Lajme, Lajmi kryesor

I apostrofuari për vrasjet e aktivistëve të LDK-së akuzon Hashim Thaçin

Ibrahim Kelmendi ka thënë se dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë, Shkumbin Mehmeti ka folur ashtu siç e kanë komanduar, duke aluduar në presidentin e vendit, Hashim Thaçin

Dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Shkumbin Mehmeti akuzoi dje vëllezërit Ibrahim dhe Qerim Kelmendi si persona që organizuan vrasjet e eksponentëve politikë të LDK-së, në mesin e të cilëve edhe vrasjen e Smajl Hajdarajt dhe Tahir Zemajt.

Por këto akuza i ka quajtur të vjetruara i apostrofuari nga Mehmeti, Ibrahim Kelmendi. Në një intervistë me shkrim për Kohavisionin, ai ka thënë se Mehmeti ka folur ashtu siç e kanë komanduar, duke aluduar në presidentin e vendit, Hashim Thaçin.

Kelmendi akuzon Presidentin e Kosovës se e ka “nën kontroll” dëshmitarin e mbrojtur të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Dyshoj se po komandohet dhe po shpërdorohet përmes kuadrove policore, që janë në shërbim të Xhavit Halitit e Hashim Thaçit, respektivisht Serbisë”, ka thënë ai.

Por Kelmendi thotë se gjithmonë ka qenë kundër vrasjes së shqiptarëve, sepse po të kishte mendësi ushtarake, Zemajn do ta vriste gjatë luftës.

“Për vrasjen e Tahir Zemajt, po të kisha pasur mendësi profesionale ushtarake, do ta kisha vrarë gjatë luftës, për ta penguar diversionin e tij kundër luftës çlirimtare, por nuk e kam pasur atë mendësi. Ndërsa për herë kam qenë kundër vrasjeve klandestine të shqiptarëve, me mendim se ato dëmtojnë luftën çlirimtare dhe konsolidimin e Shtetit të Kosovës dhe jo se më janë dhimbsur kriminelë të rangut Tahir Zemaj. Për bindjen time të atëhershme dhe të tanishme, ato vrasje duhet t’i ketë bërë shërbimi përkatës i Serbisë”, ka deklaruar Kelmendi për KTV-në.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *