Lajm.co

Qeveria e beshareteve/ave

Nga Kimete Berisha

A e keni parë atë horrorin, ku regjisori i bashkon në film të gjithë vampirët dhe lugetërit që i ka njohur deri sot kinematografia botërore, prej Drakulës, Michael Myers, Hanibal Lecter, Jasoni i Friday 13th, American Psycho, Chucky, Samara e deri te djalli më i vogël, Omeni. Aq shumë ka vampira në atë film, sa në vend se të frikësohesh, ty të qeshet, sepse frika e mund frikën. Dhe sepse, ku ka shumë frikë, frika bëhet qesharake.

E tillë, si ky horror, është qeveria e Kosovës, që s’ka harruar asnjë njeri negativ e asnjë “fantazmë” të njohur e të panjohur për publikun, pa e bërë pjesë të saj.(Përfshirë atë ministren me frizurë dykatëshe, e cila ka fituar “Bingo”, gati 20-të vite pasi e ka udhëhequr emisionin “Telebingo”).
Më së pari, Ramush Haradinaj, as deri te “zogu” i këmbës (tani për tani) nuk i afrohet Isa Mustafës.
Ish Kryeministri s’ka pasur asnjë kompleks ndaj serbëve dhe me elegancën më të madhe, në mënyrën më natyrore të mundshme e ka larguar Aleksandër Jabllanovicin nga qeveria, pse ky i ka ofenduar nënat shqiptare.

Ndërsa, Ramush Haradinaj nuk pret hiç nga ministri i tij serb, t’i ofendojë shqiptarët, Kryeministri i ofendon vet, nuk i dridhet buza, as s’i vjen keq, e bën avokatin e ministrit të tij, me arrogancën më të vrazhdtë i ofendon shqiptarët, pa fakte, spekulon dhe ia lejon vetes të thotë se “ata shqiptarë që janë kundër Nenad Rikalos, janë uzurpatorët e banesës së tij”.”Habitati” dhe organizata të tjera ndërkombëtare nuk kanë lejuar t’u uzurpohen banesat serbëve. Përkundrazi, shumë serbë, një banesë ua kanë shitur 100 shqiptarëve (e shqiptarët bënë kërrsh mes vete), dhe plus krejt veriu i Mitrovicës është i uzurpuar, po nejse. Pra, ti edhe me dasht se nuk ke pasur shans t’ia uzurposh (apo t’ia mbash të uzurpuar) banesën Nenad Rikalos.

Alesandër Lumezit prej se i ka humbur telefoni, e ka humbur vullnetin, as nuk inicion hetim për vërtetësinë e akuzave të Kryeministrit, as asgjë. Ku me ditë çfarë mesazhesh ia kanë lexuar në telefon, që nuk ka hesap ta kryej punën e tij, qysh di ai.
– Ne jetojmë në një vend të çmendur ku gruaja e punësuar në postë (e motivuar nga xhelozia) e ka bërë detektiven dhe e ka përgjuar burrin e saj. Për ironi të rastit, burri i saj ka qenë kryetar i Komisionit të Kuvendit për AKI. Tash, ti merre me mend kush e ka mbikëqyr Agjencinë e Inteligjencës, njeriu që ka qenë i përgjuar nga gruaja e tij.
Dhe, Aleksandër Lumezi (po e përmend Aleksandrin se është më simpatiku, dhe se vetëm këtij ia di emrin), nuk e vërteton se “a e ka thënë të vërtetën ajo grua, kur në komunikim me të dashurën e burrit të saj, i ka thënë kësaj të fundit, se meqenëse punon në postë, i ka përgjuar vazhdimisht, në të dy telefonat që i ka përdorë Romeo në korrespodencën e tij erotike.
(Romeos i është dukur pak një telefon për t’u shprehur).
Ndoshta gruaja ka gënjyer, nga xhelozia, ama, ne duhet ta dimë të vërtetën.
Secili njeri që punuaka në postë, mundtka të na përgjojë, a çka është puna.

Kryesore, Romeo, që për sharm i mban sytë si Merlini, gjysmë të hapur, apo gjysmë të mbyllur, i është kthyer gruas, me rekomandimin e djemëve të tij, (ia ka falë gruas krimin e përgjimeve, me kusht që mos me përgju më), ndërsa të dashurën e ka lënë me zemër të thyer, por krenare.
Me meditje të Kuvendit, Romeo e ka bërë “dashnorin”, siç rëndomë bëjnë zyrtarët e lartë të shtetit, nuk i nxjerrin paret e veta prej xhepi, por frustrohen e paraqiten “dashnorë”, siç do të thoshte Mufail Limani “jeb.ça”, me pare të shtetit.
– Mufail Limani e ka shkruar këtë këngën me “jeb.ça” për Prishtinën, dhe ia ka dhënë për ta kënduar një drenicasi, të cilin mend e lënë me bë m’i thënë se je nga “Çirezi”, tranohet po u habite e i the “drenicak”.
E ka marrë për model këngën “Tirana” të Edi Ramës, ama Mufaili nuk ka menduar se kjo kënga e tij do të dëgjohet gjatë javës vetëm nga 40 mijë veta.
Ka kujtuar se e çon Prishtinën në këmbë.
Ka dështuar për pak ta çojë Prishtinën n’hava, shkaku se autori ka harruar të triumfojë në fund të këngës që është demoralizuese.

Pak pozitivitet u dasht, të thotë në fund të strofës, se do ta nxjerrim Prishtinën nga kthetrat e Shpendit anipse Albini tha dje se, Shpendi ka krahë, se e ka emrin Shpend.
(Përfytyro Shpendin duke fluturuar mbi stacionin e autobusëve të Prishtinës, në kuadër të monitorimit).
Plus Mufaili ka harruar se “Krejt Prishtina” e dinë se Mufaili është shok i ngushtë i Kadri Veselit.
Mendja e tij, kur ta dëgjojnë rinia çfarë tragjedie paska ndodh me Prishtinën, çarten, dhe në hidhërim e sipër e votojnë Lirakun.
– Kështu, në vazhdën e ndihmave politike, edhe Edi Rama i erdhi në ndihmë PDK-së, duke ia marrë në qeverinë e tij, kundërshtarët më të mëdhenj të Presidentit Thaçi dhe PDK-së.
Hajrullahu e ka quajtur portretin e Enver Hoxhjajt në fotografi “idiot”, ndërsa Ramadan Mujës, duke e përqesh, ia ka ndërruar “ADN-në”.
Nuk dihet më se Ramadani e din ujë latinishten, e kanë “shpërfytyruar” aq shumë, sa krejt çka dihet për të është se është “kriminel plak”.

Kur Driton Selmanaj u bë politikan, Hajrullahu u pat çartë, ka pas thënë se hiç s’është e lavdueshme që pjesëtarët e shoqërisë civile të merren me politikë.
E Shahini, motër a çka e ka gruan e Enver Hoxhajt, ajo ashiqare ka protestuar kundër Hashim Thaçit dhe gjithmonë, me mendje e me zemër ka qenë me Vetëvendosjen, e dashuruar në “bishën” e kësaj lëvizjeje.
Pra, Edi Rama i ka ndihmuar PDK-së, duke i marrë me vete kundërshtarët më të mëdhenj të saj.
– Kundërshtar ndoshta nuk është, s’besoj, ama, kundërthënës, mendjemadh apo krenar, sa të duash. Selim Pacolli s’di çka ish puna e tij, secilën ndërtesë institucionale që e sheh, që ia ngjet rrotat, dhe e zhvendos në imagjinatën e tij, diku në periferi të imagjinatës së tij, patjetër.
Ndërtesën e qeverisë e sheh si qendër të ardhshme tregtare, Ndërtesën e UP-së, e sheh si Qendër Islamike, Postën e sheh si Raketë, ndërsa Termokosin si minare.

Duket sikur truri i tij sheh vetëm zhvendosje, dhe kujton se problemi kryesor i Prishtinës janë ndërtesat, që nuk janë në vend të vetin.
Se, sikur ndërtesat të ishin në vendin e tyre (dhe të ndërtuara sipas shijes së tij, nga firma e tij), krejt tjetër muhabet kish qenë, nuk kish pasur kaq shumë vuajtje në Prishtinë.
Kur dha gjak (me sy kah kamerat), Selim Pacolli (pa shall të jorgovantë), shkroi në FB se “dhash’ gjak për aksidentet e ardhshme”.
A mund ta merrni me mend se si funksionon mendja e një njeriu që e përpilon fjalinë “dhash’ gjak për aksidentet e ardhshme që do të ndodhin”.

Paradite Selimi (me shall të jorgovantë) foli për Qendrën Islamike (demek, mundohet m’i josh myslimanët), kurse në mbrëmje shërbeu e piu raki e birra në një kafiteri të kryeqytetit.
P.S. I vetmi Institucion që momentalisht i jep kuptim shtetit është Presidenca. Aty së paku po ndodh diçka (përjashto Blerim Shalën, që nuk e ka vendin aty. Edhe ai do të duhej të ‘zhvendosej’, sahat e para nga aty).
Përndryshe, Ramush Haradinaj ua ka falur hajnave të ujit, 60 milionë Euro.
Por, as ky lajm neve nuk na bën të çartemi.
Pse!
Sepse, e kemi humbur besimin.
Më e keqe sesa e keqja, është indiferenca.

Prapaskenat e faljes së 58 milionë eurove nga kryeministri

Në qershor të këtij viti prodhuesit e ujit dhe ata të pijeve alkoolike u mblodhën në Odën Ekonomike të Kosovës, për të parë mundësinë e gjetjes së një marrëveshjeje për kthimin e borxhit prej 58 milionë eurove ndaj shtetit

Madje kishin krijuar edhe grup punues i cili do të fliste me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe për hartimin e një marrëveshjeje mes tyre për tu zgjidhur ky problem. Gazeta Fjala ka siguruar transkriptin nga ky takim ku palët në fund janë marr vesh që të filloj kthimi i borxheve, por që vetëm katër muaj më vonë kryeministri Haradinaj mori vendim për faljen e tyre.

“Hapi i tretë- pas nënshkrimit të marrëveshjes, Ambalazhuesit e ujit të bëjnë vet-deklarimin vullnetarë të obligimeve financiar (sipas rekomandimeve të grupit punues) ndaj MMPH-së, që dalin nga Udhëzimit Administrativ për Strukturën e Pagesave të Ujit nr .06/2006”, thuhet në njërën nga rekomandimet që dalin nga ky takim ku prezentë kanë qenë prodhuesit e ujit dhe pijeve alkoolike dhe joalkolike dhe përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

Prodhuesit e ujit nga ky takim janë pajtuar po ashtu që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bazë të deklarimit nga Ambalazhuesit e Ujit (të përcaktuar në marrëveshje), të përgatisë vendimet financiare për pagesat e obligimeve në përputhje me ligjin dhe marrëveshjen.

“Hapi i dytë- Nënshkrimi i marrëveshjes së lartëcekur në mes të MMPH-së dhe Ambalazhuesve të ujit”, thuhet në transkriptet e kësaj mbledhjeje.

Por kjo marrëveshje nuk do të arrihej kurrë. Vetëm katër muaj më vonë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori vendim që t’i fal të gjitha borxhet milionëshe, që prodhuesit e ujit i kanë krijuar ndër vite ndaj shtetit.

Gazeta Fjala ka kontaktuar me kryetarin e Shoqatës së Prodhuesve të Pijeve Alkoolike dhe Joalkolike, Bashkim Osmani, por ai nuk ka qenë i gatshëm të tregoj se pse kjo marrëveshje për kthimin e borxheve nuk u arrit kurrë. Ai nuk e ka komentuar as vendimin e kryeministrit Haradinaj.

Sipas një raporti që i është dorëzuar Zyrës së kryeministrit, një kopje të te cilit e ka siguruar Gazeta Fjala, vlerësohet se totali i borxheve që prodhuesit e ujit e kanë ndaj shtetit, për periudhën 2008-2015, është 58 milionë e 936 mijë e 715 euro. Totali është mbledhur nga taksa për shfrytëzimin e ujit, për shkarkimin e ujit dhe nxjerrjen e materialeve inerte.

Ky vendim i kryeministrit Haradinaj për faljen e borxheve prodhuesve të ujit vjen përkundër faktit se këto borxhe po trajtoheshin nëpër gjykata. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka vite që është duke u përballur me këto kompani në gjykata, për kthimin e borxhit.

Kërkohet hetim për faljen e borxheve

Vendimi i Hardinajt ka ngjallur reagime të shumta nga opozita dhe njohësit e ekonomisë, duke e quajtur një vendim arbitrar të kryeministrit dhe kanë kërkuar edhe hetime nga prokuroria.

Pas publikimit të tekstit nga Gazeta Fjala, mbi faljen e mbi 58 milionë eurove milionë eurove nga Qeveria e Kosovës, kanë nisur edhe reagimet.

Shoqëria Civile dhe deputetët e opozitës kanë kërkuar përgjegjësi për këtë veprim të Haradinjat. Sipas tyre, ky vendim tregon shpërfilljen e Qeverisë ndaj parasë publike.

Po ashtu deputetet e opozitës në deklarime për media kanë paralajmëruar se do të kërkojnë sqarime nga kryeministri Haradinaj rreth këtij vendimi.

Kurse, publicisiti Veton Surroi në një shkrim në Facebook ka thënë se nëse janë falë 59 milionë euro obligime ndaj shtetit, është dritë e kuqe e ndezur për korrupsion.

“..janë para që kanë mundur të përdoren në cilëndo sferë publike që ka nevojë urgjente parash (prej arsimit te shëndetësia), janë para që kur nuk mblidhen nga afarizmi duhet të mblidhen nga xhepat e qytetarëve, tregon shpërfillje të Qeverisë ndaj parasë publike, pra edhe ndaj interesit publik, është udhëzim që qytetari që paguan me rregull obligimet është i dënuar nga shteti; i favorizuar është ai që nuk paguan e i falën”, ka shkruar Surroi.

Kush janë borxhlinjtë që u falen

Në bazë të dokumenteve që posedon Gazeta Fjala, borxhliu më i madh del te jetë ndërmarrja sh.p.k. Arbëria që prodhon Ujin e Alpeve, e cila ka borxh mbi 9 milionë euro. Vendin e dytë e zë ndërmarrja Fluidi me afro 4.5 milionë euro, e pasuar nga Compact Group që prodhon ujin DEA apo uji Miros që kanë mbi 3 milionë euro borxhe secila.

Në listën e borxhlinjve figurojnë edhe Ujë Rugove me pronar Visar Klemendin dhe Birra Peje e cila është në pronësinë e kompanisë Devolli.

Gazeta Fjala ka siguruar një kopje të këtij vendimi i cili e ka shfuqizuar një nen të Udhëzimit Adminsitrativ përmes të cilit prodhuesit e ujit obligoheshin që ti kryejnë borxhet në mënyrë retroaktive.

“Aprovohet falja e borxheve për Ambalazhuesit e ujit, të paraparë në nenin 12 të Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr. 02/2016 për Struykturën e Pagesave të Ujit”, thuhet në vendimin e Haradinajt, i cili ka hyrë në fuqi qysh ditën e nënshkrimit.

Ndërkohë neni 12 i Udhëzimit Administrativ për Strukturën e Pagesës së Ujit, i cili u shfuqizua nga vendimi i kryeministrit Haradinaj, ka paraparë që të gjitha borxhet e akumuluara që nga paslufta, prodhuesit duhet t’i paguajnë në mënyrë retroaktive.

“Të gjithë detyruesit te cilët deri në hyrjen në fuqi të këtij Udhëzimi Administrativ nuk i kanë kryer detyrimet, obligohen që brenda afatit prej dy (2) vitesh t’i kryejnë detyrimet e parapara me Udhëzimin Administrativ Nr.06/2006”. UA nr 02/2016 ka hy në fuqi në mars të vitit 2016”, thuhet në këtë nen.

Gazeta Fjala ka raportuar ndër vite për këtë problematik dhe i posedon në tërësi dokumentacionin dhe emrat e kompanive të ujit që i kanë borxh shtetit dhe vlerën e borxheve. /Gazeta Fjala/

Plani i Sadri Ramabajës për vrasjen “tradhtarëve” në krye me Hashim Thaçin

Sadri Ramabaja, besonte se një grup prej 10 anëtarësh, do të mund t’i vrasin 30 udhëheqës politikë në Kosovë dhe mos të zbulohen nga shteti. Ai e shihte me rrezik zgjerimin e anëtarëve të “Syrit të Popullit”. Ramabaja, pretendonte se në Kosovë veprojnë 38 shërbime të huaja të spiunazhit. Insajderi, sjell pretendimet e Prokurorisë kundër Sadri Ramabajës

Sadri Ramabajës, nuk dëshironte që lista e pjesëtarëve të organizatës “Syri i Popullit” të kishte më shumë se 10 anëtarë, pretendon Prokuroria. Ramabaja, besonte se me kaq anëtarë do të vriteshin 30 zyrtarë shteti në Kosovë dhe mos të zbuloheshin kurrë. Sa më shumë që do të zgjerohej kjo listë “patriotësh” për vrasje “tradhtarësh” në krye me presidentin, Hashim Thaçi, rreziku do të ishte më i madh.

Ramabaja, pretendonte se në Kosovë veprojnë 38 shërbime të huaja, të cilat mund ta rrezikojnë misionin e tyre. Përfshirjen e Sadri Ramabajës në planifikimin e vrasjes “tradhtarëve”, pretendohet se e ka zbuluar Njësia kundër terrorizmit e Policisë së Kosovës. Pretendime të rënda për përfshirje në këtë komplot që ka rezultuar me plagosjen me armë zjarri të avokatit, Azem Vllasi janë renditur në kërkesën e prokurorit special, Sylë Hoxha për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh për Sadri Ramabajën.

Insajderi ka siguruar një kopje të saj

Kësisoj, Ramabaja, që u arrestuar gjatë fundjavës në Durrës duke u përpjekur të ikte nga Kosova, me dokumente të bashkëpartiakut të tij, Xhevat Bislimi, tashmë ndodhet në paraburgim prej 30 ditësh.

Policia ka zbuluar se Ramabaja e kishte diskutuar me 11 mars 2017 planin e vrasjeve më Murat Jasharin në restorantin “Vila Panorama” në Matiçan të Prishtinës.

Prokuroria ka thënë se Sadri Ramabaja, ka mbajtur kontakte me shtetasen rumune Mona Agrigoroaiei, ndaj të cilës janë zgjeruar hetimet për të njëjtat vepra penale si pjesëtare e organizatës kriminale “Syri i Popullit”.

“Më datën 11 mars 2017, Ramabaja është takuar më të pandehurin Murat Jasharin në restorantin ‘Villa Panorama’ në fshatin Matiçan. Në këtë takim janë përmendur grupe të personave prej 10 vetë”, shkruan në kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.

“Aty saktësohet se në këtë takim, Ramabaja ka sugjeruar që grupi mos të zgjerohet me më shumë se 10 persona.

“Ramabaja i ka thënë (Murat Jasharit v.j.) ‘po të sugjeroj që mos më u zgjerua më shumë se 10 veta. Identifikimi i njerëzve është i rrezikshëm. Ti nuk mundësh më nga ky kënd, sepse në Kosovë janë 38 shërbime. Kushdo që përdor banka nuk ka shanse pa u zbulua. Me 10 veta duhet me u krye. 5-6 veta shumë të besueshëm, nuk guxon ashtu të zgjerohesh’”, pretendohet se ka thënë Ramabaja në këtë takim.

Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe Avni LLumnica. Në këtë takim, Ramabaja i ka dhënë Murat Jashart numrin e telefonit të Ramiz Mavriqit, i cili më vonë e kishte kontaktuar avokatin Azem Vllasi dhe i kishte caktuar një takim.

Në atë “takim”, Murat Jashari kishte provuar ta vriste Azem Vllasin, duke e plagosur me një plumb në krah.

Si i dyshuar në këtë rast përmendet edhe personi Ragip Sallova.

Avokati i Ramabajës, Ramiz Krasniqi ka hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë. Ai e ka pohuar se Ramabaja po largohej nga Kosova, që sipas tij nuk donte t’i ikte drejtësisë, por të shpëtonte nga një plan i vrasjes së tij.

Krasniqi ka thënë se anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte marrë një informatë nga një pjesëtar i AKI-së që të largohej përkohësisht nga Kosova për shkak se ai dhe familja e tij janë në rrezik.

“Po është fakt i pamohueshëm. Ky ka ikur nga Kosova sepse ka qenë seriozisht i kërcënuar prej disa shërbimeve të caktuara”, ka thënë avokati Krasniqi.

“Ky ka marrë informatë nga një pjesëtar i AKI-së i cili e ka sugjeruar që të largohet për një kohë të caktuar nga Kosova sepse jeta e tij dhe e familjes është seriozisht e rrezikuar”, ka shtuar avokati.

Kur është pyetur se pse nuk ka kërkuar mbrojtje nga shteti për shkak “të rrezikut”, Krasniqi ka thënë se klienti i tij dyshon se Policia ia ka montuar rastin.

Dy ditë pas plagosjes së Azem Vllasit, Insajderi kishte botuar rrëfimin e Murat Jasharit. Në këtë rrëfim të dhënë në Gjykatë, Murat Jashari kishte folur në detaje për planet e tij. Ditën e sulmit, ai ishte zgjuar fiks në 05:46. Kishte larë sytë, e më pas kishte ndezur një cigare. Fiks 18 minuta më vonë kishte kryer dy obligime fetare, një të fesë myslimane e një tjetër të fesë katolike.

Pak kohë më vonë do të pinte një gotë raki dhe do të provonte ta vriste Azem Vllasin.

“Në ora 06.04 kam marrë abdes, jam kthyer nga Manastiri qyteti i shenjtë i yni, kam ba kryq për ortodoksë shqiptarë, për katolikë shqiptarë, paraardhësit tanë dhe ata qe jetojnë. Katër reqate i kam falë, babë e nën mysliman, dova nuk di por për hir të prindërve dhe myslimaneve popullit tim shqiptar”, kishte rrefyer Jashari, para gjyqtares së procedurës paraprake në Gjykatën Alltëne Mureseli.

Pasi kishte kryer ritet fetare, në orën 06:45 Jashari rrëfen sesi kishte nxjerrë revolen dhe në të kishte futur një plumb.

Më pas ishte nisur nga hotel “Fontana” që gjendet në periferi të kryeqytetit, kishte zbritur në qendër. Aty kishte blerë gazetat ditore dhe kishte hyrë në lokal.

“Kam pi një kafe, një gotë raki, një gotë ujë…”, rrëfente Jashari.

Kishte pritur deri sa të bëhej ora 07:40. Pesë minuta më vonë, Jashari kishte filluar ta bëjë planin për të shkuar në zyrën e Vllasit, të cilin e plagosi. Jashari thoshte se nuk e ka pasur në plan të vras atë.

“Në ora 07:45 shkova me rrahë në zile tek Azem Vllasi. Doli në derë por nuk e hapi derën si shqiptar, dhe me pyeti se kush jam. Kam thënë Avniu jam. Për çka ke ardhë, jam prej Matiqani dhe kam një kontest”, ka thënë Jashari.

Jashari kishte rrëfyer ka dashur vetëm ta plagosë Vllasin. Madje sipas tij, ai e ka gjuajtur në bark e jo në kraharor.

“E kam gjuajtur me mendimi timin në bark për ta plagosur, dhe e kam gjuajtur me vetëm një plumb, vetëm që të hjek edhe ky person për jetë”, rrëfente Jashari.

Gjatë rrëfimit, ai kishte thënë se vuan nga probleme psikike.

“Me Azem VIlasin kam urrejtje patologjike për të gjitha çka i ka bërë në vitet tetëdhjeta. Kam pas për qëllim për 11.03.2017 me e plagos që të hjek në këtë bazë”, kishte thënë Jashari.

Veteranët: Hysni Gucati shiti certifikata të veteranëve për tre mijë euro (video)

Dhjetëra veteranë të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës kanë protestuar sot në sheshin “Skënderbe”, duke kërkuar pensionet e tyre të cilat nuk i kanë marrë tash e tre muaj. Ata thanë se gjendja e shokëve të tyre është aq e vështirë sa që po vetëvriten çdo ditë

Ata kanë marshuar drejte ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Me pamflete në duar “Padrejtësia, vrasje me paramendim , kujdes Qeveri”, “Kujdes Mos Luani me nënat e UÇK-së”. E zhgënjyer e me dëshpërim ka folur përfaqësuesja e protestuesve, Valentina Haliti e cila ka kërkuar që sa më parë, buxheti për veteranët të miratohet dhe veteranët e vërtet t’i marrin pagat.

Haliti: Veteranët e vërtet po vetëvriten çdo ditë, nuk i kanë as 2 euro

“Nga disa bashkëluftëtare të mi më vini mesazhe, na vjen keq po nuk i kemi as 2 euro me dal në protesta sepse në këtë gjendje na la Qeveria jonë. Gjithashtu kam edhe esemesa që më kanë shkruar, duam të vrasim veten, nuk duam të jetojmë më, prandaj jam shumë e emocionuar iu them edhe një herë edhe dua tu bëjë thirrje të gjithëve, shqiptarëve, kush ka zemër shqiptari, qeveritarëve që rrinë të ngujuar aty nëpër miliona t’i thërrasin ndërgjegjes sepse veteranët e vërtet po vetëvriten nga skamja”, tha Haliti.

Ajo po ashtu kishte mesazh të qartë për përfaqësuesit e pushtetit se ata janë veteran të vërtet dhe nuk i përkasin asnjë partie politike. Por gjithashtu ka drejtuar gishtin tek OVL-ja, që sipas saj, kanë shit certifikatat të veteranëve për tre mijë euro.

Haliti: OVL-ja shet certifikata nga 3 mijë euro

“Tani dua t’u tregoj këtyre njerëzve të pushtetit se ne jemi veteran të vërtet, nuk jemi grupacione, nuk jemi të përfaqësuar nga asnjë shoqatë edhe nuk kemi lidhje me partitë politikë. Por jemi luftëtar të denjë të lirisë çlirimtarë të Kosovës …. Shoqata e OVL-së është kryesori Hysni Gucati i ka shit certifikata nga 3 mijë euro le të del këtu para meje. Unë jomë dëshmitare ….Ndërkohë që jep deklarata nëpër media Hysni Gucati unë nuk e përkrahi protestën, e kush na përkrah neve. Shoqata është për të drejtat e veteranëve dhe jo për të drejtat e xhepit. U bënë me xhipa, u bënë milioner. Ata komandat që hanin lëng të djegëset deri dje me neve, komandantet që e mbanin bukën në xhep dhe e ndanim për gjysmë, sot nuk na njohin, sot nuk guxojnë të na dalin përpara neve sepse janë vegël e Qeverisë, vegël e krimineleve”, tha Haliti.

Ajo me emocione e lot në sy ka kërkuar nga Qeveria që të mos bëjë ligje që nuk i miraton. Po ashtu, edhe Januz Kogjuli, tha se gjithë veteranët e vërtet po vuajnë në kurriz të hajdutëve e krimineleve. Kjo protesta sipas tij, nuk është protestë politike por nga veteranët e vërtetet.

Kogjuli: Po na përdorin si vegël

“Qe tre muaj nuk është marrë asnjë pagë. Veteranin që 20 vjet prej se ka përfunduar lufta asnjë herë s’kanë dal as Shoqata as njerëzit që e kërkojnë votën çdoherë nga veteranët nga njerëzit që kanë luftuar, i përdorin vetëm si vegla personale…I kërkoj kryeministrit që fëmija i veteranit s’kanë libra, fletore, veshmbathje. Veteranët nuk kanë ushqim për i dhënë fëmijëve. Është duke ardhur dimri, nuk kanë dru asgjë para shpirti“, tha Kongjuli. Ardian Boletini që vjen nga familja e Isa Boletini, ka treguar se ka qenë pjesë emtë gjitha luftërave në Ballkan i ka bërë thirrje kryeministrit Haradinaj që t’u japë pagat.

Boletini: Qeveria të na jap paratë, ata janë fajtorë

“Fajet i ka Qeveria, Ministria e Financave, Kjo është padrejtësi që po u bëhet pjesëtareve të UÇK-së. I bëjmë thirrje kryeministrit të Kosovës , Ramush Haradinaj. Me na qit pagesat se kjo është padrejtësi se buxheti është”, tha Boletini. Grupi organizativ i protestuesve kanë takuar kryeministrin Ramush Hardinaj, ku nga ai janë informuar se Qeveria e ka kryer punën e vet e ka proceduar ligjin në Kuvend.

Haliti: Kryeministri na tha se e ka kryer punën Qeveria, shkoni në Parlament

“Kryeministri tha kështu shkurt, nga ana e jonë është kryer, nëse keni ndonjë problem shkoni në Parlament aty e keni problemin. Unë do të mundohem që t’u ndihmoj që të miratohet buxheti sa më shpjet të thirret një seancë plenare sa më shpejtë. Po ai tha se nuk është në kompetencat e mija që të thërras seancë . Tani duhet me shkua më teje. me shkuar në Parlamet”, tha Haliti.

Ndërsa, protesta ka vazhduar para parlamentit ku edhe po presin të takohen me krye parlamentarin Kadri Veselin , për të ditur se kur do të thërret seancën për miratimin e rishikimit të buxhetit. Aktualisht veteranët ndodhen para ndërtesës së parlamentit.

Punësimet e jashtëligjshme të Arban Abrashit gjatë kohës sa ishte ministër

Kandidati i LDK-së në Prishtinë, Arban Abrashi ka premtuar se do të sjellë rregull në komunën e Prishtinës, nëse do ta merrte besimin e qytetarëve të kryeqytetit

Por, një gjë tillë Abrashi nuk e ka dëshmuar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, sa ishte ministër. Partia e Abrashit në vazhdimësi ka kritikuar kryetarin aktual Shpend Ahmetin për punësime siç kanë thënë të jashtëligjshme.

Për punët hiç mirë me punësime nuk i ka pasur Abrashi në ministrinë që e kishte drejtuar, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Auditori kishte zbuluar se kjo ministri kishte bërë punime të jashtëligjshme.

“MPMS kishte 22 persona të angazhuar me marrëveshje për shërbime të veçanta. Ne kemi testuar katër kontrata dhe kemi vërejtur se në dy raste kontratat ishin vazhduar çdo gjashtë muaj. Kjo është në kundërshtim me rregullat e aplikueshme. Pagesa e tyre ishte bërë nga mallrat dhe shërbimet dhe arsyeja e angazhimit ishte mungesa e buxhetit për paga dhe mëditje. Vlen të theksohet se MPMS kishte pozita të aprovuara të punëtorëve të mjaftueshme mirëpo nuk kishte buxhet të mjaftueshëm për mbulimin e pagave të tyre”, thuhet në raportin e Auditorit për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Auditori ka vlerësuar si rrezik se angazhimi i punëtorëve me marrëveshje për shërbime të veçanta, më gjatë se koha e përcaktuar mund të rezultojë në mos efikasitet operacional dhe mosarritje të objektivave të organizatës. Ndërsa, numri i lartë i tyre mund të shkaktoj kosto shtesë për shërbimet e ofruara.

Fatos Lubonja: Pse amerikanët mbështesin politikanët autokratë

Deri ditët e fundit ambas adori amerikan Lu e la në suspens shpjegimin e deklaratës së tij se katër klane dhe njëzet familje kontrollojnë vendin. Kjo bëri që ajo të komentohej gjatë gjithë javës që shkoi si asnjë lajm tjetër. Më skeptikët thanë se kemi të bëjmë me një keqinterpretim apo ekzagjerim të medieve, sepse ambasadori deklaroi edhe se është i lumtur në Shqipërinë e Ramës, jo si ata 56% që duan të ikin. Disa thanë se ky ishte një reagim emocional, që e kishte nxjerrë ambasadorin jashtë kornizave të diplomatit. Edi Rama tha se kjo ishte një ndihmë që po i jepte ambasadori në luftën kundër krimit. Por më të shumtët e interpretuan deklaratën e tij si një “bombë” të hedhur kundër qeverisë. Dhe ky interpretim, duke pasur parasysh mbështetjen që i ka dhënë Lu qeverisë Rama, u bë problemi i problemeve. Sepse pyetja që ngrihej logjikisht ishte: mirë që e kontrollojnë vendin, por si e kontrollojnë?

Cili është raporti i këtyre kontrollorëve me kontrollorin e madh: shtetin dhe qeverinë? Mos ambasadori mendon se shteti ndihet shumë i dobët përpara këtyre klaneve që janë të mirëorganizuar? Apo se ka disa segmente të shtetit që janë të lidhur me krimin? Apo ka filluar të mendojë edhe ai, si një pjesë jo e vogël, se krimi dhe shteti janë e njëjta gjë në Shqipërisiç ndodhi edhe me ambasadorin Arvizu që andej nga fundi i mandatit e mori vesh se ç’ndodhte te ne? Kategoria e këtyre komentuesve filloi të ndërtojë shpresën se Amerika e mori vesh, më në fund, se çfarë po ndodh në Shqipëri, e njohu fytyrën e vërtetë të Edi Ramës dhe tani gjërat do të ndryshojnë, se s’mund të lejojnë ata një gjendje të tillë. Shikoni kur të nxisin popullin të ngrihet në kryengritje, (se kot nuk foli ambasadori për të drejtën e popullit për të përmbysur qeveritë), apo kur të vijnë ata të FBI-së ta pastrojnë vetë vendin nga krimi.

Mirëpo më në fund ambasadori foli prapë e dha një përgjigje që na i davariti këto hamendje të shumta. Nëpërmjet një komunikimi virtual me gazetarin Skënder Minxhozi ai iu drejtua politikanëve që të mos grinden me njëri-tjetrin, por të punojnë për të futur në burg kriminelët. Nëse deklarata e parë mund të quhej bombë, kjo e dyta na bëri t’i vëmë bombës epitetin lotsjellëse.

Po si ka mundësi të mos të të vijë për të qarë kur sheh se ambasadori ende nuk e paska marrë vesh se këta nuk mund të presin degën ku janë ulur? Po si të mos qash kur mendon se gjithë ajo ambasadë, gjithë ai personel nuk ka fare memorie institucionale, por punuakan si institucionet tona që kur ikën një shef merr me vete krejt personelin, me gjithë kompjuterët, dhe tjetri vjen e fillon nga zeroja. Nuk e dinë këta se kjo e lidhjes me krimin është një histori në vazhdim, se struktura jonë autoritare vertikale e pushtetit nuk lejon as të imagjinohet se dikush mund të guxojë të ndërtojë një shtet që kontrollon shtetin pa bashkëpunimin me shtetin. A nuk kanë këta fare ndonjë dokument që flet për lidhjet e hershme dhe të reja të Kryeministrit (dhe jo vetëm) me trafikantët, për televizionet e ngritur me paratë e drogës, për kryebashkiakët trafikantë, për deputetët vrasës etj? Le që s’ka nevojë të kesh memorie fare, se lidhjet me krimin këtu duken sheshit. A nuk e sheh ambasadori se pasi Erjon Veliaj na tha se kemi me mijëra apartamente bosh tani kryeministri ka lançuar një plan ndërtimi kullash dhe qendrash tregtare që s’ka shqiptar që s’e di se nuk mund të ndërtohen përveçse nga paratë e krimit dhe kanabizimit?

Me një fjalë: a mund të mendohet se ambasadori nuk e di këtë gjendje që në anglisht e quajnë “state captured” (shtet i kapur). Personalisht nuk e besoj këtë. Kam një mendim tjetër që më bën të mendoj se deklarata e ambasadorit ishte një tërheqje veshi për gjeneralët se disa nga ushtarët e tyre të krimit po bëjnë ca si shumë zullume dhe po prishin imazhin që mezi e kemi ndërtuar me vetingun, prandaj duhet të futin brenda ndonjë syresh, qoftë edhe sa për sy e faqe! Dhe këtë arsyetim unë e lidh me rëndësinë që kam parë t’u japin amerikanët demokracisë dhe shtetit të së drejtës në raport me rëndësinë që u japin lidhjeve direkte me politikanët autokratë që drejtojnë vende si ky i yni. Kur kujtoj presionin që ushtroi dyshja Arvizu – Rama për të sjellë mbetjet siriane të armëve kimike në Shqipëri, me gjithë protestat popullore, kur kujtoj se në SHBA u bë nami vetëm për dy ujgurë që deshën t’i fusnin në territorin amerikan, kurse Berisha ua pranoi të gjithë, kur kujtoj se muhaxhedinët u refuzuan nga vende shumë më të fuqishme europiane sesa i yni, kurse Rama ua hapi portat kanat, them me vete: këtyre u intereson që vendi ynë të drejtohet më mirë nga autokratë që përdorin edhe paratë e mafies për të bërë një foto me presidentin e Amerikës, sesa nga demokratë që e kanë një lloj dinjiteti dhe kërkojnë që edhe vendi i tyre të ketë dinjitet në mes të vendeve ku sundon ligji.

Prandaj ngulmoj se në vend të shpresës te bombat e ambasadorëve, që shpesh na dalin lotsjellëse, është më mirë t’i ndërtojmë shpresat mbështetur në atë thënien tonë të urtë: “I zoti e nxjerr gomarin nga balta”.

Revista Mapo: Ja shqiptarët më popullorë online

Studimi i Departamentit të Komunikimit të UET bën klasifikimin e 100 personave më të ndjekur në rrjetet sociale dhe i jep përgjigje pyetjes se ku ndahen e ku priten hapësira publike tradicionale me atë virtuale në terma të personazheve dhe figurave kryesore që ato prodhojnë

“Rama do t’i rrisë pensionet, e pashë në internet..”, “ E pe ca tha Enca për Nozin… e ka nxjerrë Ermali”, “ç’i ka punu Berisha Saje qorrit, i ka nxjerrë malet me cannabis”… “Muç Nano e boni helaq Skënderbeun…”. Këto e të tjera “sihariqe” të këtij lloji i gjen në bisedat midis njerëzve të grupmoshave të ndryshme në Shqipëri, nga adoleshentë te 70-vjeçarët. Shumica ka akses në rrjetet sociale dhe kryesisht në facebook. Ka pak njerëz të moshës madhore në Shqipëri, që nuk e kanë një profil në facebook, e aty gjejnë informacione nga më të ndryshmet që iu vijnë nga politikani më i rëndësishëm e deri te “VIP-i” më pak i ndjekur në rrjetet sociale.

Nga 2911000 njerëz që banojnë në Shqipëri, 1932024 janë përdorues të rregullt të internetit dhe nga këta 1400000 kanë një profil të hapur në Facebook . Rrjeti i dytë më i ndjekur ishte Instagrami, me gati gjysmën e personave që gjenden në Facebook, 680.000 dhe më pas vjen Tëitter dhe rrjetet e tjera.

Politikanë, gazetarë, artistë e figura të tjera publike s’e kanë pasur kurrë më parë më të lehtë komunikimin me audiencën e tyre. Kurrë më parë nuk e kanë pasur më të lehtë për të kuptuar se sa pëlqehen dhe prej cilës kategori të shoqërisë pëlqehen. Janë rrjetet sociale që e garantojnë këtë për këdo.

Kanë ndryshuar kaq shumë kohët. Dikur gjithçka merrej vesh kryesisht përmes mediave të shkruara sepse edhe mediat vizive ishin të kufizuara. Jo më shumë se 10-15 vjet më parë, lajmet mbërrinin tek audienca përmes gazetave dhe televizioneve të pakta që ekzistonin. Gjithçka duhej kërkuar për të hulumtuar se sa ndiqen në publik kërkohej përmes tirazhit të gazetave. Tani është kaq e thjeshtë dhe pa kosto.

Shqipëria e pasqyruar përmes një këndvështrimi analitik online, është thelbi i një studimi të kryer nga departamenti i Komunikimit në Universitetin Evropian të Tiranës. Studimi i kryer nga pedagogët Irena Myzeqari, Lorena Licenji, Albana Nexhipi dhe Alket Braho, sjell të dhëna mjaft interesante sa u përket profileve publike më të ndjekura në vend. Ermal Mamaqi është i preferuari i shqiptarëve. Me më shumë se 2 milionë pëlqime ai lë pas në renditje emra si Edi Rama, Sali Berisha e Bleona Qerreti, të gjithë figura të dashura për publikun shqiptar, duke u bazuar te like-t.

Ka një klasifikim të personave më të pëlqyer në katër kategori. Politikanë, ku janë studiuar vetëm politikanë. E dyta është Individuum, ku janë renditur Gazetarë, opinionistë, liderë fetarë apo edhe studiues e akademikë. E treta është Art-Sport, ku janë renditur artistë e sportistë. E katërta, Entertainment, ku përfshihen ata persona që shquhen apo janë të famshëm “pa asnjë arsye”.

Vlen për t’u theksuar se këto kategori janë thjesht orientuese dhe mund të ketë vend për diskutim nëse një profil i përket plotësisht kategorisë ku është vendosur apo mund të jetë në dy vende njëkohësisht.

Sa i përket preferencave mbi rrjetet sociale shqiptarët mbeten besnikë të Facebook, ndërsa Instagrami renditet i dyti me një numër të përgjysmuar ndjekësish krahasuar me të parin. Një pasqyrim objektiv, i bazuar në të dhëna të verifikueshme, vjen përmes studimit të UET. Hallka e parë e studimit përfshin mbledhjen dhe nxjerrjen e të gjithë personave me numrin më të lartë të pëlqimeve në Facebook. Pas evidentimit, hapi i dytë analizon personazhet se në cilat kategori ato bënin pjesë dhe së fundmi, renditja e tyre nga personi më i pëlqyer tek ai me më pak, duke ndalur numërimin te 25, shifër e cila përmbyll edhe klasifikimin për secilën nga kategoritë. Ndarja në kategori ishte hapi më i rëndësishëm i punimit duke qenë se kjo nënkupton analizimin e faqes por edhe postimeve të secilit prej personave dhe gjetjen edhe të përbashkëtave midis tyre.

Sa i përket ndarjes në kategori, te Politika është në krye të klasifikimit Edi Rama, i ndjekur nga Sali Berisha e më pas Erion Veliaj e Lulzim Basha. Te kategoria Individuum, në krye të klasifikimit është Elvis Naçi, i ndjekur nga Olti Curri. Te kategoria Art-Sport në krye të klasifikimit është Bleona Qerreti e ndjekur nga Alban Skënderaj dhe në kategorinë Entertainment, në krye të klasifikimit është Ermal Mamaqi, i ndjekur nga Luana Vjollca, Angela Martini, Bes Kallaku e të tjerë pas tyre.

Dhjetë më të popullarizuarit:

1.Ermal Mamaqi 2067285
2.Edi Rama 1124392
3.Sali Berisha 1066951
4.Bleona Qerreti 965565
5.Alban Skenderaj 931199
6.Elvana Gjata 925134
7.Xhensila Myrtezaj 886363
8.Luana Vjollca 840466
9.Angela Martini 835967
10.Eni Koci 741487

Dënohet zyrtari që udhëhiqte financat në Zyrën e Kryemininstrit

Zyrtari i Qeverisë së Kosovës, Zahir Bajrami, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 1 vit e gjysmë burg, ndërsa djali i tij Adriani me 10 mijë euro gjobë me kusht, dhe 1 vit burg me kusht për dy vjet verifikimi

Zahir Bajrami akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa djali i tij, Adriani, për mashtrim.
Gjykata refuzoi kërkesën e prokurorisë që atij t’i ndalohet ushtrimi i profesionit.

Sipas aktakuzës, Zahir Bajrami përmes djalit të tij Adrian Bajramit më 9 shkurt të vitit 2017 i kishte marrë 10,000 euro të dëmtuarit Elsadat Musliji, duke i premtuar në këmbim ndikimin në Gjykatën e Apelit që Muslijit t’i hiqet dënimi me burgim.
Në aktakuzë thuhet se Adrian Bajrami në fillim ia mori Muslijit 10 mijë euro dhe pastaj ia kërkoi edhe 10 mijë euro tjera për dënimin prej tre vjetësh burgim që i ishte shqiptuar nga gjykata.

Se i dha 10 mijë euro dhe iu kërkuan edhe 10 mijë euro tjera në gjykatë tregoi edhe Elsadat Musliji.

Kur kishte dëshmuar, Musliji ishte pyetur në lidhje me “një njeri të madh” që të akuzuarit ia kishin përmendur se do të ndikonte në lëndën e tij.

Musliji tha se bëhej fjalë jo për një, po për dy persona.
“Baci Zahir (Bajrami) më ka përmendur Enver Hasanin, ndërsa djali i tij më ka thënë se ka qenë Nait Hasani”, tha dëshmitari dhe i dëmtuari Musliji.

Në dëshminë e tij, Enver Hasani kishte mohuar se është “njeriu i madh“.
Më tutje Musliji kishte treguar për takimin e parë që e kishte me Zahir Bajramin në vitin 2012.

“Pas qëndrimit tim 4 muaj e gjysmë në paraburgim pasi që lirohem dhe kthehem në shtëpi, shkova tek zotëriu dhe aty filluam bisedën, ku unë e njoftova që kam qenë katër muaj në paraburgim ai më tha se sikur ta kisha ditë as katër ditë s’kishe nejtë”, kishte dëshmuar Musliji.

Dëshmitari kishte treguar se pas këtyre fjalëve diskutuan për marrëveshjen, ndërsa sipas Muslijit zyrtari qeveritar Bajrami i premtoi se do ta kontaktonte dikë dhe pas një jave do t’i kthente përgjigje.

Marrëveshja parashikonte që Musliji t’i jepte 10 mijë euro dhe për këtë shumë mjetesh pastaj të lirohej prej dënimit nga Gjykata e Apelit.
Musliji rrëfeu se 10 mijë eurot sipas marrëveshjes ia dha Adrian Bajramit në Restorantin “Evropa ‘92”.

Pastaj, sipas Muslijit, Gjykata e Apelit më 6 qershor 2013 nuk e liroi nga akuzat, por rastin e ktheu në rigjykim.

Për këtë zhvillim Musliji tregoi se e njoftoi zyrtarin e akuzuar Bajrami.
“Unë kam pas seancë dhe nuk doli siç më tha ai dhe kur u takuam më tha se e kemi krye dhe e kemi kthy ne rigjykim, ndërsa unë i thashë se pse qe një muaj e gjysmë nuk e ke ditur, ndërsa ai më tha se këto punë nuk shkojnë kështu, por ngadalë”, tha Musliji.
Dëshmitari më tutje tregoi se i lindën dyshimet se tash të akuzuarit nuk do të ndikojnë në lirimin e tij pavarësisht se i kishin marrë paratë, prandaj Adrian Bajramit bëri të ditur se i kishte thënë që Gjykata e Apelit vetëm ia ka zvogëluar dënimin për një vit, duke e dënuar me dy vjet burg, edhe pse seancat e rigjykimit nuk kishin nisur.

Musliu tha se e ndërmori këtë veprim vetëm për të mësuar nëse tash të akuzuarit kishin informata për procesin që po zhvillohej ndaj tij.

Musliji tregoi edhe për një takim tjetër me Adrian Bajramin.
“Pas një jave u takuam me djalin e tij në restorant “Kruja” në fshatin Dardani të Ferizajt dhe aty Ardiani më thotë se e ka selamin prej babës dhe të madhit se duhen edhe 10 mijë euro të tjera”, tha Musliji.

Dëshmitari tha se pas kësaj kishte kërkuar që t’i ktheheshin 10 mijë eurot që i kishte dhënë, ndërsa Adrian Bajrami i kishte thënë se kjo nuk vjen në shprehje.
“Në parking më ka ndalur dhe më ka thanë se nuk guxoj me i tregu askujt sepse ‘shteti është i joni prej Dheut të Bardhë deri në Merdar”, tha Musliu.

Musliu pastaj bëri të ditur se nuk i mbeti rrugë tjetër dhe njoftoi policinë.
Sipas Muslijit në koordinimin me policinë, ai u takua në restorant “Gizi” në Veternik me Adrian Bajramin, i cili aty edhe u arrestua.

Musliji deklaroi në gjykatë se Zahir Bajrami kishte dijeni për 10 mijë eurot e para, por tregoi se personalisht beson se 10 mijë eurot tjera Adrian Bajrami i kishte kërkuar pa dijeninë e babait të tij.

Zahir e Adrian Bajrami, babë e bir u arrestuan në shkurt të këtij viti.
Ata në qershor mohuan akuzat me të cilat ngarkohen.

Zahir Bajrami, ishte pjesë e shërbimit civil në administratën e Zyrës së Kryeministrit që nga data 21 qershor 2004, ndërkaq, pozitën e drejtorit për Buxhet dhe Financa të kësaj Zyre, e moriqë nga data 05 prill 2005.

Haradinaj i jep një muaj kohë Prokurorisë për të hetuar listat e veteranëve

Pas takimit të 5 përfaqësuesve të veteranëve me kryeministrin Ramush Haradinaj, ky i fundit u ka thënë veteranëve që ai nuk ka asnjë faj, duke shtuar se obligimin e tij ai e ka përfunduar

Haradinaj i ka orientuar veteranët që të kërkojnë përgjigje nga Kuvendi i Kosovës dhe deputetët për rishqyrtimin e buxhetit, raporton KTV.

Sipas veteranëve, Haradinaj citohet të ketë thënë se i ka dhënë 1 muaj kohë Prokurorisë së Kosovës për të hetuar listat e veteranëve dhe për të ngritur kallëzime penale për ata që e keqpërdorin këtë status.

Veteranët tani janë drejtuar te Kuvendi i Kosovës për t’u takuar me kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli.

Deda: Pa konsensus politik, s’ka zgjidhje të Demarkacionit dhe çështjeve të mëdha (video)

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Alternativës, Ilir Deda në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka thënë se Qeveria Haradinaj është e varur nga shantazhet e Listës Serbe

“ Qeveria Haradinaj e ka lejuar vetën që të varet nga shantazhet e Listës Serbe. Ne të gjithë së bashku duhet ta sqarojmë pozicionin e Listës Serbe, deputetët e tyre nuk mund të betohen në Kushtetutën e Kosovës dhe pastaj jashtë kufijve të japin deklarata kundër këtij shteti”, theksoi Deda.

Ai shtoi se Lista Serbe është produkt i presidentit Thaçi dhe dialogut të tij në Bruksel.

Deda ka shtuar se pa konsensus të brendshëm politik, nuk mund të zgjidhen asnjëra prej temave të mëdha.

“Çështja e Demarkacionit me Malin e Zi, dhe çështja e dialogut me Serbinë, kërkon pajtim të brendshëm politikë, pa këto vështirë se mund të kemi rezultate”, është shprehur Deda.

Deda ka theksuar se qeveria e tanishme duhet t’ia shtri dorën e bashkëpunimit opozitës për këto tema

“Asnjë nga këto tema nuk kanë me u zgjidh nëse nuk ka konsensus politik. Askush nuk ka mi zgjidh problemet e Kosovës nëse nuk ka konsensus”, tha Deda.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, mes tjerash theksoi se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të përfundojë së paku brenda dy viteve. /Telegrafi/