Lajme

Arsimi shqip në diasporë, takim mes katër Ministrive

Arsimi shqip në diasporë ishte në fokus të diskutimeve mes katër Ministrive, atyre të Arsimit dhe Diasporës, në Shqipëri dhe Kosovë

Ministri i Shtetit për Diasporën PandeliMajko, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe homologët e tyre nga Kosova, Ministri Dardan Gashi dhe Zv.Ministri Heset Sahiti, folën për marrëveshjet e arritura deri më tani mes Shqipërisë dhe Kosovës sa i përket arsimit në diasporë.

Bashkëbiseduesit u përqëndruan kryesisht në implementimin e marrëveshjes së arritur mes dy qeverive në nëntor të 2017-ës. Ata ranë dakord për ngritjen e një këshilli të përbashkët në nivel ministror, që do të mbikëqyrë zbatimin e planit të veprimit për mësuesit dhe nxënësit e diasporës.

U vendos gjithashtu krijimi i një qendre të përbashkët për diasporën me bazë në Prishtinë, e cila do të ketë një funksion koordinues për botimin apo shpërndarjen e librave mësimorë shqip.

Ministri Majko e cilësoi takimin si tepër produktiv, duke theksuar se brenda një kohe të shkurtër pas mbledhjes së dy qeverive ishin marrë vendime të rëndësishme.

“Mendoj se sot, në prag të 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës ne kemi se çfarë t’i themi publikut. Brenda një kohë të shkurtër pas mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, ndërmorëm disa vendime të rëndësishme, si ai lidhur me krijimin e qendrës për arsimin në diasporë. Ajo do të reflektojë një sërë vendimmarrjesh dhe do të ketë të bëjë mëçështjet e ruajtjes së gjuhës dhe arsimit shqip, një kërkesë e ngahershme e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit”, u shpreh Ministri.

Ndërsa ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se tani e tutje nuk do të ketë më punë të ndarë për të siguruar arsimimin e fëmijëve nga Shqipëria dhe Kosova.

“Sot është një lajm i mirë sepse kemi finalizuar Këshillin e Përbashkët qe do të menaxhojë të gjithë punën për arsimin në diasporë”, tha ajo.

Nga ana e tij Ministri për Diasporën në Kosovë Dardan Gashi, u shpreh i lumtur që pas nënshkrimit të marrëveshjes mes dy Kryeministrave, po ndërmerren hapa konkretë.

‘Shpresoj që falë bashkëpunimit mes 4 ministrive do të arrijmë të finalizojmë qëllimin e përbashkët për të mundësuar arsim më te mirë shqip në diasporë”, ishte komenti i Gashit.

Top Channel

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *