Lajm.co

Shqiptarët dhe emri “Republika Ilindenase e Maqedonisë”

“Ilindeni nuk është emër që cenon etninë shqiptare në asnjë aspekt. Nga ana tjetër, zgjidhja e emrit është detyrë e obligueshme për të marrë Maqedonia rrugëtimin euroatlantik dhe çdo prolongim do të shkonte në dëm të qytetarëve të Maqedonisë. Duhet të kihet parasysh lobi rus në Maqedoni, që është tejet aktiv kohëve të fundit dhe punon që kjo çështje të mos zgjidhet”, thekson analisti Xhenis Sulimani

Shqiptarët dhe etnia e tyre nuk preken nga cilido qoftë emri i ri i Maqedonisë, prandaj edhe interesimi për bisedimet në mes të palës maqedonase dhe asaj greke sa i përket kësaj çështjeje ka qenë i vogël, thonë analistët shqiptarë në Maqedoni. Sipas tyre, për shqiptarët është parësore zgjidhja e emrit në mënyrë që të hapen rrugët për anëtarësimin në NATO dhe BE. Negociatat për emër në mes të Maqedonisë dhe Greqisë vazhdojnë përkundër që tashmë kanë bërë kohë të gjatë diskutimesh.

Të shtunën, Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev kishte mbajtur takim me kreun shtetëror dhe liderët e partive politike, me ç’rast ka njoftuar se “Republika Ilindenase e Maqedonisë” është opsioni për të cilin janë marrë vesh me kryeministrin e Greqisë, Aleksis Tcipras, si zgjidhje e mundshme e kontestit 27 vjeçar për emrin.

Mirëpo, menjëherë të nesërmen Greqia refuzoi këtë propozim, duke lënë opsion për zgjidhjen e kontestit të emrit, më 24 dhe 25 maj në Njujork do të zhvillohen bisedime të reja mes ministrave të Punëve të Jashtme të dy vendeve, Nikos Kotzias dhe Nikolla Dimitrov, në prani të ndërmjetësit të OKB-së, Matthew Nimetz.

Opsioni nuk hiqet nga tryeza

Përkundër refuzimit të Greqisë, kryeministri Zaev vazhdon të pohon se propozimi Republika e Maqedonisë së Ilindenit mbetet akoma si opsion në tryeze të bisedimeve. Ndërkaq, të pakënaqur me këtë propozim emri kanë qenë qytetarët shqiptarë dhe gjuhëtarët shqiptarë, duke thënë se ky emër nuk ka kuptim në gjuhën shqipe dhe se ky përkthim tekstual dhe jo i menduar mirë bie ndesh me normat gramatikore të gjuhës shqipe.

Ndërsa, partia shqiptare në Maqedoni Lëvizja Besa, thotë se do ta shqyrtojnë në organet e partisë propozimin e Kryeministrit, pastaj do të prononcohen. Zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Orhan Murtezani, pohon se në parim ata janë të interesuar për zgjidhjen e kontekstit të emrit. “Propozimin që e shpalosi kryeministri para opinionit, po e shqyrtojmë në organet e partisë dhe pastaj do të prononcohemi. Por, në parim jemi shumë të interesuar që kontesti të zgjidhet dhe Maqedonia ta merr ftesën për anëtarësim në NATO dhe të fillojë negociatat për aderim në BE”, thekson Murtezani për “Bota sot”.

Propozimin e emrit “Republika Ilindenase e Maqedonisë”, qytetarët e quajtën tallje me gjuhën shqipe dhe bastardim përkthimin nga “Ilinden” në “Ilinditase”. Ata madje thoshin se edhe propozimi “Ilindenska” nuk përfaqëson karakterin shumë etnik dhe shumë fetar. Ndërkaq, analisti politik Xhelal Neziri, thotë se shqiptarët dhe identiteti i tyre etnik nuk preken me asnjë emër të ri të shtetit, prandaj edhe kanë qenë krejtësisht të pa interesuar se çfarë emri do ketë shteti.

Shqiptarët dhe identiteti i tyre etnik nuk preken

Emri “Republika Ilindenase e Maqedonisë”, sipas Nezirit, është emër që bën distinaksion nga Maqedonia antike, por që do të ishte i pranueshëm edhe për qytetarët e Maqedonisë si emër i ri i shtetit. “Është një zgjidhje e dizajnuar që të kënaq kërkesën greke për një emër me përcaktim kohor, i cili do të ishte në përdorim të përgjithshëm. Pra, një emër që bën distinksion nga Maqedonia antike, por që do të ishte i pranueshëm edhe për qytetarët e Maqedonisë si emër i ri i shtetit. Emër që u paralajmërua si zgjidhje kreative për tejkalimin e problemit të emrit, ku Greqia do të fitonte atë që e kërkon (erga omnes), kurse Maqedonia do të kishte një ristrukturim identitar nacional, pa prekur identitetin e maqedonasve etnikë”, pohon Neziri.

Shqiptarët bëjnë presion të zgjidhet emri si do të jetë, sipas Nezirit, dhe kjo për shkak që Maqedonia të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-së. “Shqiptarët dhe identiteti i tyre etnik nuk preken me asnjë emër të ri të shtetit. Andaj edhe kanë qenë krejtësisht të pa interesuar se çfarë emri do ketë shteti. Të gjitha partitë shqiptare deri më tani kanë mbajtur një qëndrim të prerë – është i pranuar çdo emër, përveç atributeve sllave në emrin e shtetit, siç ishte propozimi Sllavo-Maqedoni. Në fakt, shqiptarët bëjnë presion të zgjidhet emri, pa marrë parasysh se si do të jetë, me qëllim që vendi sa më parë të jetë pjesë e BE dhe NATO. Dihet se Greqia mban të bllokuar rrugën euroatlantike të Maqedonisë shkaku i emrit, të cilin e mban një rajon në veri të shtetit grek. Tani kur doli propozimi “Republika Ilinditase e Maqedonisë” disa parti shqiptare e refuzuan këtë emër. Disa thanë se nuk është përkthimi adekuat i fjalës Ilinden. Pa marrë parasysh, bëhet fjalë për një reagim joparimor pasi deri më tani thoshin se çdo emër është i pranueshëm përveç emrit Sllavo-Maqedoni. Ka historianë që thonë se kryengritja e Ilindenit ishte në vazhdën e bashkëpunimit të kryengritësve shqiptarë që nga Todor Aleksandrovi e Hasan Prishtina që luftonin për pavarësi nga perandoria Osmane, e deri te çetat e përbashkëta të Petar Çaulevit e Bajram Currit që luftonin kundër mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Këtë përgjigje duhet ta japin historianë kredibilë, por mendoj se tentimi për ta shqipëruar emrin Ilinden është një sinjal i ristrukturimit të shtetit si i përbashkët i maqedonasve dhe shqiptarëve etnikë”, deklaron Neziri.

Bisedimet vazhdojnë

Greqia ka përshëndetur pranimin e “Erga Omnes” nga Maqedonia, ndërsa ata shtojnë se se me përgjegjësi se do t’i vazhdojnë bisedimet. Zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimtrios Xanakopulos, ka thënë se ata insistojnë që zgjidhje më e mirë është, që të zgjidhet një emër nga ato të cilët i ka propozuar ndërmjetësuesi i OKB-së, Metju Nimic në propozimet e tij. Neziri thotë se është e kotë të debatohet për një propozim që është refuzuar, mirëpo sidoqoftë ndër shqiptarë mungojnë historianë që do të eksplorojnë të vërtetat historike ashtu siç janë.

“Mendoj se është jorelevante të debatohet më për këtë propozim, i cili u refuzua nga qeveria greke. Sidoqoftë, ndër shqiptarët mungojnë historianë që do të eksplorojnë të vërtetat historike ashtu siç janë. Shpesh jemi pengje të miteve të rrejshme dhe të historisë që është në funksion të ideologjive apo populizmit. Në rastin konkret duhet institutet e historisë të thonë nëse Ilindeni mund të festohet edhe nga shqiptarët, apo thjeshtë është një kryengritje e maqedonasve”, nënvizon Neziri.

Sulimani: Shqiptarët janë të ndarë sa i përket këtij termi

Ndërkaq, politologu Xhenis Sulimani thotë se qeveritë kanë bërë hapa konkrete drejt zgjidhjes së emrit.
Zgjidhja e emrit është e vështirë, thotë Sulimani, gjersa shton se shqiptarët janë të ndër sa i përket termit të propozuar e pastaj të refuzuar nga qeveria greke. Mirëpo, sipas Sulimanit, çfarëdo emri që nuk prek identitetin etnik të shqiptarëve është i mirëpritur.

“Dy qeveritë aktuale të Maqedonisë dhe Greqisë kanë bërë shumë hapa konkret drejt zgjidhjes së çështjes tredekadëshe, në lidhje me emrin. Të dy qeveritë kanë bërë më shumë se cilado qeveri tjetër e mëparshme në këtë drejtim. Zgjidhja sipas të gjitha gjasave do të jetë shumë e vështirë. Greqia kërkon edhe ndryshim të Kushtetutës, ndërkaq për këtë nuk pajtohet pala maqedonase. Propozimi i fundit- Republika e Maqedonisë së Ilindenit, fillimisht dha njëfarë shprese se problemi po merr epilog. Shqiptarët janë të ndarë sa i përket këtij termi. Megjithatë, mendimi im është se çfarëdo emri që nuk e prek identitetin etnik të shqiptarëve është i mirëpritur. Ilindeni nuk është emër që cenon etninë shqiptare në asnjë aspekt. Nga ana tjetër, zgjidhja e emrit është detyrë e obligueshme për të marrë Maqedonia rrugëtimin euroatlantik dhe çdo prolongim do të shkonte në dëm të qytetarëve të Maqedonisë. Duhet të kihet parasysh lobi rus në Maqedoni, që është tejet aktiv kohëve të fundit dhe punon që kjo çështje të mos zgjidhet”, thekson Sulimani.

Ilindenska s’ka të bëjë fare me shqiptarët

Njëjtë sikurse Sulimani, pohon edhe analisti politik Xhenur Iseni, i cili shton se Greqia nuk është treguar serioze në procesin e bisedimeve. Iseni thotë termi “Ilindenska” nuk ka të bëjë fare me shqiptarët, mirëpo përfaqësuesit shqiptarë janë munduar ta qëndisin këtë.

“Mendoj se Greqia nuk është duke u treguar serioze në procesin e bisedimeve. Gjatë takimit të të dy kryeministrave në samitin e Sofjes është dakorduar për propozimin “Republika Ilindenska Makedonija”, dhe më pas Cipras reteroi dhe refuzoi të njëjtin edhe pse ky propozim përmbante erga-omnes ashtu siç kërkonte Athina zyrtare. Edhe pse termi Ilindenska s’ka të bëjë fare me shqiptarët, përfaqësuesit shqiptarë në pushtet u munduan ta qësendisin mirë këtë fjalë duke e përkthyer në shqip me “Ilinditase”, fjalë që nuk ekziston në fjalorthin e gjuhës shqipe. Krejt kjo ishte me “ua ly kokat me akull” shqiptarëve se kinse ky propozim do të përfshinte edhe shqiptarët. Por fundja fundit s’ka dhe aq rëndësi, shqiptarëve askush nuk ua konteston identitetin dhe duan me çdo kusht anëtarësimin e Maqedonisë në Evropë me shpresë që edhe institucionet të çrrënjosen nga mendësitë shoviniste, autoritare, që kanë qenë ndaj shqiptarëve”, shton Iseni.

​18 mijë të rinj aplikojnë për afër 300 vende në Polici

Rreth 18 mijë të rinj kosovarë kanë aplikuar për pranim në Policinë e Kosovës. Prej gjithë këtyre aplikantëve, vetëm afër 300 persona të do të kenë mundësinë për të shkuar në akademinë policore.
Ka gati 2 javë qëkur është mbyllur konkursi për pranimin e zyrtarëve policorë në Polici të Kosovës. Numri i aplikimeve ka qenë jashtëzakonisht i lartë, në krahasim me numrin e atyre që do të pranohen në Polici, për të kryer akademinë policore, para se të vishen me uniformë

Gazeta Express merr vesh se numri i aplikacioneve që janë dërguar në Polici, në të gjitha rajonet e Kosovës, nga 16 prilli i këtij viti kur është hapur konkursi deri më 10 maj kur ka përfunduar, është rreth 18 mijë persona.

Vetëm afër 250 deri në 300 prej tyre do të kenë mundësinë që të fitojnë një vend pune në Polici, si pjesëtarë të saj, pasi të kenë kryer akademinë.

Por, nga gjithë këta aplikues, në test me shkrim do të kenë mundësi të hyjnë vetëm ata që kanë plotësuar kriteret, pasi të jenë shqyrtuar aplikacionet nga ana e Policisë.

Në PK, të mërkurën nuk kanë dhënë shifra se sa është numri i saktë i aplikantëve, por vetëm kanë sqaruar procedurat e fazës pas aplikimit të të interesuarve për të qenë policë të ardhshëm të Kosovës.

“Pas përfundimit të të gjitha procedurave dhe shqyrtimit të të gjitha aplikacioneve, do të publikohet lista me numrin e kandidatëve që plotësojnë kriteret duke përcaktuar: data, vendi dhe koha e mbajtjes së testit me shkrim”, ka njoftuar Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, pas interesimit të Gazetës Express.

Tutje, ata sqarojnë se gjithashtu do të publikohet edhe lista e kandidatëve eventualisht të diskualifikuar.

“Pastaj komisioni përzgjedhës sipas procedurave të parapara vazhdon me shqyrtimin e ankesave eventuale”, thuhet tutje në përgjigjen e policisë.

Kriteret që është dashur të plotësojnë kandidatët që aplikojnë për zyrtarë policorë në Policinë e Kosovës, përveç se të jetë shtetas i Republikës së Kosovës kanë qenë edhe të jetë i moshës 18-30 vjeçarë; Të ketë të përfunduar shkollimin e mesëm; Të jetë në gjendje të mirë fizike, mentale dhe emocionale; Të mos jetë i dënuar për ndonjë vepër penale; Të mos posedojë në vend të dukshëm tatuazh (fytyrë, qafë, duar); dhe Të ketë integritet personal dhe vlera të larta etike.

Të kualifikuarit do të hyjnë në test me shkrim, test të aftësive fizike; intervista; test psikologjik; kontrollim mjekësor; dhe verifikimi të së kaluarës. /GazetaExpress/

Skllavëri moderne, në zemër të Europës

Nuk duhet t’iu largohesh shumë institucioneve europiane për të zbuluar se në çfarë kushtesh punojnë realisht emigrantët

Në stacionin “Arts-Loi Metro” të Brukselit, Mohammed, një emigrant maroken pa dokumente të rregullta qëndrimi, ka punuar me muaj të tërë për rinovimin e tij dhe nuk ishte aspak e lehtë.

“Na thërrisnin neve kur puna bëhej e papërballueshme për të tjerët”, tregon ai për “Euronews”.

“Një herë punova 3 turne 8-orëshe rresht, që do të thotë 24 orë pa pushim. Ekziston gjithmonë rreziku që të pushohesh, e kjo do të thotë se duhet të vazhdosh e të punosh pa bërë zë.

Ne jetojmë në frikë. Frika është pjesë e jetës sonë të përditshme”, rrëfen ai.

Raporti i fundit i Këshillit të Europës tregon se trafikimi i qenieve njerëzore me qëllim shfrytëzimin e krahut të punës është në rritje dhe viktimat janë shpeshherë emigrantë pa dokumente, apo grupe të cënueshme që jetojnë në pasiguri ekonomike.

Ajo që duket si mundësi e mirë punësimi mund të kthehet në një ferr të vërtetë, sipas “Euronews”-it.

Viktimat, shpeshherë varen nga trafikantët, jo vetëm për gjetjen e një pune, por edhe për strehim. Ata punësohen në një gamë të gjerë shërbimesh, duke nisur nga prodhimi ushqimor, restorantet, kujdesi personal, apo edhe kantieret e ndërtimit.

Edhe pse nuk mungojnë as kërcënimet, në përgjithësi iu shmangen denoncimeve nga frika e deportimit apo hakmarrjes.

Aktivistët thonë se, shumë vende europiane duhet të bëjnë më shumë për ta luftuar këtë fenomen, e të koordinojnë më mirë punën e organizatave joqeveritare, sindikatave të tregtisë dhe sektorit privat, në mënyrë që të ndihmojnë t’u jepet fund abuzimeve.

Gjithçka e mbarë për Greqinë erdhi nga Epiri shqiptar

Shfletimi i shtypit të huaj për shqiptarët është gjithmonë kërshërindjellës. Mes njohjes dhe mosnjohjes së shqiptarëve, vendit të tyre dhe kauzës për një shtet të mëvetësishëm janë me mijëra artikuj, reportazhe e përshkrime të gazetarëve të huaj

Portali Konica.al kësaj radhe sjell një pasus interesant të botuar në faqet e gazetës «Mexico Missouri message», i datës 17 shkurt 1916.

Artikulli ka për subjekt Epirin, që kishte mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë, potencialin e tij në resurset njerëzore.

«Duke ndenjur në Epir, ku kultura greke qëndron në qytete, ku edhe shqiptarët myslimanë të maleve shkruajnë (kur dijnë të shkruajnë) me shkronja greke, asnjë ndikesë e jashtme nuk ka çikur jetën e brendshme të këtij populli të veçantë».«Në të vërtetë, individë shqiptarë kanë dhënë talentet e tyre për të sjellë bashkim ose rend për jetën e popujve të tjerë. Gjysma e kapedanëve në tokë dhe det në luftërat greke për pavarësi ishin shqiptarë nga Epiri apo nga ishujt. Krispi erdhi nga një ngulim shqiptar në Sicili; familja khedive iu mbivendos Egjiptit; i fundmi vezir i madh i regjimit të vjetër në Turqi ishte një manjat shqiptar nga jugu», shkruan artikulli.

Tutje, artikullshkruesi amerikan nënvizon disa nga të metat që pamundësonin kapacitetet e popullit shqiptar.

«Por pa një kishë dhe letërsi anëtare, pa asnjë fushë lokale për udhëheqje shtetërore nuk është përdorur për talentet e këtij populli që sigurisht se nuk është me më pak dhunti nga popujt e Ballkanit. Deri vonë një shqiptar i arsimuar ishte një shqiptar i shkuar huq». /konica.al/

Kabineti qeveritar për dhjetë vjet është rritur 200 për qind

Që nga viti 2007 e deri në vitin 2017, numri i ministrave, zëvendësministrave është rritur dyqind për qind. Kjo shihet në një infografikë që e ka përgatitur organizata D4D, e cila do të bëhet publike nesër

Sipas kësaj infografike, në qeverinë e Agim Çekut ka qenë një zëvendëskryeministër, 15 ministra, prej tyre një grua, 20 zëvendësministra, njëra nga ta grua.

Në qeverinë që ka drejtuar kryeministri Hashim Thaçi nga viti 2007-2010 kanë qenë 32 dikastere, 2 zëvendëskryeministra, 15 ministra njëra nga ta grua, 15 zëvendësministra, dy prej tyre gra.

Ndërsa, në Qeverinë Thaçi 2, ishin 5 zëvendëskryeministra, 18 ministra, dy prej tyre gra, ndërsa zëvendësministrat nuk janë të paraqitur.

Rritje e madhe e dikastereve dhje posteve politike sidomos të zëvendësministrat ishin rritur në Qeverinë e Isa Mustafës, pasi numri kishte arritur në 68. Qeveria Mustafa kishte 3 zëvendëskryeministra, 21 ministra, dy prej tyre gra dhe 45 zëvendësministra, 6 prej tyre gra.

Numri enorm i rritjes së kabinetit qeveritar u bë në Qeverinë aktuale të udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Numri i kabinetit qeveritar ka shkuar në 93, 5 zëvendëskryeministra, 21 ministra, dy prej tyre gra dhe 70 zëvendësministra, 5 prej tyre gra.

Haradinaj flet për takimet në Vatikan

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Vatikan ku është takuar me Atin e Shenjtë, Papa Françeskun dhe me Sekretarin e shtetit të Selisë së Shenjtë, hirësinë e tij kardinalin Pietro Parolin

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar së fundmi mjaft vizita pune në Vatikan dhe pse ky i fundit ende nuk ka njohur shtetin e Kosovës.

Në një intervistë ekskluzive për “Ora News”, Haradinaj shpjegoi ecurinë e bisedimeve me Selinë e Shenjtë.
“Kjo vizitë ka për qëllim të konfirmojë përcaktimin tonë si Kosovë, për marrëdhënie të mira bilaterale me Selinë e Shenjtë, njëkohësisht edhe si kërkesë që selia e shenjtë të pranojë Kosovës, ta njohë e të vendosë marrëdhënie bilaterale. Gjatë bisedës me kardinalin Pietro Parolin, me hirësinë e tij mund të themi që kemi mbërritur të shpjegojmë, argumente që këto marrëdhënie mund të forcohen, pra është një proces dhe unë jam optimist për të ardhmen e marrëdhënieve tona me Selinë e Shenjtë”, ka thënë Haradinaj.

Kosova është dhe një nga vendet e Ballkanit Perëndimor në vëmendjen e Bashkimit Evropian për rrugëtimin e tyre drejt familjes evropiane. Pak ditë më parë u zhvillua në Sofje samiti i përbashkët mes vendeve të BE e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Haradinaj është i mendimit se brenda vitit do të miratohet heqja e regjimit të vizave për qytetarët kosovarë e nis lëvizja e lirë e tyre në vendet e traktatit të Shengenit.

“Kosova e ka në perspektivë tani liberalizmin e vizave. Mendoj që do të marrim vlerësimin pozitiv për të arritjen e kritereve, pastaj do të vazhdojnë me negocimin apo argumentimin e arritjeve tona tek vendet veç e veç, qeveritë nacionale”, u shpreh ai. Gjatë qëndrimit në Romë, kryeministri i Kosovës u takua me përfaqësuesit e komunitetit arbëresh në Itali.

Dy vjet burgim për Nikolla Gruevskin

Gjykata Penale shpalli fajtor për rastin “Tanku” ish-kryeministrin Nikolla Gruevski të cilit ju shqyrtua dënimi prej 2 vjetësh heqje lirie dhe ndihmësministrit Gjoko Popovski me 6 vite e 6 muaj burgim.

Skenari i errët për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë

Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, së fundi kanë shpeshtuar deklaratat e tyre për një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Të dy presidentët kanë deklaruar se nga kjo marrëveshje nuk do të fitojnë asnjëra palë, duke paralajmëruar se kjo marrëveshje do të jetë e dhimbshme për të dy shtetet

E gjatë ditës së djeshme, presidenti Thaçi, gjatë pjesëmarrjes në forumin “To be Secure”, ka premtuar një kompromis për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. “Bashkimi Evropian kërkon nga të gjithë ne që t’i mbyllim të gjitha çështjet e hapura dhe mendoj se marrëveshja për normalizim është kruciale edhe për Kosovën, edhe për Serbinë, por edhe për rajonin. Për Kosovën, dialogu nuk ka alternativë, do të punojmë për kompromis dhe do të arrijmë marrëveshjen përfundimtare që për Kosovën nënkupton anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe njohje reciproke (midis Kosovës dhe Serbisë)”, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Por, çfarë mund të përmbajë kjo marrëveshje dhe sa mund të jetë e dëmshme për Kosovën? Për këtë, për gazetën “Bota sot”, ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi.

“Finalja e dështimit dhe e tradhtisë kombëtare. Çdo gjë që është bërë që nga viti 2011 ka lëvizur Kosovën në drejtim të realizimit të planit serb për të rivendosur sovranitetin e dyfishtë mbi Kosovën. Mbajtja e veriut të ndarë, integrimi i policisë serbe të komanduar nga serbët, Lista Sprska, kontrolli mbi resurset, operatori tretë i telekomunikimit, krijimi i kompanisë energjetike, mospranimi i ndryshimeve kushtetuese për krijimin e ushtrisë, dualiteti i qeverisjes komunale me simbolet dhe zbatimin e ligjeve dhe kurrikules serbe, vendosja e përmendorëve të heronjve ve serb në hapësirat publike, emërtimi i rrugëve me emra të personaliteteve të njohura serbe që kanë udhëhequr koncepte dhe veprime shfarosëse ndaj shqiptarëve, mospranimi i targave RKS, mospranimi i pasaportave, lobimi kundër njohjeve dhe lobimi i vazhdueshëm për tërheqje të njohjeve, janë vetëm pjesa e dukshme që Serbia ka zbatuar gjatë kohës që e ka blerë duke inskenuar një dialog të pa rezultat dhe pa vullnet politik”, shprehet Abazi.

Sipas tij, të gjitha këto veprime kanë nxjerrë në pah dështimet e politikës së Kosovës. “Të gjitha këto veprime dhe ndryshimet gjeopolitike kanë vënë në pah dështimet e rënda të politikes kosovare kundrejt qëllimit final të konsolidimit të shtetësisë dhe përfundimit të shtet ndërtimit. Faza finale e një loje ku Serbia nuk ka lëvizur nga pozicioni saj por përkundrazi ka luajtur në gjysmëfushën e Kosovës gjatë gjithë kohës dhe referi asnjëherë nuk ka insistuar në lojë të barabartë, ka sjellur në një finale rezultati i së cilës është i ditur nëse nuk bëhet ndërrimi i lojtarëve në anën e Kosovës dhe nëse SHBA nuk përfshihen në referimin e procesit. Serbia nuk e ka hequr asnjëherë Kosovën nga preambula e Kushtetutës së saj dhe kjo nuk ka qenë aspak e rastësishme. Në ndërkohë ka zbrazur luginën e Preshevës duke e bërë çdo herë e më të vështirë jetën e shqiptarëve atje dhe duke e minimizuar çfarëdo mundësie të zgjerimit të negociatave”, deklaron ai.

Model i dy gjermanive

Sipas Abazit, Kosovën po e pret një skenar model si i dy gjermanive, ku sipas tij në Ballkan po fillon epoka e luftës së ftohtë. “Marrëveshja e fshehur që në mënyrë inkremetale po bëhet publike parasheh “zgjidhjen” e Kosovës duke e bërë Serbinë plotësisht hisedare në Kosovë, ndërsa Kosovën një territor me sovranitet të dyfishtë që i afrohet modelit të dy gjermanive. D.m.th. në Ballkan po fillon epoka e luftës së ftohtë duke pritur që në ndryshimet e mëtutjeshme të gjeopolitikës, acarimit të mëtutjeshëm të përplasjeve të botës perëndimore me boten myslimane të ndryshohet edhe interesat dhe kosntelacioni i forcave në Ballkan”.

“Ky rideminsionim i konfliktit ku Serbia në mënyrë progresive lëviz drejt BE-së siç edhe e kemi parë nga strategjia e BE-së, ndërsa Kosova stagnon në vendnumërim dhe i shtohen kushtet për kompromise e ndërkohë bëhet edhe mjet kusuritje ndërmjet Rusisë Perëndimit dhe Turqisë”, thekson Abazi.

Më tej, Abazi sqaron skenarin që sipas tij, po përgatitet për Kosovën. “Këtë skenar e kemi parë disa herë në periudha të ndryshme të historisë dhe me dështimet e këtij quazi lidershipi nuk ka arsye të mos kemi skepticizem se po përgatitet që nga skenari i dy gjermanive një ditë të lëvizët në skenarin e Irlandës Veriore kur Serbia të jetë plotësisht pjesë BE-së, ndërsa Shqipëria t’i ketë duart e lidhura nga kushtëzimet për bashkëpunim rajonal si parakusht për ndihmat”, thotë ai.

“Strategjia pas këtyre skenarëve është plotësisht e qartë dhe është e tabluar si pasojë e lidershipit analfabet, e të korruptuar dhe kriminal që ka pranuar dhe po vazhdon të pranojë koncesione për ta blerë lirinë personale të tyre. Ky lidership duhet ndalur dhe duhet larguar që të shpëtohet ajo që është e mundur dhe të kthehet kursi i shtet ndërtimit duke injoruar plotësisht interesat e Serbisë në Kosovë dhe duke parandaluar që Kosova të jetë tregu i falur ekonomik i Serbisë dhe i lojërave dhe qëllimeve që dikur tentoi t’i bënte me luftë e tani po i bën nëpërmjet përkrahjes së Rusisë dhe duke shfrytëzuar këta politikanë mediokër të Kosovës”, ka përfunduar analisti Haki Abazi, për gazetën “Bota sot”.

Një skenar, model i të gjermanive e ka paralajmëruar edhe Drejtoresha e Qendrës për Politikë të Jashtme në Beograd, Aleksandra Joksimoviq, e cila ka thënë se tashmë është e qartë se po i afrohemi fazës përfundimtare të procesit të bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe beson se zgjidhja do të jetë diku sipas modelit të “Dy gjermanive”.

Paralajmërimi i Bilall Sherifit

Ndërsa, deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka paralajmëruar se Thaçi do t’i bëjë lëshime Serbisë. “Hashim Thaçi në fjalën e tij në Forumin e Sigurisë të mbajtur në Mal te Zi deklaroi se: “Marrëveshja përfundimtare, që duhet të jetë obligative, do të jetë e vështirë për Kosovën, por nuk do të jetë e lehtë as për Serbinë”!!! Pohimi në një forum të tillë se “Marrëveshja përfundimtare do të jetë e vështirë për Kosovën” është pranim publik nga ana e Hashim Thaçit se është duke përgatitur koncensione të dëmshme në favor të Serbise sepse edhe vet e pohon se “do të jenë të vështira për Kosovën”. Pas pranimit publik se në bisedimet përfundimtare është i gatshëm të nënshkruaj vendime “që do të jenë të vështira për Kosovën” e ndjej për obligim të deklaroj se unë shoh një rrezik për ardhmërinë e Kosovës”, ka shkruar në faqen e tij në facebook gjatë ditës së djeshme, deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi.

Cilat ishin shkaqet më kryesore të rënies së territoreve shqiptare të viteve 1908-1912?

Historia e kombit tonë ka qenë gjithmonë një histori qëndrese. Populli shqiptar është një komb i rrallë i cili ka luftuar me një variacion armiqsh dhe fqinjësh ambicioz

Pavarësisht qëndresave tona apo përpjekjeve fisnike për t’u mos u nënshtruar ndaj këtyre armiqve, shqiptarët nuk kanë qënë gjithmonë të suksesshëm.

Periudha më dinamike e rezistencës shqitare që nga koha e Skënderbeut do të ishte fillimi i shek XX, ku arsye të shumta bënë që shqiptarët të humbnin jo pak territore nga agresionet greke, malazeze dhe serbe, pavarësisht faktit se në fund u krijua një shtet i pavarur shqiptar padretësisht shumë i reduktuar.

Por cilat qenë shkaqet më kryesore të rënies së territoreve shqiptare?

1. Populli shqiptar luftonte prej 4 vjetësh, 1904-1912 për të fituar lirinë e pavarësinë dhe gjatë kësaj kohe, iu rrënua ekonomia, u rraskapitën nga kryengritjet e lufta e pabarabartë me ushtrinë turke. Nuk pati armë e municione, sepse dhe ato që siguroheshin me luftë, u mblodhën nga ushtria turke.

2. Shqipëria nuk pati organizma shtetnore shqiptare, nuk pati shtet, ushtri e komponentë të tjerë që përbëjnë shtetin. Pra nuk kishte një organizëm të përqëndruar me plane e programe të njesuara. Qeveria turke ndiqte e vriste patriotët shqiptarë kudo që ishin.

3. Fqinjët e Shqipërisë: Serbia, Greqia e Mali i Zi, kishin planifikuar prej kohësh për të marrë territore nga Shqipëria, siç edhe kishin marrë edhe më parë. Ato prej kohësh lakmonin e programonin agresione e komplote kundra popullir shqiptar e territoreve të tij.

Me strategji të herëshme punonin për pastrimin etnik të rajoneve, për vrasje masive e zhdukje, për djegien e fshatrave e përzënien e popullsisë nga vendbanimet dhe kolonizimin e tyre me serbë.

Pikërisht për realizimin e këtyre planeve mbanin ushtri të mëdha, armatime etj dhe përgatitjes për luftë i kushtonin vëmendje të madhe. Pra kaluan në agresion kundër popullit shqiptar me një ushtri të stërvitur, të armatosur dhe të gatshme për luftë.

4. Qeveritë e shteteve fqinje, për të realizuar synimet e tyre, organizuan agjentura propagandiste shpifëse dhe mashtruese në dëm të shqiptarëve. Shumë krerë mediokër e të varfër i blenë para, kërcënonin e dhunonin krerë e njerëz me influencë, premtonin poste e rroga të majme për ata që do t’u bënin shërbime, jepnin para për rekrutime dhe shërbime në ushtri.

Si serbët edhe grekët, me mjeshtëri shfrytëzonin disa veti e zakone të mira të popullit shqiptar si besën, mbajtjen e fjalës dhe pasi realizonin qëllimin i shkelnin ato pa pikë turpi.

5. Ndërhyrjet e nënpunësve të ndryshëm të huaj, apo simpatizantë të serbëve apo të grekëve, të clët ndikonin në qarqet ndërkombëtare, në komisione në shty, në hartimin e raporteve.

6. Qëndrimi negativ i Fuqive të Mëdha, i Rusisë, Francës dhe Anglisë ndaj kombit shqiptar. Ato shikonin interesat e tyre dhe jo të drejtësisë apo interesat e një populli, e një kombi të tërë siç ishte Shqipëria.

Varfëria prek kulmin, kështu presin qytetarët në radhë për të marrë iftar falas

Varfëria prek kulmin, kështu presin qytetarët në radhë për të marrë iftar falas. Kosova vazhdon të mbetet një nga shtetet më të varfëra në Evropë

Sipas Bankës Botërore, por edhe organizata të tjera e kanë renditur Kosovën vazhdimisht si shtetin më të varfër në Evropë.

Se varfëria në Kosovë ëshë mjaft prezente, e tregojnë edhe këto pamje ku qytetarët presin në radhë për ë marrë falas iftarin gjatë muajit të Ramazanit, shkruan Magazina.al

Dhjetra qytetarë mblidhen çdo ditë para një gjelltore humanitare e cila po shprendan iftar falas për skamnorët në Prizren.

Pamjet më poshtë flasin vet: