Lajm.co

Ç’do të thotë të shohësh në ëndërr njerëz që kanë vdekur?

Mistikët pretendojnë se bota e ëndrrave tona, mund të përbëjë një lidhje me botët e tjera, të paarritshme për ndërgjegjen tonë kur jemi zgjuar, kështu që nuk është një rastësi fakti se që nga kohët e lashta është besuar se ëndërrimi i njerëzve të vdekur, është një shenjë e rëndësishme që nuk duhet të injorohet

Të vdekurit vijnë në ëndrrat tona me një mesazh, këshillë apo vërejtje që duhet të kuptohet në mënyrë që të shmangen problemet e panevojshme apo edhe gabimet. Psikologët besojnë se ëndërrimi i të afërmve apo miqve që kanë ndërruar jetë, është thjesht një manifestim i depresionit apo ndjenjës së fajit ndaj tyre.

Megjithatë, le të hedhim një vështrim më të thellë mbi këtë çështje mistike, dhe të përpiqemi të kuptojmë se çfarë mesazhesh mund të merren nga njerëzit që janë tashmë të gjallë vetëm në kujtesën tonë, dhe mund të flasin me ne vetëm përmes ëndrrave tona. Libra e sotëm mbi ëndrrat, nuk i kushtojnë shpesh vëmendje të mjaftueshme shumë nuancave të rëndësishme: si duket personi i vdekur në ëndrrat tona – i vdekur në varr, i gjallë dhe i lumtur, apo rikthehet në jetë para syve tanë, ose ndoshta thjesht nuk e mbajmë mend në ëndrrën tone, se ky person ka vdekur shumë kohë më parë.

Interpretimet e ëndrrave me persona të vdekur

Zakonisht supozohet se ëndrra me një të vdekur (biseda me të, dëgjimi i këshillave të tij, dhe bërja e asaj që ai thotë), është një shenjë e lajmeve të papritura apo ndryshimeve në jetë. Librat e krishterë të interpretimit të ëndrrave, ndonjëherë shpjegojnë që ne shohim ëndrra të tilla, kur shpirti i një të afërmi apo miku tonë të vdekur nuk ka gjetur ende paqe, dhe këshillohet të mbahen ceremoni përkujtimore në varreza dhe të përmbushen kërkesat e tij (për shembull, nëse në ëndërr i vdekuri kërkon ujë).

Interpretimet pagane të ëndrrave që kanë ardhur deri në ditët tona, rekomandojmë në mënyrë implicite plotësimin e të gjitha kërkesave të personit të ndjerë, për të shmangur zemërimin e perëndive. Dhe ndërsa ëndërrimi i një personi të vdekur mund të jetë diçka e frikshme, kjo nganjëherë mund të jetë një shenjë e mirë. Në rastin ku shihni në ëndërr një person të vdekur që kthehet sërish në jetë, kjo mund të thotë se diçka e humbur do të rikthehet së shpejti (para, ndonjë send, apo edhe statusi social).

Disa libra mbi këtë çështje, e interpretojnë ëndërrimin e njerëzve të vdekur si shenjë të ngjarjeve të mira në familje, si një martesë, lindjen e një fëmije, apo diçka të ngjashme të lumtur dhe të begatë. Ka libra të tjerë që pretendojnë se parja në ëndërr e një personi të vdekur para dasmës është një paralajmërim kundër këtij bashkimi në çift. Një ëndërr e tillë, paralajmërojnë një martesë të palumtur, dhe që fëmijët e lindur nga ajo do të jenë të sëmurë e të dobët.

Po në lidhje me ëndërrimin e një të afërmi të vdekur?

Në këtë pikë nuk ka asnjë interpretim përfundimtar, dhe ju duhet gjithmonë të kini parasysh shumë faktorë të ngatërruar. Por shumica e interpretimeve në lidhje me të afërmit e vdekur (sidomos prindërit) që shfaqen në ëndërr, përfaqëson paralajmërimin e telasheve.

Ndonjëherë ëndrrat në të cilat një person në gjumë komunikon me prindërit e tij të vdekur, ndihmon në gjetjen e paqes së brendshme, besimit, dhe madje ndikon edhe tek suksesi në punë dhe mirëqenien e familjes. Besohet gjithashtu, se është e pamundur të ndikojmë tek ëndrrat ku ne shohim të dashurit tanë që kanë vdekur. Edhe nëse jeni përpjekur ta bëni këtë, është absolutisht e kotë, pasi nuk jemi ne që i thërrasim, por janë ata që vendosin të vijnë tek ne.

Buxheti i varur nga Dogana dhe ATK-ja

Doganat e Kosovës dhe Administrata Tatimore vazhdojnë të prijnë për kah të hyrat që derdhin në buxhetin e Kosovës. Ndryshe rreth dy miliardë euro është buxheti për këtë vit, shifër kjo e parashikuar edhe për buxhetin e vitit 2018.

Agjencitë kryesore që mbushin buxhetin, vlerësohet se kanë treguar performacë të mirë në mbledhjen e të hyrave gjatë nëntë mujorit të këtij viti. Administrata Tatimore e Kosovës ka një trend pozitiv në rritjen e të hyrave tatimore, thonë zyrtarët në ATK.

Valentina Bytyqi- Sefa zëdhënëse në këtë agjenci ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nga 423 milionë euro sa është paraparë të grumbullojë Administrata Tatimore e Kosovës, për këtë periudhë ka arritur të mbledhë 304 milionë euro, ose 13.2 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

“Kjo ngritje është si rezultat i planifikimi të mirëfilltë, rritjes së bashkëpunimit me agjencitë tjera, menaxhimit dhe punës ekipore të stafit të ATK-së, i cili ka aplikuar një qasje profesionale me integritet të lartë ndaj tatimpaguasve dhe atë, duke informuar tatimpaguesit për obligimet e tyre tatimore, duke udhëzuar ata për zgjidhjen e problemeve, dukë bërë vizita edukative dhe aktivitete të tjera të përcaktuara nga dokumentet strategjike të ATK-së, siç është Plani për Trajtim të Rreziqeve, Planet Operative, etj”, ka thënë Bytyqi-Sefa.

Edhe Dogana e Kosovës thuhet se ka arritur objektivat e parapara nga Qeveria e Kosovës.

Në një komunikatë për media të Doganës se Kosovës, thuhet se kjo agjenci ka arritur të grumbullojë 815 milionë euro, përkatësisht 7 milionë euro më shumë se projeksionet e kërkuara, kurse 42 milionë euro më tepër se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Në anën tjetër përfaqësues të komunitetit të biznesit, disa herë e kanë quajtur praktikë jo të mirë varësinë e buxhetit nga doganat dhe administrata.

Drejtori ekzekutiv në Odën e Afarizimit të Kosovës, Ismet Mulaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se përqendrimi i buxhetit nga tatimi dhe taksat doganore, paraqet joqëndrueshmëri financiare, pasi që sipas tij, niveli i importeve mund të ndryshojë, kurse në bazë të disa marrëveshjeve ndërkombëtare, taksat doganore ose janë ulur ose eliminohen, çka në mënyrë automatike reduktohen edhe të ardhurat.

“Përqendrimi i buxhetit të Kosovë vetëm tek të hyrat doganore dhe tatimore, sipas tij, Kosovën e fut në një vend më një kreativitet të vogël në realizimin e të hyrave që i ka paraparë”, ka thënë Mulaj.

Andaj, ka nënvizuar ai, kjo mënyrë paraqet joqëndrueshmëri financiare dhe fiskale.

Ndryshe, që nga fillimi i zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, si kontrata e parë në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, të hyrat doganore në Kosovës kanë shënuar ulje, pasi që disa produkte janë liruara nga taksa doganore e për disa tjera janë ulur taksat.

Sipas të dhënave zyrtare, janë 19 milionë euro më pak të hyra që nga fillimi i zbatimit i MSA-së në prill të vitit të kaluar.

Lugina e Preshevës, si duhet të quhet sipas Beogradit

Zyrtarët serbë po i pengon emërtimi Lugina e Preshevës ose dhe Kosova Lindore për vendbanimet me shumicë shqiptare në jug të Serbisë: Për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën

Madje, siç përcjell gazeta “politika” e Beogradit, kryetari i Trupit Koordinues për këto komuna Zoran Stankoviq ka treguar, përmes një apeli. se si duhet të quhet ky rajon.

„Аpeloj te të gjithë funksionarët shtetërorë, mediet dhe opinioni që në adresimet e veta për temën e jugut të Serbisë qendrore ose për Qarkun e Pçinjit, të mos e shfrytëzojnë emrin Lugina e Preshevës ose Kosova Lindore”, ka thënë ai duke shtuar se këto emërtime, siç tha, i kanë shpikur liderët shqiptarë për t’i përdorur për qëllime politike.

Policia konfiskon në Gjilan barna me banderola të Serbisë

Dje në një barnatore të Gjilanit janë gjetur dhe janë konfiskuar një sasi barash, nga rreth 100 lloje të tyre

Barnat, ka njoftuar Policia rajonale e Kosovës përmes kumtesës, kanë qenë pa banderola të Republikës së Kosovës dhe me banderola të Republikës së Serbisë.

Konfiskimi i barnave është bërë nga inspektorë AKPM-Prishtinë (Agjencioni Kosovar për Produkte Medicinale) dhe në bashkëpunim me policë nga Njësiti i Krimeve Ekonomike dhe Antikorrupsion.

Me vendim të prokurorit të shtetit, rasti mbetet në hetime të mëtutjeshme nga Policia e Kosovës njësitet kundër krimeve ekonomike.

Thaçi kërkoi rrugë ‘B’ për vizat, BE-ja ia përmend kriteret

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar një plan “B” për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian, duke kërkuar ndihmë nga Shqipëria

Në një takim me homologun e tij nga Shqipëria, Ilir Meta, Thaçi i kërkoi atij që t’u jepet shtetësia e Shqipërisë qytetarëve nga Kosova, në mënyrë që, siç tha ai, të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, në mungesë të liberalizimit të vizave.

Por Zyra e BE-së në Kosovë ka kërkuar edhe një herë që Kosova t’i përmbushë kriteret e mbetura (demarkacionin dhe luftimin e krimit e të korrupsionit), në mënyrë që ta arrijë liberalizimin e vizave.

Nga ana tjetër, ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare kanë thënë se deklaratat e tilla nga krerët shtetërorë vijnë si rrjedhojë e mllefit, meqë Kosova është lënë anash nga bashkësia ndërkombëtare. /Zëri/

Ndërkombëtarët mohojnë se premtuan ‘favore’ në këmbim të Speciales

Bashkësia ndërkombëtare ka mohuar t’i ketë premtuar “favore” Kosovës në këmbim të themelimit të Gjykatës Speciale

Ndonëse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para pak ditësh deklaroi se Kosovës i ishte premtuar liberalizimi i vizave, krijimi i ushtrisë, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare…, ambasadat e huaja në Kosovë kanë thënë se nuk janë në dijeni për një gjë të tillë, shkruan “Zëri”.

Por pavarësisht kësaj, ndërkombëtarët kanë thënë se mbështesin Kosovën drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare e po ashtu edhe në çështjet e tjera që presidenti Thaçi përmendi ditë më parë.

E pavarësisht deklaratave “sulmuese” të Thaçit kundrejt Gjykatës Speciale, ata mbeten optimistë se kjo Gjykatë do ta vendosë drejtësinë.

Zbulime që trondisin Greqinë: Deshifrohen shkrimet 3200 vjeçare, zgjidhet misteri madh, grekët nuk ekzistonin!

Një ekip arkeologësh zviceranë dhe holandezë të cilët deshifruan mbishkrimin në një pllakë guri prej 3,200 vjetësh, pohojnë se kanë zgjidhur “një nga misteret më të mëdha arkeologjike të Mesdheut”

Një pllakë gëlqerore prej 29 metrash, e gjetur në vitin 1878 në territorin e Turqisë së sotme, mbart mbishkrimin më të gjatë hieroglifik në botë nga Epoka e Bronzit. Kjo është një shenjë në gjuhën luviane që u dha shkencëtarëve një pasqyrë në kauzën e prishjes së qytetërimeve të fuqishme dhe të përparuara në atë kohë. Vetëm një numër i vogël dijetarësh në mbarë botën, mund të lexojnë gjuhën e lashtë luviane.
Aty përmendet edhe pushtimi i një flote të bashkuar të mbretërive nga Azia e Vogël Perëndimore, e cila u krye në qytetet e bregut lindor të Mesdheut. Kjo “konfederatë detare e plaçkitjes” ka të ngjarë të jetë shkaku i rënies së kombeve të Epokës së Bronzit.

Studiuesit besojnë se mbishkrimi u bë në vitin 1190 para Krishtit me urdhër të Kupant Kurunta, mbreti i një shteti të epokës së vonë të Bronzit të njohur si Mira. Në aleancë me shtetet e tjera Anatoliane ai pushtoi Egjiptin e lashtë dhe shtetet e tjera në rajonin e Mesdheut, gjatë dhe në fund të Epokës së Bronzit.
Shkencëtarët kanë supozuar më parë se pushtuesit ishin ata që çuan në rrëzimin e qytetërimeve dominuese në atë periudhë, por identiteti i uzurpatorëve nuk u zbulua kurrë.
Arkeologët i quajtën pushtuesit “detarë trojanë”. /Gazeta InfoPress

Dhjetë të mirat që u solli Perandoria Osmane serbëve dhe Serbisë

Vizita dyditore e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në Serbi, nënshkrimi i 12 marrëveshjeve ndërshtetërore mes Beogradit dhe Ankarasë si dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik shënuan afrimin më të madh historik mes Turqisë dhe Serbisë

Marrëdhëniet turko-serbe, për pjesën më të madhe të historisë së re, janë veçorizuar prej lidhjeve miqësore diplomatike, bashkëpunimit politik dhe atij ekonomik, shkruan Konica.al.

Duke e kapërcyer narrativën ngushtësisht nacionaliste të historiografisë serbe, marrëdhëniet mes serbëve dhe turqve osmanë ngërthejnë më shumë episode bashkëpunimi sesa konfliktualiteti.

Serbët i detyrohen Perandorisë Osmane për një dyzinë të mirash:

Me nismën e vezirit me origjinë serbe, Sokollu Mehmed Pasha, më 1557 u rithemelua Kisha Ortodokse Serbe nën Patriarkanën e Pejës. Sipas historianit Dushan Batakoviç, ‘kjo shënon fillimin e një rilindje fetare të miletit serb’.

Në vitet 1793 dhe 1796, sulltan Selimi III shpalli dy fermane, me anë të të cilave u njiheshin të drejta të konsiderueshme serbëve në Sanxhakun e Smederevës. Mes të drejtave që fituan serbët ishin mbledhja e taksave nga knezët; liria e tregtisë dhe fesë.

Kryengritja e parë serbe, më 1804, u përkrah nga sulltani me qëllim të shkatërrimit të pushtetit të daive, trupa jeniçere që nuk honepsnin fare pushtetin qendror në Stamboll.

Pas kryengritjes së dytë serbe, në harkun kohor 1815-17, Porta e Lartë me fermanin e vitit 1830 njohu autonominë e Serbisë, dhe më 1835 kushtetutën e Principatës Serbe.

Me të ashtuquajturën Konventë të Akkermanit, të nënshkruar më 1826 mes Rusisë dhe Perandorisë Osmane, në artikullin 5 parashihej autonomi për Principatën e Serbisë dhe zgjerimin e saj me toka të reja. Serbëve iu njoh edhe zyrtarisht liria e lëvizjes gjithandej Perandorisë Osmane.

Në vitin 1867, Perandoria Osmane u pajtua për tërheqjen përfundimtare të trupave të saj ushtarake nga Serbia.

Perandoria Osmane u pajtua me vendimet e Kongresit të Berlinit (1878) që e njihnin Serbinë si shtet të pavarur.

Ndonëse ‘mileti serb’ (sirp milleti) në vilajetet e mbetura në Perandorinë Osmane nuk njihej zyrtarisht, Kisha Ortodokse Serbe ishte përfaqësuesja legale e të gjithë serbëve që jetonin në tokat e perandorisë.

Porta e Lartë lejonte ekzistencën e shkollave serbe në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Manastirit, në një kohë kur nuk lejohej asnjë shkollë në gjuhën shqipe.

E para gazetë në Vilajetin e Kosovës, e quajtur gazeta “Prizren”, që u botua në vitin 1871, pati një rëndësi të posaçme për jetën kulturalo-arsimore të serbëve në Kosovë. Gazeta dilte një herë në javë në katër faqe, dy në gjuhën turke dhe dy në gjuhën serbe.
Cilat nga këto të drejta iu njohën shqiptarëve gjatë pushtimit pesë shekullor?

Për shtatë muaj 420 milionë euro nga diaspora

Gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti në formë të remitancave në Kosovë kanë hyrë hiç më pak se 420 milionë euro dhe në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi 40 milionë euro më shumë remitanca

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se gjatë muajit korrik në formë të remitancave në vendin tonë kanë ardhur 60 milionë euro dhe nga kjo shumë 13.6 milionë euro kanë ardhur përmes bankave komerciale, 24.6 milionë euro përmes agjencive për transferim të parave, si dhe 21.72 milionë euro përmes rrugëve të tjera, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Gjatë muajit qershor sipas të dhënave të BQK-së shihet se në vendin tonë në formë të dërgesave kanë ardhur 71.1 milionë euro dhe nga kjo shumë 10.1 milionë euro janë dërgesa përmes bankave, 35.2 milionë euro janë transferime përmes agjencive, si dhe 25.7 milionë euro janë mjete që kanë ardhur përmes rrugëve të tjera.

Gjatë muajit maj në Kosovë kanë ardhur në formë të remitancave 67.6 milionë euro, në muajin prill kanë ardhur 57.9 milionë euro, në muajin mars kanë ardhur 64.7 milionë euro, gjatë muajit shkurt kanë ardhur 50.7 milionë euro, si dhe gjatë muajit janar në Kosovë në formë të dërgesave kanë ardhur 48 milionë euro.

Origjina e numrit Zero, misteri më i madh matematikor

Hulumtuesit nga Universiteti i Oksfordit analizuan dorëshkrimin e Bakhshalit, teksti matematikan më i vjetër dhe përcaktuan origjinën e simbolit

Zeroja sot njihet si një formë ovale, pak e gjerë, ndërkohë që në realitet ka filluar si një pikë. Ky lloj simboli përdorej për të shenjuar pozicion. Përfaqësonte fillimin e një sistemi numerik indian, tashmë jashtë përdorimit. Duke filluar që nga ai formoheshin numra më të mëdhenj.

Për një farë kohe numri Zero u kthye në një obsesion të matematikanëve. Deri më tani, regjistrimi i parë që kishim ishte e një shkrimi mbi murin e një tempulli indian në Gwalior, në shekullin e IX. Megjithatë një zbulim i fundit hodhi poshtë hamendësimet.

Hulumtuesit e Universitetit të Oksfordit morën nga biblioteka e Bodleian e cila ruhet që prej 1902, dorëshkrimin e Bakhshalit, një tekst i famshëm indian dhe e shqyrtuan.

Ata konfirmuan se Bakhshali që ka qindra zero në faqet e tij daton nga shekulli i III ose I IV, çka do të thotë se zbulimi i këtij numri përshpejtohet me 500 vite. Sot ky numër përdoret në të gjithë botën dhe është elementi kyç në botën digjitale.

“Krijimi i numrit zero si numër që evuloi duke u nisur nga simboli në dorëshkrim është një nga përparimet më të mëdha në historinë e matematikës”, – shprehet Marcus du Sautoy, profesor i Oksfordit. Teksi ruhet që nga viti 1881 dhe u gjet në një fushë i groposur aty, ku sot është Pakistani.

Pavarësisht antikitetit të tij datimi ishte i debatueshëm, por njihet në të gjithë botën si teksti matematikan më i vjetër në botë. Kërkimet e reja treguan se është më i hershëm akoma.

Vështirësia në datim vjen nga materiali i faqeve, janë 70 faqe të tilla me fletë thupre, e cila është përdorur në të paktën tri periudha. Tashmë e dimë se në shekullin e III matematikanët indianë hodhën farat e një ideje që më vonë do të kthehej në thelbësore për botën moderne. Zbulimet treguan se sa vibrues ishin matematikanët në nënkontinentin indian gjatë shekujve. /Bota.al/