokroatishtja ishte gjuhë amtare për 73 për qind të popullsisë së Jugosllavisë (për ilustrim të shihet se çfarë ishin raportet numerike, gjuhët e dyta për nga numri ishin sllovenishtja dhe shqipja secila me 8 për qind, pastaj maqedonishtja me 6 për qind, hungarishtja me 2 për qind, romishtja 0.6 për qind, me 0.5 për qind më poshtë tetë gjuhët: gjuha turke, sllovake, rumune, bullgare, rusine, italiane, çeke, ukrainase), pra, edhe pse serbokroatishtja ka qenë gjuhë amtare për 73 për qind të popullsisë, nuk është shpallur si gjuhë e vetme zyrtare në nivel shtetëror, por vendimi për gjuhët zyrtare u la në kushtetutat e republikave dhe krahinave autonome. Kështu, çdo republikë dhe krahinë autonome kishte sipas përbërjes së popullsisë disa gjuhë zyrtare, p.sh. një Krahinën Autonome të Vojvodinës ishin pesë gjuhë zyrtare (serbo-kroatishtja, gjuha hungareze, sllovake, rumune dhe rusine), kurse në Kosovë katër (shqip, serbo-kroatisht, gjuha turke dhe ajo rome) (Kordić).

Pra, ndonëse në Jugosllavinë Socialiste serbokroatishtja ka qenë gjuhë amtare për 73 për qind të popullsisë, ajo nuk është shpallur si gjuhë e vetme zyrtare në nivel shtetëror, por si gjuhë e barabartë me të gjitha gjuhët e tjera të asaj bashkësie.

Ndërsa në Maqedoninë e sotme, maqedonishtja që flitet vetëm nga gjysma e popullsisë së këtij vendi, është shpallur me Kushtetutë gjuhë e vetme në përdorim zyrtar!

– Ju mendoni se në ish-Jugosllavi statusi i shqipes ka qenë më i avancuar se në realitetin e tanishëm të Maqedonisë?

– Po. Gjendja gjuhësore në ish-Jugosllavi ka qenë “lule” krahasuar me gjendjen gjuhësore në Maqedoni sot, në të cilën shfaqet një “maqedonocentrizëm linguistik” i egër e primitiv kundër gjuhës së tjetrit, konkretisht kundër gjuhës shqipe. Klasa politike maqedonase organizonte deri dhe protesta e mitingje nga banda e falanga kundër përdorimit zyrtar të shqipes me slogane që nuk i njeh as fashizmi: “Jo dygjuhësi në tërë territorin e Maqedonisë!”. “Jo përdorimit zyrtar të shqipes në Maqedoni!”. Për këto do t’ua kishte lakmi edhe gjenerali famkeq Franko!

Ky është ai terrori i vërtetë gjuhësor dhe terrori shtetëror që një bashkësi etnike maqedonase promovon kundër një bashkësie tjetër etnike shqiptare, që në esencë numerikisht të dy këto bashkësi janë pothuajse të barabarta.

Zgjidhja më e drejtë për përdorimin zyrtar të gjuhëve në Maqedoni është kjo: maqedonishtja të jetë gjuhë e parë zyrtare në ato zona ku popullsia shumicë është maqedonishtfolëse, kurse shqipja të jetë gjuhë e parë zyrtare në ato territore ku popullsia është shumicë është shqipfolëse – siç ka qenë në periodën e ish-Jugosllavisë.

Maqedonia e këtyre 20 vjetëve nga shpërbërja e Jugosllavisë vërtet nuk është në përbërjen e atij shteti, sepse ai tanimë nuk ekziston, por vendi dhe popujt që e banojnë këtë shtet janë të njëjtë, janë po ata shqiptarë e maqedonas aty. Proceset e reja demokratike duhet të ecin përpara, jo të rikthehen prapa në forma e trajta retrograde, antidemokratike.

– Çfarë pengon që të avancohet në këtë drejtim dhe që shqipja të respektohet sikurse e meriton?

– Pengon dalldia e klasës politike maqedonase dhe komunitetit akademik i botës maqedonase të cilët në konceptin e tyre Maqedoninë e shohin si shtet ekskluzivisht të maqedonasve e në të cilin mund të përdoret vetëm një gjuhë zyrtare – maqedonishtja. Kurse gjuhët e tjera i shohin si gjuhë të njerkës, të rendit të dytë apo të tretë. Kjo dalldi duhet të frenohet nga subjektet politike shqiptare në Maqedoni që marrin votën nga populli dhe për këtë duhet të japin llogaridhënie. Në një ese të tij “Nëse botën do ta sundoja unë”, semiologu i njohur Umberto Eco thotë: “Në qoftë se koncepti i Evropës ekziston, atëherë ai është i bazuar në njohuritë e ndërsjella të gjuhëve”. E po ky koncept duhet të vlejë edhe për Maqedoninë si një vend i Evropës. “Në qoftë se koncepti i shtetit të Maqedonisë ekziston, atëherë ky shtet duhet të jetë edhe i shqiptarëve”. Pa njohjen dhe respektimin e ndërsjellë të gjuhëve nuk mund të ketë Maqedoni.

– Si e konsideroni rolin e partive politike shqiptare për këtë çështje?

– Partitë politike shqiptare në Maqedoni (që janë me dhjetëra) janë organizata apo grupe të interesit të cilat bëjnë politikë për interesat e tyre klanore e grupore, e më pak për interesat nacionale të shqiptarëve, ndonëse gojën e kanë përplot me “patriotizëm”, siç janë të tilla dhe partitë politike në hapësirat e tjera shqiptare, në Shqipëri, në Kosovë etj. Me pak vullnet të subjekteve politike shqiptare, çështja e zyrtarizimit të gjuhës shqipe do të ishte zgjidhur përfundimisht dhe do të ishte harruar kjo punë, porse ka munguar këmbëngulësia e tyre përballë faktorit politik maqedonas. Ato nuk duhet të kërkojnë zyrtarizimin e gjuhës shqipe nga “padronët” maqedonas sepse ata nuk janë pronarët e Maqedonisë, por duhet të këmbëngulin në këtë të drejtë elementare në shtetin e përbashkët me pjesëmarrjen e tyre ose jo në Qeverinë dhe në Parlamentin e Maqedonisë. Nëse, ta zëmë, çështja e zyrtarizimit të gjuhës shqipe do të ishte kushti numër 1 për pjesëmarrjen e partive politike shqiptare në qeverinë e Maqedonisë, si një conditio sine qua non (kusht pa të cilin nuk bën) (nuk ka nevojë këtu për Platformë të Tiranës), atëherë pala maqedonase sigurisht që do të reflektonte dhe nuk do të kishte rrugë tjetër përveçse ta pranonin këtë kusht si një e një që bëjnë dy. Shikoni çfarë kushtesh vë Greqia për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, dhe maqedonasit do të detyrohen të bëjnë ndryshime.

Komunitetet etnike në Maqedoni mund të thuhet se nuk kanë animozitete ndaj gjuhës së tjetrit. Por partitë politike dhe akademikët maqedonas janë ata që krijojnë animozitete për përfitime të tyre, të kujtojmë këtu dhe lojën me toponimet shqipe dhe tendencat për “maqedonizimin” e tyre që shqiptarët Shkupin ta quajnë “Skopje”. “Asnjëherë nuk do të jemi njerëz më të mirë pa gjuhën shqipe”- thotë një maqedonase Biljana Sekulovska. Ja, ky është një mesazh që duhet t’u përçohet maqedonasve që kërkojnë “Maqedoni të pastër!” Maqedoni pa shqiptarë! Maqedoni pa gjuhë shqipe! Ky shembull na jep të kuptojmë se në Maqedoni së paku “turpërohet” dikush. E, do të duhej të turpërohej në radhë të parë edhe klasa politike dhe ajo akademike maqedonase që promovojnë turpe të tilla kundër gjuhës shqipe dhe kundër të qenit shqiptar në Maqedoni. Por, natyrisht do të duhej të turpërohen edhe partitë politike shqiptare që kënaqen me pak thërrime. Gjuha shqipe është në territorin e vet në Maqedoni, në plëngun e vet, nuk është në shtëpi të huaj. Dhe këtu nuk mund të ketë lëshime a pazare politike.

– Po reagimin e gjuhëtarëve dhe të inteligjencies shqiptare si e konsideroni?

– Për çështjen e “zyrtarizimit” të gjuhës shqipe me Ligjin e ri për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni ka pasur disa reagime nga gjuhëtarë e nga disa analistë e publicistë, por kanë munguar reagimet institucionale, ta zëmë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, thuajse këto zhvillime po ndodhin diku në Tunguzi. Mirë është edhe që nuk kanë reaguar këto dy “Akademi”, sepse me atë potencial intelektual e shkencor që kanë brenda do të shkretonin, siç kanë shkretuar edhe me reagimet e tyre ndaj “Enciklopedisë së Maqedonisë” me dofarë kumtesash të stilit partiak, pa thënë asgjë. Aq e kanë kaçikun “të pavdekshmit” që hiqen sikur bëjnë shkencë. Por nuk kanë munguar ndërkaq reagimet histerike të disa zërave nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë. Ndaj këtij Ligji ka reaguar me të drejtë, me sens kombëtar e shkencor gjuhëtari prof. Shezai Rrokaj, (Gjuha shqipe në Maqedoni dhe kompleksi i politikanëve shqiptarë, “Panorama”, 12.01.2018), e ku vë në spikamë ndër të tjera këto fakte relevante: “Me miratimin e Ligjit për gjuhën (shqipe) në Maqedoni shumë krerë të lartë politikë shqiptarë mezi pritën që të shpreheshin se kjo shënonte një fitore të shqiptarëve në Maqedoni, madje e trajtuan si fitore edhe në plan kombëtar.

Kjo gjë me siguri do të shoqërohet edhe me falënderimet dhe përgëzimet e ndërsjella mes liderëve shqiptarë, por edhe me liderët maqedonas. Duke e parë ligjin në tërësi, nuk mund të mos shtroj disa çështje, si: A quhet fitore e demokracisë një e drejtë natyrore e institucionale, e sanksionuar në konventat ndërkombëtare? A ka arsye për t’u lumturuar e ekzaltuar, e ca më shumë, për ta paketuar këtë ligj si fitore? Ta themi qysh në fillim se klasa politike maqedonase, përfshi edhe partitë shqiptare duhet të bënin një mea culpa të madhe për zbatimin e vonuar të një detyrimi ligjor, që vinte si rezultat i Marrëveshjes politike të Ohrit. Kjo do të thotë se nuk kemi asnjë avancim substancial përtej çfarë parashikohej në këtë Marrëveshje shumë vite më parë. Nëse për vetë kohën dhe kushtet kur u nënshkrua Marrëveshja mund të konsiderohej si hap ndjellamirë për bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoni, sot mund të themi se ky ligj dhe kjo Marrëveshje janë një “lëmoshë” apo një “fitore e Pirros”, po të kemi parasysh Konventën Europiane për gjuhët në shtetet me përfaqësi ndëretnike si rasti i Maqedonisë”. Ndërkaq, për “zyrtarizimin” e shqipes në Maqedoni analisti Arsim Sinani bën një krahasim të tillë të figurshëm e të goditur: “A mundet që Liqenit të Ohrit t’i themi Deti Adriatik? Nëse Liqeni i Ohrit na prezantohet si Deti Adriatik, atëherë gjuha shqipe është zyrtare në Maqedoni”.

– Po reagimi i gjuhëtarëve dhe akademikëve maqedonas cili ka qenë pas këtij zhvillimi?

– Ndaj miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni ka reaguar edhe akademikja maqedonase Katica Qulavkova e cila vlerëson se me ligjin e ri për gjuhët po ndryshohet identiteti i shtetit. “Tragjike është kur të ndryshosh identitetin e shtetit vetë, në shtëpi, nga brenda, me tapi. Identiteti i shtetit të RM po ndryshohet dhe statusi i popullit konstituiv dhe gjuha shtetërore. Të gjitha të drejtat gjuhësore tanimë i kishin shqiptarët e Maqedonisë, por gjuha maqedonase ishte e vetmja shtetërore, kurse tani kemi dy gjuhë shtetërore dhe kjo ndryshon dhe lëndon shumë gjëra”, – thotë Qulavkova në rrjetin social Twitter.

Në fakt, tragjike është që një person i tillë të jetë “akademike” dhe të shprehë një vrundull aq të egër shovinist e primitiv për një të drejtë elementare që u takon shqiptarëve ngaherë. Një akademik dhe intelektual i vërtetë do të duhej të angazhohej për të drejtat linguistike të tjetrit e jo që t’i ndalohet gjuha tjetrit. Ne nuk e dimë kush ia ka dhënë “akademikes” Qullafkova me tapi vendin dhe shtetin e quajtur Maqedoni pa shqiptarët? Por dimë që Maqedonia duhet të gjejë dhe të zbatojë detyrimisht parimet për bashkëjetesë e barabarësi të plotë me të gjitha komunitetet, e posaçërisht me shqiptarët si komunitet shumicë, duke respektuar edhe të drejtat e tyre të plota linguistike. Ndryshe, Maqedonia si shtet unitar vetëm i maqedonasve, ku do të ishte zyrtare vetëm gjuha maqedonase, ky shtet nuk do ta garantonte ekzistencën e vet.

Në lidhje për ligjin për gjuhët, shikoni sa cinike është dhe deklarata e akademikut Mitko Maxhunkov në një emision të Televizionit “Alfa”, që sipas tij “për të realizuar me efektivitet veprimtarinë administrative të institucioneve siç sigurohet me ligj do të duhet të krijojmë një ushtri përkthyesish që do të kontrollojë nëse përkthimi është i mirë” (!) Z. “akademik” Manxhukov, shteti dhe demokracia janë të kushtueshme. Shqiptarët ashtu siç kanë detyrime ndaj shtetit të përbashkët, duhet t’i gëzojnë edhe të drejtat e tyre linguistike dhe të drejtat e tjera që u takojnë.

– Gjithsesi, Presidenti maqedonas nuk e dekretoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve, apo jo?

– Nuk e dekretoi sepse nuk është president i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, por është president njëpartiak. Për të qenë paradoksi më i madh, presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov nuk e dekretoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve (edhe ashtu të cunguar dhe diskriminues për shqipen), mendja e tij, sepse Ligji në fjalë bie në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë. Presidenti vendosi ta kthejë sërish në Parlament ligjin në fjalë për rishqyrtim sepse ai është i vendosur aty si figurant dhe është i ngarkuar me fobi antishqiptare.

“Më 11 janar të vitit 2018 Kuvendi i Maqedonisë e votoi ligjin për përdorim të gjuhëve pa debat publik, pa përfshirjen e ekspertëve akademikë dhe pa opozitën. Në fjalimin e fundvitit theksova se ky ligj është sjellë me flamurin evropian. Me miratimin e këtij ligji është keqpërdorur flamuri evropian i cili i ndryshon sistemet ligjore”, – tha mes tjerash Gjorge Ivanov, president i Maqedonisë. Sipas presidentit maqedonas, “Ligji rrezikon karakterin unitar të shtetit, sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë” (!). O tempora, o mores! (çfarë kohërash, çfarë marrëzish!) – do të thoshin latinët. Gjuha shqipe rrezikon stabilitetin e Maqedonisë (!) Artikulimi i këtij njeriu se “Ligji (= gjuha shqipe) rrezikon karakterin unitar të shtetit, sovranitetin dhe integriten territorial të Maqedonisë” tregon se ky president është adoleshent në politikë, me mendësi retrograde, infantile e me fobi të rëndë antigjuhë. Nuk e rrezikon gjuha shqipe stabilitetin e Maqedonisë, sepse kjo gjuhë nuk ka ushtri që të sulmojë, por përkundrazi vetë presidenti e rrezikon stabilitetin e shtetit.

A e kupton ky njeri, me vokacion profesor i drejtësisë dhe politikologjisë, se “shteti unitar” (ang. unitary state, lat. unitas: unitet, maq. unitarna država) është një doktrinë dhe një sistem shtetëror me një qeveri dhe me një administratë të vetme shtetërore, që përbën një tërësi të pandashme në një shtet ose një kuptim kushtetues, domethënë ku ka vetëm një autoritet të sovranitetit, por që në karakterin e vet juridik e kushtetues nuk promovon njëgjuhësinë, por përkundrazi shumëgjuhësinë dhe se të gjitha shtetet e sotme europiane janë shtete unitare me funksionim të lartë kushtetues të shumëgjuhësisë. Andaj dhe ish-kandidati për president të Maqedonisë, Stevo Pendarovski, duke iu është kundërpërgjigjur deputetëve të OBRM-PDUKM-së të cilët dolën kundër miratimit të ligjit të ri për përdorimin e gjuhëve, do të shprehet: “Asnjë shtet me karakter unitar, i cili ka dy gjuhë zyrtare deri tani nuk është shkatërruar. Është e pakontestueshme që gjuha maqedonase dhe gjuha shqipe janë gjuhë zyrtare në Maqedoni. Mund vetëm të flasim për nivelin e përdorimit. Dhe në këtë drejtim dua të them se zgjidhja e tanishme është ekzistenca maksimale e përdorimit të gjuhës shqipe, si e drejtë e shqiptarëve dhe pajtohem me këtë”. Ai përmend disa shtete të cilat kanë sistem politik të njëjtë ose të ngjashëm me të Maqedonisë, në të cilat ka dy gjuhë zyrtare dhe të cilat kanë qëndruar dhe nuk janë shkatërruar. Bjellorusia, Mali i Zi, Irlanda, Qipro, Izraeli, Luksemburgu, Zelanda e Re, janë disa nga shtetet që Pendarovski i përmend në të cilat ka dy e më shumë gjuhë zyrtare (Telegrafi, Maqedoni).

Po ky president, Gjorge Ivanov, një ditë më pas, me rastin e festës krishtere Uji i Bekuar, Epifaninë (19.1.2018), i ka uruar festën kreut të kishës ortodokse maqedonase z. Stefanit, ku midis të tjerash thotë: “Të ndërtojmë shoqërinë tonë multietnike, multireligjioze dhe multigjuhësore në paqe, bashkëjetesë dhe duke respektuar dallimet”. Vetëm një “president” si ai mund të përdorë silogjizma të tilla: “Gjuha shqipe rrezikon stabilitetin e Maqedonisë” (!), dhe “Të ndërtojmë shoqërinë multigjuhësore duke respektuar dallimet”, që janë një contradictio in adjekto (kundërthënie në zanafillë). Nëse vërtet “Ligji për përdorimin e gjuhëve bie në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë”, atëherë mund të shtrohet një pyetje e thjeshtë: të ndryshohet Kushtetuta (që është ligji themelor i shtetit, por që lehtë mund të ndryshohet sipas nevojave të shoqërisë), apo shqiptarët të heqin dorë nga përdorimi i gjuhës së tyre amtare, nga identiteti nacional dhe të asimilohen në maqedonas (!) Shkrimtari i shquar Ismail Kadare thotë se “Në Ballkan tragjedia e gjuhës ka vazhduar deri në ditët tona.

Në qytetërimin tonë ballkanik, racizmi fillestar rrjedh nga gjuha dhe jo nga ndryshimi i ngjyrës së lëkurës, as nga dallimet midis zakoneve, as nga mizoritë.” Shembullin tipik për këtë e paraqet Maqedonia. Maqedonia dhe Ballkani vërtet janë dy formula komplekse (të përbëra) linguistike. Klasa politike dhe ajo akademike maqedonase duhet ta kuptojë se: “Gjuha shqipe s’është e armikut po e një populli shtetformues në Maqedoni. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni” (Edi Rama). Bashkësitë etnike në Maqedoni sot kanë nevojë për më shumë gjuhë, jo për më pak gjuhë. Sepse shuma është pasuri, paka është varfëri./DITA

Në Kanada gazetaret dalin nudo! (foto +16)

Një televizion në Kanada ka habitur teleshikuesit e saj duke shkuar përtej pritshmerive

Prezantuesja e lajmeve por edhe gazetaret në terren kanë dalë totalisht nudo. “Naked News” quhet programi i televizionit kanadez.

Ky stil i lajmeve edhepse në forma të ndryshme po bëhet pjesë e shumë televizioneve botërore, përfshirë edhe një emision nga Shqipëria, TV Zjarr ku moderatoret e emisionit shfaqeshin gjysëm të zhveshura për të joshur audiencën.

Ja edhe fotot nga emisioni kanadez:

OKB: Këshilli i Sigurimit debaton për operacionin turk në Siri

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të diskutojë për situatën humanitare në rajonin Afrin në Siri, pasi trupat dhe aeroplanët luftarakë të Turqisë e filluan operacionin ushtarak në këtë enklavë kurde

Diplomatët thanë dje se debati me dyer të mbyllura me kërkesë të Francës, parashihet të zhvillohet sot dhe në të, po ashtu, do të shqyrtohet fushata ushtarake e qeverisë së Sirisë në provincën Idlib.

Ministri i jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, tha se Parisi është thellësisht i shqetësuar për “degradimin brutal të situatës” në Afrin, derisa monitoruesit e të drejtave të njeriut thanë se së paku 18 vetë janë vrarë, në 24 orët e para të operacionit të Turqisë.

Forcat turke pardje e filluan operacionin kundër njësiteve kurde YPG, që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara, përkundër vëretjeve nga Uashingtoni se një lëvizje e tillë mund ta destabilizojë mëtutje këtë rajon.

Kuvendi ia lë në duar Qeverisë nismën për shfuqizimin e Speciales

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka vendosur që kërkesën e 43 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, përkatësisht të Gjykatës Speciale ta kthejë në Qeverinë e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se “një vendimi i tillë është marrë në bazë të Rregullores së Kuvendit”.

“Kemi vepruar në bazë të Rregullores. Iniciativa e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale i është dërguar për mendim Qeverisë. Kjo është ajo që mund të them, përndryshe qëndrimet politike i kemi dhe nuk ka pasur nevojë askush të dalë nga mbledhja”, tha Veseli.

Shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se nisma e deputetëve tash kalon te Qeveria.

“Topi është në dorën e Qeverisë së Kosovës”, u shpreh Konjufca.

“Kësaj here Kryesia e Kuvendit e kishte kuorumin prej katër anëtarëve dhe morën vendim që nisma e deputetëve për shfuqizim t’i shkojë për shqyrtim Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kemi një avancim të kësaj nisme”, tha Konjufca.

Debati rreth shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale ka ndikuar që Lidhja Demokratike e Kosovës ta lëshojë mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, në momentin kur është hapur për debat kjo pikë e rendit të ditës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se e ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë, ngase nuk pajtohet me një vendim eventual të Kuvendit, për shfuqizimin e këtij ligji.

“Në pikën e tretë u diskutua për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ne e lëshuam mbledhjen sepse kjo çështje është e dëmshme dhe rrezikon marrëdhëniet tona me ndërkombëtarët”, deklaroi Hoti para mediave në Kuvendin e Kosovës.

Hoti theksoi se LDK-ja, vazhdon të mbajë qëndrim kundër kësaj nisme.

Kryesia e Kuvendit gjatë javës së kaluar nuk ka arritur ta shqyrtojë kërkesën e 43 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, përkatësisht të Gjykatës Speciale.

Në gjë e tillë nuk ndodhi për shkak të mungesës së kuorumit për punë, që është shkaktuar me mungesën e anëtarëve të saj në mbledhje.

Më 22 dhjetor të vitit të kaluar një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës pati ndërmarrë një nismë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Nisma e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, pasoi një peticion të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilin kërkonin nga Kuvendi i Kosovës ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Kjo nismë, kishte nxitur reagime të ashpra ndërkombëtare, kryesisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Kuintit në përgjithësi.

Mandati i Gjykata Speciale për krime lufte, përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, që përfshinë periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.

Bitcoin dhe kriptovalutat sfidë për ATK-në

Fenomeni i kriptovalutave është tema më aktuale në financa. Me gjithë ngritjeve dhe rënieve të vlerës së tyre, diskutimet për to nuk i ka shpëtuar as Kosova. Mania për të fituar shpejtë para në të shumtën e rasteve është premtim për pasuri pa mund, e pa lodhje

Por, mungesa e rregullimit ligjor nuk po i pengon kosovarët të fitojnë nga tregtimi i këtyre valutave.
Drejtori Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Sakip Imeri, ka thënë për Telegrafin se çdo e ardhur apo investim duhet të tatimohet. Sipas tij, për kriptovalutat nuk kanë hartuar ndonjë rregullore për tatim të tyre. “Është obligim ligjor që çdo e ardhur apo investim duhet të tatimohet, por sa i përket kësaj çështje, ende nuk ka ndonjë rregullim se si të tatimohen këto kriptovaluta”, tha Imeri.

Ai ka treguar se kanë bërë diskutime në ATK, për tatimin e atyre që merren me kriptovaluta, por ende nuk kanë marr asgjë konkrete. “Aktualisht e kemi ngritur si temë, por nuk ka asgjë konkrete. Kjo është një sfidë për ATK-në”, tha drejtori i ATK-së, Sakip Imeri.

Ndërkaq Sejdi Rexhepi, ish-Kryesues i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe profesor universitar, ka thënë se investimi në kriptovaluta është një rrezik, sepse ato janë valuta private dhe mbrapa vlerës së kriptovalutës nuk qëndron asnjë kundërpeshë si masë për emetimin e tyre.

“Investimi në kriptovaluta është më rrezik për faktin se ato janë valuta private dhe në disa raste nuk dihet kush është krijuesi i tyre. Emetimi i tyre nuk është i rregulluar në asnjë shtet të botë, dhe mbrapa vlerës së kriptovalutës nuk qëndron asnjë kundërpeshë si masë për emetimin e tyre”, tha Rexhepi për Telegrafi.

Sipas tij, investimet në kriptovaluta është spekulativ dhe se motivi për blerje është ngritja e vlerës dhe jo nevoja për kursime në transaksione.

“Investimi është spekulativ dhe se motivet për blerjen e tyre kryesisht janë pritjet për ngritjen e vlerës e jo nevoja për të bërë blerje më të shpejta, apo kursime në transaksione. Duke qenë se pjesa më e madhe e shteteve të botës kanë deklaruar se janë në hulumtim të rregullimit të funksionimit të kriptovalutave, e në disa raste ka propozime për krijimin e kriptovalutave nacionale, atëherë fati i këtyre kripotovalutave ekzistuese mund të jetë dështimi i tyre i plotë”, thotë ai.

Po ashtu, profesori universitar Sejdi Rexhepi thotë se kriptovalutat akoma nuk janë të pranuara zyrtarisht nga asnjë shtet i botës si valuta digjitale, megjithatë në disa vende dhe në disa raste edhe në vendin tonë përdoren si mjet pagese.

Ai sugjeron që në rastin e përdorimit të kriprovalutave të bie në fushën e rregullimit të BQK-së.
“Nëse hipotetikisht flasim për rregullimin ligjor, atëherë fillimisht duhet kuptuar se kriptovalutat akoma nuk janë të pranuara zyrtarisht nga asnjë shtet i botës si valuta digjitale, andaj nuk mund të trajtohen si valuta. Megjithatë në disa vende dhe në disa raste, madje edhe në vendi tonë ato po përdoren si mjet pagese. Në rastin e tillë përdorimi i kriptovalutave bie në fushën e rregullimit të Bakës Qendrore, duke qenë se Ligji e njehë atë si të vetmin autoritet që ka për objektiv dhe detyrë promovimin dhe mbikëqyrjen sistemeve të sigurta, të qëndrueshme dhe efikase të pagesave. Në Kosovë valuta e vetme e cila mund të përdorët për pagesa në transaksionet e shitjes së mallrave dhe shërbimeve është Euro. Asnjë valutë tjetër nuk ka përdorim legal”, ka shpjeguar Rexhepi.

Ai thekson se kriptovalutat duhet të rregullohen me ligj të veçantë, ashtu siç kërkon standardi ndërkombëtar për investime si dhe ofruesit e shërbimeve Blockchain të regjistrohen si mikroinstitucione që ofrojnë shërbime të sigurisë së investimeve.

“Nëse autoritetet shtetërore të Kosovës e njohin zyrtarisht blerjen e kriptovalutave si ‘investim në pasuri të paprekshme’, ashtu siç ka vepruar shteti i Japonisë, në rastin e tillë, kriptovalutat duhet të rregullohen me ligj të veçantë dhe të trajtohen për nevoja të tatimeve ashtu siç kërkon standardi ndërkombëtar për investimet në Pasuri të Paprekshme (Intangible Assets), kurse fitimet nga blerja dhe shitja e tyre të trajtohen si fitime kapitale. Kështu, ofruesit e shërbimeve përmes Blockchain-ve do të duhej të regjistroheshin si mikroinstitucione që ofrojnë shërbime të sigurisë së investimeve dhe do të tatoheshin për të hyrat në shërbimet e kryera”, thotë ai.

Sipas Rexhepit “në këtë mënyrë bizneset investuese në kriptovaluta do të paguanin tatim në fitimet kapitale, kurse individët do të paguanin tatim në të ardhura personale. Në rast se kriptovalutat do të përdoreshin edhe si mjet pagese atëherë këtë fushë do të duhej ta rregullonte Banka Qendror”.

Rrustemi: Në zgjedhjet për kryetar të VV-së, morën pjesë 10 mijë e 606 anëtarë

Përfaqësuesi i i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Adnan Rrustemi, duke treguar për procesin e djeshëm zgjedhor brenda këtij subjekti, duke theksuar se ka një përmirësim të dukshëm në krahasim me zgjedhjet paraprake për kryetar në vitin 2015

Ai në një konferencë për media ka thënë se nga numri total i anëtarëve të VV-së, është rritur me 60 për qind, derisa i atyre qe kanë votuar është rritur gati 100 për qind.

Në procesin zgjedhor kanë marrë pjesë 10 mijë e 606 anëtarë nga 31 mijë e 550 anëtarë, ku përqindje është 33 për qind e atyre që kishin të drejtë vote.

“Këto shifra shënojnë rekorde në pjesëmarrje. Procesi më i mirë në zgjedhjet e brendshme ka nevojë të bëhen përmirësime pa dyshim, por tash VV ka arritur të konsolidohet si një parti evropiane”, ka shtuar Rrustemi.

Dje, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është zgjedhur kryetari i ri i opozitës kosovare, Partisë Lëvizja Vetëvendosje. Kurti ishte i vetmi kandidat për kryetar në zgjedhjet e mbajtura dje në të gjitha degët e kësaj partie në Kosovë dhe jashtë saj.