Lajme

Analistët dyshojnë në korrektësinë e zyrtarëve shtetëror rreth deklarimit të pasurisë

Analistët dhe organizatat që monitorojnë institucionet publike thonë se ka dyshime që pasuria e deklaruar e zyrtarëve shtetërorë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK), nuk deklarohet e plotë

Kjo pasi që AKK sipas tyre bënë shumë pak në verifikimin e deklarimeve të pasurisë, sepse në mungesë të mandatit për të hetuar është e pa aftë për të zbuluar deklarimet e rrejshme të zyrtarëve shtetërorë.

Kështu kanë vlerësuar pjesëtarë të shoqërisë civile në vend. Këshilltari ligjor në KDI, Florent Spahija në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nëse bëhet një krahasim i pagave të zyrtarëve shtetërorë me blerjet si dhe kursimet e tyre, del që deklarimet pasurore nuk janë reale.

Spahija tha se AKK-ja duhet të kontrollojë më shumë zyrtarët për deklarimin e pasurisë. “Bazuar në deklarimet e zyrtarëve shtetëror shihen shuma të mëdha parash të deklaruara si kursime e pastaj blerjet që i kanë bërë, dhe nëse e krahason me pagën e tyre, e fitimet që i deklarojnë del se nuk janë reale. Në anën tjetër vazhdimisht në publik dalin informata për pronësi të zyrtarëve të lartë në kompani apo prona të ndryshme. Agjencia Kundër Korrupsionit duhet të kontrolloi sa më shumë zyrtarë për deklarimin e pasurisë së tyre, nëse deklarimi është real apo jo, dhe gjetjet nga kontrolli i pasurisë të bëhen publike e shkelësit e ligjit të paraqiten në Prokurori”, ka thënë ai.

Edhe analisti nga organizata ‘Demokraci Plus’, Isuf Zejna theksoi se ka shumë dyshime që pasuria nuk deklarohet e plotë, për shumë zyrtarë. “Nëse pasuritë e deklaruara janë apo jo të vërteta ne si organizata jo qeveritare nuk mund të dimë me siguri. Sidoqoftë, ka shume dyshime që pasuria nuk deklarohet e plotë, për shumë zyrtarë. Kjo pasi që Agjencia Kundër Korrupsion bënë shumë pak në verifikimin e deklarimeve të pasurisë”, u shpreh për Telegrafin Zejna.

Zejna po ashtu tha se AKK, për shkak të mungesës së mandatit për të hetuar është e pa aftë për të zbuluar deklarimet e rrejshme të zyrtarëve shtetërorë. “Përkundër që Agjencia deklaron se e bënë këtë verifikim, ne mendojmë që ky proces është vetëm sipërfaqësor dhe agjencia për shkak të mungesës së mandatit për të hetuar është e pa aftë për të zbuluar deklarimet e rrejshme. Dyshimet tona janë se deklarimet e pasurisë në shumë raste nuk janë të sakta sa i përket parave kesh, pasurive të pa luajtshme e sidomos në rastet kur pasuritë ndodhen jashtë territorit të Kosovës”, shtoi ndër të tjera analisti, Zejna.

Ndryshe, Agjencia Kundër Korrupsionit në faqen e saj zyrtare këtë javë ka publikuar deklarimet e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të zyrtarëve shtetërorë të vendit për vitin 2018.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *