Zbulohet çfarë i ka thënë Putini Vuçiqit

Shefi i Federatës Ruse Vladimir Putin në bisedë joformale e ka përgëzuar kryetarin serb për besnikëri. Ai i ka premtuar Vuçiqit se personalisht do të angazhohet në luftën serbe për Kosovë, por edhe për të gjitha temat tjera kyçe në interes të Serbisë

Siç pretendojnë burimet nga kabineti i Vuçiqit, Putin në një moment ka vërejtur se shumica kanë thënë se Vuçiq po e fut Serbinë në mënyrë të fshehtë në NATO, por se më vonë ata të njëjtit i kanë anëtarësuar vendet e veta në NATO, dhe se për këtë vetëm kryetari serb e ka mbajtur fjalën e dhënë, shkruan gazeta serbe Novosti.

Në këtë takim Vuçiq ka marrë premtim se Moska do t’i përcjellë në mënyrë aktive bisedimet e Serbisë me Kosovën dhe ndikimin e faktorëve ndërkombëtar në dialog, e në rend të parë të “sponsorëve” të pavarësisë së Kosovës. “Pra, pa pajtimin e Rusisë dhe të Serbisë do të jetë e pamundur të arrihet zgjidhja për Kosovën”, thotë burimi i gazetës, transmeton Insajderi.com.

Sipas “Novosti”, qëndrimet koherente të Putinit dhe Vuçiqit për “nyjën kosovare” sikur e kanë aktivizuar alarmin në Perëndim. Kështu që dialogu i Prishtinës dhe Beogradit do të jetë tema kryesore në Uashington, ku do të takohen përfaqësuesit e SHBA, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë. Sipas informatave jozyrtare, ata duhet t’i mbajnë konsultimet për atë se në çfarë drejtimi dhe me cilën dinamikë duhet të vazhdohen bisedimet në mes të dy fqinjëve për t’u arritur marrëveshja përfundimtare.

Kryetari serb menjëherë sot do të takohet me deputetin gjerman dhe kryetarin e Këshillit për Marrëdhënie me Bashkimin Evropian Gunther Krichbaum. Ai është i njohur për qëndrimin e tij që Serbia duhet ta pranojnë realitetin dhe është një nga përkrahësit kryesor të nënshkrimit të marrëveshjes juridikisht obliguese në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete fqinje.

‘Rusia do të zemërohet shumë nga marrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi’

Shtetet e fuqishme Perëndimore, veçanërishtë Gjermania dhe Amerika, nuk dorëzohen në idenë se Beogradi dhe Prishtina duhet të nënshkruajnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në modelin e dy Gjermanive

“…nëse arrihet një marrëveshje e tillë, atëherë Serbisë duhet ti premtohet anëtarsimi në Bashkimin Evropian dhe ti jepet një datë e sakt se kur do të ndodh një gjë e tillë”, kështu i kanë thënë burime diplomatike brenda të përditshmes serbe ‘Danas’, transmeton Periskopi.

Siç shkruan Danas, një seknar i tillë është tepër i pa favorshëm për Rusinë, shtet ky që e kundërshton mundësinë që Republika e Kosovës të marr një karrige në Kombet e Bashkuara, qoft edhe statusin e vëzhguesit.

“Berlini dhe Uashingtoni besojnë se Beogradi dhe Prishtina duhet të nënshkruajnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fund të këtij viti, që do të thotë se Serbia nuk do të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në kombet e Bashkuara” ka treguar ky burim për Danas, shkruan Perisopi.

Ndërsa si pjesë e kësaj marrëveshje pritet të jenë edhe themelimi i Asociacionit të Komuanve me shumicë serbe.

Kjo marrëveshje pritet që të nënshkruhet nga dy kryeministrat e të dyja vendeve, Ana Bërnabiç dhe Ramush Haradinaj.

Një marrëveshje e tillë pritet që të kthejë Serbinë përfundimisht drejtë Perëndimit, gjë që do të zemërojë jashtëzakonisht Rusinë, pasi që nuk është në të mirën e saj.

Sipas burimeve të përditshmes ‘Danas’ kjo marrëveshje pritet që të nënshkruhet nga të dyja Qeveritë, në shtatë muajt e ardhshëm, dhe është e mundur që në Serbi të organizohet edhe një referendum për ndryshime në Kushtetutën e Serbisë.

Kur është fjala për pozitën e Moskës, besohet që Rusia do të përkrahë ndonjë zgjidhje për Kosovës, që është e pranueshme për Serbinë.

“Rusia nuk dëshiron që të humbasë ndikimin në Serbi, mëgjithatë nëse nënshkruhet ajo marrëveshje e detyrueshmë një gjë e tillë do të ndodh. Por mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi i Rusisë në muajt e ardhshëm”, ka thënë ky burim diplomatik për ‘Danas’.

Familja mbretërore serbe ka origjinë shqiptare

Telegrafi ju kujton se Petar I, që ka kryer krime mizore ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, në shtypin beogradas të kohës së ardhjes së tij në pushtet citohet të ketë thënë se ka prejardhjen nga fisi i njohur shqiptar Kelmendi

Botues i librit është shtëpia botuese “Lio” nga Gornji Milanovaci, ndërsa autorët kanë publikuar dokumente të ndryshime, dorëshkrime dhe korrespondenca që tregojnë se Karagjorgjët e kanë prejardhjen nga fisi Kelmendi i rrethinës së Shkodrës, shkruan Sandzak Vijesti, duke rikthyer në debat temën që trajton kjo vepër e botuar para disa vitesh.

Autorët e librit thirren “Zhurnalit të Muzeut Kombëtar të Bosnjës dhe Hercegovinës”, të vitit 1910, Nr. 22, ku thuhet se një pjesë e fisit Kelmendi arriti rreth vitit 1737 në rrethinën e Rudnikut, gjatë tërheqjes së ushtrisë austriake nga Pazari i Ri, transmeton Telegrafi.

Shtohet se në atë kohë kanë arritur rreth 500 familje shqiptare të cilët mezi flisnin shqip, ndërsa merreshin me blegtori dhe kishin karakter të fortë. Boshnjak dhe Jakovleviqi për këtë bazohen edhe në veprën e Andrija Luburiqit, të botuar në vitin 1937.

Ata pohojnë se mbreti Petar I (1844-1921), i ashtuquajturi “Çlirimtari”, që sundon nga viti 1903 e dinte se është shqiptar.

Telegrafi ju kujton se Petar I, që ka kryer krime mizore ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, në shtypin beogradas të kohës së ardhjes së tij në pushtet citohet të ketë thënë se ka prejardhjen nga fisi i njohur shqiptar Kelmendi. Po ashtu, thuhet se Kelmendët e kanë mbrojtur atë gjatë tërheqjes së Ushtrisë serbe nëpër Shqipëri më 1915, ku kryhen po ashtu krime të mëdha, ngase e konsideronin trashëgimtar të tyre.

Se Karagjorgjët kanë origjinë shqiptare, ju kujtojtojmë veprën “Serbia dhe Shqipëria”, të botuar më 1914 ku përmendet pikërisht ky fakt. Të njëjtën e ka thënë edhe profesori i njohur serb, Jovan Tomiq.

Akademiku dhe shkrimtari malazez, Jevrem Bërkoviq, që është nga malazezët e rrallë që pranon se ka origjinë shqiptare, thotë se Millosh Obiliqi dhe Karagjorgjët janë shqiptarë.

“Milloshi ishte shqiptar në shërbimin e mbretit serb Lazarit. Babai i Karagjorgjit ishte shqiptar nga veriu i Shqipërisë, e nëna nga fisi i Vasojeviqëve”, thotë ai. Ndërsa, po ashtu dihet se edhe Vasojeviqët, një fis antishqiptar, po ashtu janë me origjinë shqiptare.

Nis hetimi për kontratën Telekom – Z-Mobile

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet për keqmenaxhimet që janë bërë në Telekomin e Kosovës, e të cilat e sollën këtë aset publik buzë falimentimit. Nisjen e hetimeve e ka bërë të ditur për emisonin Frontal, Zëdhënsi i Prokrurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu, përmes postës elektronike

Përgjigjet e Pokurorisë nuk e specifikojnë saktë se cfarë është duke u hetuar, por duket se cak i hetimeve është e gjithë kontrata e parë e lidhur mes Telekomit të Kosovës dhe Z Mobile. Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe Telekomi i Kosovës e ka zanafillën në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009, kur edhe nisën mospajtimet në mes të dy palëve.

Këto mospajtime përfunduan në Arbitrazh në vitin 2015 pasi “Z-Mobile” pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit në Vjenë më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas këtij vendimi Telekomi obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Përmes një spektakli medial, protagonistët Kryeshefi i Telekomit, Agron Mustafa dhe drejtori i Z-Mobile, Milot Gjikolli, në prani të pronarit Blerim Devolli, në emër të shpëtimit të telekomit, nënshkruan marrëveshje, përmes së cilës këta të fundit hoqën dorë nga gjoba prej 32 milionë eurove

Atëherë marrëveshja u mbajt top sekret deri të mërkurën kur Gazeta Express e publikoi atë.
Secili nen i kësaj kontrate është më i rënd se tjetri për telekomin.

Telekomi është detyruar t’i paguaj 4.5 milionë euro Z-Mobile për shpenzime në Gjykatën e Arbitrazhit, të cilat nuk janë faktuar asnjëherë në pasqyrat financiare të Z Mobile, pasi besohet se kjo shumë ka qenë shumëfish më e ulët.

Marrëveshja kishte paraparë poashtu që Telekomi t’i alokojë për Z-Mobile 80 mijë deri në 90 mijë numra të ri dhe deri në vitin 2023 të mos e marrë asnjë cent prej të hyrave që i realizon Z-Mobile. Për më tepër i detyrohet që t’i jep edhe më shumë numra e edhe më shumë akces në 3G dhe 4G.

Të nënshtruar dhe të poshtëruar nga Blerim Devolli

Nga Berat Buzhala

Nuk është vetëm faji i Blerimit. Në fakt nuk është fare faji i tij. Vulën për vandalizmin më të madh ekonomik në Kosovë, për krimin më të madh në këto dy dekada, e mbajnë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Shpend Ahmeti…

Ka katër ditë që Gazeta Express dhe televizioni T7 po nxjerrin në dritë dokument pas dokumenti për aferën kriminale në mes të PTK’së dhe Z-Mobile, por që çdokush në Kosovë, çdokush që ka diçka në dorë, i ka mbyllur të dy sytë me duar për të mos parë e as lexuar për këtë krim.

Në fakt nuk i kanë mbyllur ata sytë me duart e tyre, sytë e tyre janë mbyllur fort prej tentakulave të Blerim Devollit. Ne, në Gazeta Express dhe T7, pothuajse po flasim vet me vete – tash e 10 vjet.

Çfarë po ndodh?

Qeveria nuk dëshiron të thotë asnjë fjalë, ani pse shumë shpejt do t’i shpërthejë bomba më e madhe në historinë më të re të Kosovës, kolapsimi i kompanisë që punëson mijëra veta. Nuk dëshiron të thotë asnjë fjalë, jo pse nuk di të thotë, jo pse nuk e sheh se çfarë po ndodh, por për arsyen se partnerët qeveritarë, të tretë bashkë, PDK, AAK, Nisma, në një fazë të caktuar të zhvillimit të tyre politik, e po besoj që edhe tash kur po i shkruaj këta rreshta, janë ushqyer nga dora e Belit. E vërteta është ndoshta edhe më e hidhur, bartësit e këtyre subjekteve politike, Veseli, Haradinaj dhe Fatmir Limaj, mendojnë se hajnia që Beli e ka bërë në bashkëpunim me ta është kreativitet.

Kuvendi, ose pjesa dërrmuese e Kuvendit, nuk dëshiron të flasë për këtë aferë, për të njëjtat arsye për të cilat nuk flet as qeveria. Unë besoj që një pjesë e Kuvendit, duke e përfshirë një pjesë të vogël të LDK’së, Isa Mustafa personalisht, e tek tuk edhe ndonjë deputet tjetër, nuk janë të prekur nga bakshishet e Belit. Gjithashtu, besoj që edhe ajo çfarë mbeti nga Vetëvendosja, pra ata që janë rreth Albin Kurtit, janë të shëndoshë në këtë drejtim. Ndoshta edhe Lista Serbe. Këta të fundit, jo pse nuk do të donin, po pse Beli nuk ka pasur nevojë për ta. Përveç këtyre, çdo gjë tjetër në Kuvendin e Kosovës është e kalbur, kur është në pyetje Blerim Devolli. Përndryshe, krejtësisht të kapur nga Blerim Devolli janë PDK, AAK, Nisma, e sigurisht që në këtë romancë të kësaj katërsheje tash është edhe Shpend Ahmeti. Kujtimet për këtë të fundit në jahtin e Blerimit të gjithë i kemi të freskëta.

Presidenti? Hahahahahahahaha.

Në vende të ndryshme të botës janë presidentët ata që i kanë biznesmenët e tyre. Kosova mund të jetë vendi i vetëm në Evropë kur një biznesmen e ka Presidentin e vet.

Prokuroria? Hahahahahahahaha.

Nuk ka prokuror e as gjyqtar që do t’i dilte përpara kësaj stuhie. Më me dëshirë do t’i dilnin përpara një treni dhe 100 vagonëve. Më shumë do të kishte gjasa që të mbijetonte nga treni, se sa nga Blerimi dhe argatët e tij. Të kesh punë me Blerimin është sikur të kesh punë njëkohësisht me Ramushin, Kadriun, Fatmirin dhe të gjithë të tjerët që këtyre u shkojnë përmbrapa.

—–

Më kujtohet kur si gazetar më i ri, fill pasluftës, bashkë edhe me gazetarët e mediave të tjera, po i bënim hapat e parë në gazetari hulumtuese. Shkruanim me pasion të madh për aferat korruptive, kryesisht në ndërmarrje publike, pra edhe në PTK, por edhe në ndërmarrje të tjera. Raportonim edhe për Dogana, për ATK, për ministri të ndryshme. Me dhjetëra herë i kemi parë rezultatet e punës sonë. Arrestoheshin drejtorë institucionesh, zyrtarë të lartë të këtyre institucioneve, menaxherë të ndryshëm. E kam në kujtesë shkrimin për një aferë në mes të Leme Xhemës, ish-drejtoreshë e PTK’së, dhe një kompanie norvegjeze, për një projekt të quajtur ARTET. Po flasim për një dyshim prej 300 mijë eurove, jo më shumë. Ishte arrestuar drejtoresha. Pastaj ishte arrestuar ish-drejtori i Doganave, për një rast tjetër. Ishin arrestuar në fakt plot doganierë, për korrupsion dhe abuzime. Nuk kishte muaj që dikush nuk përfundonte në pranga. Akte të tilla të guximshme të organeve të drejtësisë, e cila në atë kohe ishte shumë më e pavarur se sa kjo sot, ishte një infuzion i jashtëzakonshëm për ne gazetarët. Vazhdonim të gjurmonim dhe të shkruanim.

E sot?

Ka fakte të mjaftueshme se si, përveç tjerash, PTK i ka paguar Devollëve 4.5 milionë euro për shpenzimet gjyqësore në Arbitrazh. Këtë e pranon edhe ish=drejtori i PTK’së. Në anën tjetër, Devollët në Administratën Tatimore i kanë lajmëruar si shpenzime të Arbitrazhit vetëm 600 mijë euro. Pra, janë paguar rreth 4 milionë euro më shumë. Mos të flasim pastaj për kryegjënë e kësaj afere, pra vetë ekzistencën e Z-Mobile, e cila është shndërruar në një vrimë të zezë financiare për të hyrat publike. Jo që nuk flet kush për këtë temë, por ka zëra që tregojnë se ndoshta Qeveria fare në fund do t’ia dhurojë gratis çfarëdo që do të mbetet nga Telekomi i dikurshëm, kompani që vlente rreth 1 miliard euro, pak vite më parë. Kaq larg kanë shkuar gjërat.

Fill pasluftës ka qene turp që politikanët të shoqëroheshin me biznesmenë të pandershëm. Ishte e turpshme që të shiheshin me ta në darka e në dreka. E tash? Asgjë më nuk është e turpshme. Për më tepër, përveç të gjitha të këqijave, gjeneratave të reja i ekspozohen si raste të suksesshme të të bërit biznes, njerëz të paditur dhe zhvatës si Blerim Devolli, ose shumë edhe shumë Blerima të tjerë.

Qeveria çdo ditë flet për mundësinë e hapjeve të vendeve të reja të punës: Kancelarja gjermane Angela Merkel i tha Presidentit Thaçi që duhet të ulet papunësia dhe të ndalet korrupsioni. Ndoshta do ta bëjnë një gjë të tillë, por jo në nivel të Kosovës. Do ta ulin papunësinë brenda rrjetës së tyre, duke i braktisur miliona të tjerë. Ka mundësi që Blerim Devolli, kur ta vrasë përfundimisht Telekomin e Kosovës, do t’i shtojë edhe ca vende të tjera të punës, në kurriz të Kosovës, të cilës do t’i shtohen edhe rreth 3.000 të tjerë të papunë.

Dhe kur krejt kjo do të ketë marrë fund, kur Telekomit do t’i organizohet ceremonia e varrimit, Oda Ekonomike e Kosovës, ose Oda Amerikane e Kosovës, do të ndajë çmimet për bizneset më të suksesshme në vend. Një të tillë ka mundësi t’ia ndajë edhe Blerimit.

Përtej një “legjende urbane” për Krasniqen

Nga Mehmet Elezi

1.

Emërvendi (toponimi) Krasniqe, mjaft i përhapur edhe si mbiemër në trajtën Krasniqi e më rrallë Krasniqja, ka ngacmuar hulumtuesit e huaj. Megjithatë, s’kanë shkuar më larg se shënimi i gojëdhënave rreth tij. Me sa dimë, asndonjë kërkues shqiptar s’e ka shprushur përnjëmend.

Përveshët e një të huaji ngjan si emërvend sllav. Siç ndodh me disa legjenda urbane që merren thuajse të mirëqena, një prejardhje që niset nga gojëdhënat dhe nga përshtypja që lë tingëllimi i këtij emri në dëgjim të parë, në njëfarë mënyre pranohet heshtas. Dihet se toponimia e trojeve shqiptare është e harrnuar me emërvende të lëna prej pushtuesish. Gjurmët e plagëve të historisë dallohen qartas edhe në këto harrna.

Krasniqja gjindet në Malsi të Gjakovës (Tropojë). Me ndarjen “administrative” sipas traditës popullore, është njëri prej katër fiseve kryesore të kësaj treve. Këto fise (në kuptimin bajrak ose mal dhe jo në kuptimin e ngushtë të fjalës fis) janë Krasniqja, Gashi, Berisha e Bytyçi.

Pjesa më e madhe e katundeve të Krasniqes shtrihen përgjatë luginës së Valbonës. Zënë të dy krahët e lumit me këtë emër, prej Dragobie në Fierzë. Në zemër të Krasniqes është ndërtuar qyteti Bajram Curri.

2.

Sipas një gojëdhëne të shënuar prej Zonjës Durham, emri Krasniqe rrjedh prej Krasni Lazi. Kështu qenkësh quajtur i pari i fisit.

Mark Milani rreh në një degëzim të ngjashëm. Paskëshin qenë dy vëllezër, Vasa e Krasa. Prej tyre dolën dy fise. Njëri “serb”, Vasojeviçët, tjetri “mysliman”, Krasniqja.

Në Triepsh Hekardit i del në shteg kalimthi një gojëdhënë, që sjell në vëmendje Krasniqen. Një vëlla, Kastro Keçi, kish pasë qenë martuar me një vajzë në Dukagjin. Fryt i kësaj martese kishin qenë “Kastroviçët, që banojnë pranë Gjakovës, të cilët më vonë përqafuan islamizmin”.

Një kallëzim i hershëm, shënuar prej Hahnit, lëviz në të njëjtat ujëra. Krasniqja rrjedh prej Nikës, të parit të Nikajve. Ai kishte pasur dy djem, njëri prej tyre quhej Gras. Fisi që doli prej Gras Nikës mori emrin Krasniqe.

Me sa shihet, në të katër rastet e sipërpërmendura jemi në rrafshin e një gojëdhëne me katër degëzime. Kemi: një Krasni, një Krasa, një Kastro dhe një Gras. Trajta të përafërta fonetike, që flasin për të njëjtin rrënjë.

3.

Përtej folklorit, në gjurmët drejt së vërtetës na prin rishtazi Hahni. Kësaj here krejt pahiri, pa hulumtuar pik për temën në fjalë. Dhe pa qenë i vetëdijshëm se po qet në dritë një të dhënë me interes.

Në pjesën e tretë të Studimeve Shqiptare, në shënimin 159 për episkopatin e Pultit, shkruan: “Farlati Illyr. Sacrum VII f. 261 shkruan se kufijtë e këtij episkopati janë Valbona, që quhet edhe Kastergus ose Kastranichius …”. Pra lugina e Valbonës, në dy krahët e së cilës shpalohen katundet e Krasniqes me qytetin Bajram Curri, ka qenë njohur edhe me emrin Kastranichius.

Filli vezullon papritmas. Në rrënjë të këtij emri dallohet fjala latine castrum, siç quheshin fortesat romake. Edhe në degëzimin Kastergus bie në sy kjo rrënjë. Prej Kastranichius, me vendkëmbim (metatezë), është bërë Krastanichius për të mbërri, nëpërmjet disa ndryshimesh të lehta fonetike, te trajta e sotme Krasniqe.

Lugina ka edhe emërvende të tjera me gurrë latine, përfshi emrin e lumit e të katundit Valbonë.

4.

Tërthorazi, në kundërshtim me çka synon vetë, një prejardhje të mundshme sllave e rrëzon edhe Mark Milani.

Duke folur për vëllezërit Vasa e Krasa, thotë se “nga Krasa doli fisi i Kastriniqëve…”. Siç shihet, në rrënjë të emrit të fisit – Kastriniq – kemi sërish fjalën latine kastra (castrum). Lidhja që bën me të hamendësuarin Krasa, një shndërrim i Krasa në kastra – Kastriniq dhe sërish prapakthehu duke u bërë edhe një herë siç qe Krasa (Krasniq), nuk ngjan fonetikisht e arsyetuar dhe bindëse. Nuk ndodh që trajtat gjuhësore me u kthye mbrapa, me ba nji rreth e me dalë prapë në pikën e fillimit. Trajta Kastriniq, që jep Mark Milani,nuk është tjetër veçse Kastranichius, që zbulon Hahni në dokumentet për shtrirjen e episkopatit të Pultit.

Edhe te Hekardi gjejmë Grastenicha (trajtë me vendkëmbim e Kastranichius). Grastenich-ën studiuesit e kanë njëjtësuar me Krasniqen.

Dëshmitë se emërvendi Krasniqe është me gurrë latine janë krejt të prekshme. Krasniqe do të thotë Vendi i Fortesës.

Në trojet shqiptare janë disa emërvende që lidhen me latinishten castrum. Qysh prej Kastratit në Veri, te Mallakastra e Gjirokastra në Jug. Zakonisht janë pika strategjike. Lugina e Valbonës është tepër strategjike.

5.

Një pjesë e mirë e krasniqasve – shumica e fshatrave të Nikaj-Mërturit ose Lekbibajve (do katunde të anës i përkasin fisit Mërtur, që shtrihet në Pukë) deri në Curraj të Epër – janë të besimit katolik. Edhe në fshatrat myslimane spikatin emra me prejardhje qartësisht katolike: Margegaj (Mark Gega), Kolgecaj (Kolë Geci), Markaj (Mark), Lekurtaj (Lekë Kurti), Dojan (Ndue-Ndoi), Dedaj (Dedë), Kolmekshaj (Kolë Mekshi)… Të parët e këtyre katundeve kanë qenë katolikë. Sot e kësaj dite shumë mbiemra familjarë janë të tillë. Duke ndjekur vijimësinë e brezave, pemën gjenealogjike të familjes, tërë myslimanët e Krasniqes, përfshi autorin e këtyre shënimeve, dalin te stërgjyshë katolikë. Shtrati i pastër katolik i Krasniqes dëshmohet edhe në studimet e Hahnit e në dokumente të tjera, sidomos të Vatikanit.

Katolikët dhe katolicizmi shqiptar janë tepër të hershëm. Si të tillë, nuk mund të kenë kurrfarë lidhjeje vëllazërie, gjaku a tjetërfare me sllavët e dyndur vonë. Në Krasniqe, në Dukagjin, në Malsi të Madhe e ngjeti, janë ruajtur e kanë mbërri deri në kohët e sotme rite, valle, këngë (kanga e kushtrimit ose majëkrahi) si dhe veshje të moçme ilire (xhubleta). Disa vijnë prej lashtësisë, prej kohëve pagane. Pra datojnë shumë qindvjeçarë para se me shkelë këmba e sllavit të parë në këto vise, të cilat më vonë u quajtën Ballkan. Ndër më të njohurat e më domethënëset e këtyre trashëgimive është gjama e burrave. Te regjia dhe interpretimi i gjamës së burrave studiuesit kanë gjetur ngjashmëri me tragjeditë e grekëve të lashtë.

6.

Vihet re qartë se gojëdhënat për Krasniqen – me çka shihet është një gojëdhënë e vetme, përhapur dhe regjistruar në disa degëzime – në zanafillë kanë prejardhje sllave. Gjithherë rrahin me gjetë ose me nënkuptue një burim sllav për fisin, duke u nisur nga emri i tij.

Bie në sy kjo prirje edhe te Mark Milani. Në veprën etnografike për doket e shqiptarëve ai shquhet për paanësinë dinjitoze në mjaft gjykime e vlerësime. Megjithatë nuk i shpëton dot joshjes me pa rrënjë serbe edhe ku ato nuk ngulin fare. Pohon, për shembull, pa asnjë përpjekje me e argumentue-veç të tjerash, ai ka qenë i vetëmësuar (autodidakt) – se emri Kastrat, burimin e të cilit studiuesit e gjejnë pa kurrfarë mëdyshjeje te fjala latine castrum, vjen prej sllavishtes krst!

Dhe kështu zënë fill e marrin krahë legjendat folklorike, shpesh duke mjegulluar të vërtetat.

Izet Haxhia kërkon dëshminë e Sali Berishës, Ylli Rakipit, Zenel Nezajt dhe kasetën me regjistrimin e ish truprojës së Azem Hajdarit

Tashmë është një fakt i kryer rihapja e dosjes së Azem Hajdarit, vrarë para selisë së Partisë Demokratike më 12 shtator 1998. Vrasja e tij shkaktoi tronditje në politikën dhe shoqërisë shqiptare, ndërkohë që Tirana u përball me një grusht shteti të organizuar nga opozita e atëhershme e drejtuar nga Sali Berisha

Turmat morën institucionet dhe opozita përmes ish kreut të PLL shpalli marrjen e institucioneve nga populli. U desh ndërhyrja e partnerëve tanë ndërkombëtarë, më saktë u desh kërcënimi i SHBA dhe i BE që deklaruan se nuk njihnin asnjë qeveri të dalë nga një grusht shteti në mes të Europës, që forcat e armatosura dhe paramilitare të Berishës të tërhiqeshin bashkë me tanket në selinë e PD.

Ndërkohë që vetë Berisha, i cili u nis drejt kryeministrisë për të shpallur fitoren e grushtit të shtetit, sapo iu komunikua kërcënimi i SHBA dhe BE, u kthye te Ura e Lanës pikërisht afër vendit ku po ndërtohet xhamia e re, për të bërë që grushti i shtetit të dështonte.

Por Sali Berisha nuk qëndroi duarkryq pas vrasjes së Azem Hajdarit për të fshirë të gjitha gjurmët që të çonin tek ai si autor i vrasjes së Azem Hajdarit dhe autor i grushtit të dështuar të shtetit dy ditë më pas.

Pasi zhduku celularin e liderit të Dhjetorit të vrarë para selisë së PD, pasi ndaloi të gjithë ekspertët që shkuan për të marrë provat në vendngjarje duke e zhytur drejtësinë në mister për vrasjen e Azem Hajdarit dhe pasi orientoi të gjithë drejt kundërshtarëve të tij si vrasës të Liderit të Dhjetorit, Berisha realizoi dhe skenarin e largimit të dëshmitarit të vetëm të vrasjes së Hajdarit, ish badigardit të tij njëherësh ish oficerit të SHIK-ut Zenel Neza.

Izet Haxhiaj thotë se rihapja e dosjes do të përfshijë jo vetëm kërkesën për rrëzimin e gjykimit në mungesë, por edhe futjen në dosje të provave e dëshmive që sipas tij ekzistojnë, por nuk janë futur në hetim dhe nuk janë paraqitur e pranuar në gjykim.

Konkretisht, një nga këto prova është regjistrimi me kasetofon, i bisedës që Sali Berisha ka bërë atë natë në spital, me Zenel Nezajn, truproja i plagosur i Azem Hajdarit, i cili është ende gjallë dhe jeton jashtë Shqipërisë.

Pasi vetëm pak minuta pas vrasjes së Azem Hajdarit më 12 shtator 1998, Sali Berisha, i shoqëruar nga drejtuesi i gazetës “Albania” Ylli Rakipi dhe nga tre njerëz të besuar të tij në kupolën e PD, nxitoi e shkoi me urgjencë në spital, për të “kapur i pari” dëshminë e truprojës së plagosur Zenel Neza.

Madje edhe duke mos lejuar as mjekët që i kërkuan të mos pyeste të plagosurin. Nuk lejoi, por kërcënoi edhe policinë e cila në bazë të ligjit, i kërkoi të mos ndërhynte në punët e saj, duke pyetur privatisht të plagosurin, megjithëse Zenel Neza ishte marrë në mbrojtje prej policisë në spital.

Duke qënë se situata e krijuar dhe mendimi se mund të krijoheshin trazira të dhunshme, mbasi jashtë spitalit ishin grumbulluar qindra militantë të acaruar të PD, policia u tërhoq dhe Sali Berisha vazhdoi të merrte në pyetje Zenel Nezën, duke e regjistruar rrëfimin e tij, për ato çfarë kishte parë e dëgjuar atë natë në selinë e PD, nga Azemi, nga ata që qëlluan dhe nga vendi ku ndodhi vrasja!

Kjo kasetë e bisedës së regjistruar mes Sali Bershës dhe Zenel Nezës, nuk është në dosjen hetimore dhe kësaj kasete i referohet edhe Izet Haxhia, duke kërkuar që drejtësia ta detyrojë Berishën ta dorëzojë si provë konkrete.

Thuhet, se Berisha i ka kërkuar Zenel Nezës dhe e ka instruktuar, që përpara drejtësisë të deklarojë një deshmi tjetër ndryshe nga realiteti që ka ndodhur. Janë informacione të nxjerra vit pas viti, në sajë të përplasjeve që Berisha ka krijuar me personat që kanë qënë në spital në momentin e pyetjes së Nezës.

Njëherësh pritet të merren nën hetim për t’u pyetur dhe dëshimtarët okularë, që janë Sali Berisha ish kryetar i PD në atë kohë dhe autori i marrjes në pyetje privatisht të ish truprojës së Azem Hajdarit, por dhe të Ylli Rakipi ish pronari i gazetës “Albania”, që mendohet se ka qënë ai që ka mbajtur regjistruesin-diktofon dhe që ka dijeni për ngjarjen.

Njëherësh do të kërkohet marrja në pyetje e të gjithë personave që kanë qënë aty, përfshirë dhe Genc Pollon, Jemin Gjanën dhe një person tjetër që mendohet ta zbardhë bisedën, Berisha dhe Ylli Rakipi.

Duke bërë që rrethi i hetimit për zbardhjen e plotë të vrasjes së Azem Hajdarit, pas rihapjes së dosjes së tij me kërkesë të ish truprojës së Berishës, Izet Haxhia të përshijë një rreth të madh njerëzish, të kryesuar nga Sali Berisha.

Por do gjendet për t’u pyetur dhe Zenel Neza, me statusin e dëshmitarit të vetëm të mbetur gjallë në momentin e vrasjes së Azem Hajdarit. I cili deri më tani pavarësisht se ka pasur shumë dënime përjetë për vrasjen e Hajdarit, s’është pyetur asnjëherë nga drejtësia dhe dëshmia e tij është gur themeli për zbardhjen e vrasjes./Pamfleti.com

Shtetet perëndimore merren vesh për parimet kyçe në bisedimet Kosovë-Serbi

Shtetet Perëndimore SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania e Italia janë takuar në dje në Washington për të folur rreth bisedimeve Kosovë–Serbi të cilat mund të përfundojnë me një marrëveshje edhe brenda këtij viti

Siç merr vesh Gazeta Express drejtorët politikë për Ballkanin Perëndimor të pesë vendeve perëndimore SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania e Italia janë takuar në Washington për të konsulta rreth fazës finale të dialogut Kosovë–Serbi që pritet të zhvillohet gjatë muajve të ardhshëm për t’u kurorëzuar me një marrëveshje finale ndërmjet palëve që pritet të rezultojë me normalizimin marrëdhëniesh.

Deri më tani është menduar se ky normalizim nuk nënkupton njohja të Kosovës nga Serbia por vetëm njohje të realitetit, pra ekzistencën e shtetit të Kosovës, dhe mos pengimin e anëtarësimit të saj në OKB. Nga kjo Serbia do të përfitonte anëtarësimin në BE.

Sipas burimeve të Gazetës Express, në mesin e diplomatëve perëndimorë tashmë ka një dakordim për ato që mund të konsiderohen si parime prijëse. Njëri nga këto parime, to thuhet të jetë “më mirë të mos ketë fare marrëveshje, se marrëveshje të keqe” ndërmjet palëve.

“Marrëveshje e keqe konsiderohet ndarja e Kosovës dhe lejimi i një Republika Srpska në Kosovë”, ka thënë një burim për Gazetën Express.

Ndryshe Gazeta Express mbrëmë në kryeqytetin amerikan, Washington, janë mbledhur përfaqësuesit e 5 shteteve me të fuqishme perëndimore për të zhvilluar konsultime për bisedimet Kosovë-Serbi. Në këto konsultime europianët po përfaqësohen në nivel të drejtorëve politikë për Ballkanin ndërkohë pala amerikane me përfaqësuesin e rangut të njëjtë në State Departament.

Aktualisht dialogu Kosovë-Serbi është duke u zhvilluar në nivel të Presidentëve nën ombrellën e BE’së. Faza finale pritet të nis shpejt edhe pse nuk dihet saktë se kur.

Por besohet se kësaj here pritet të jetë një proces intensiv që do të çojë në normalizimin e raporteve Kosovë -Serbi. Sipas Presidentit të Serbisë ky proces pritet të mbyllet më së largu brenda një viti.

Për këtë, përveç Brukselit po zhvillohen bisedime edhe në qendra tjera, siç është Berlini. Merkel tashmë ka ftuar në zyrën e saj Vuçiqin (dy herë), dhe Hashim Thaçin të cilin e ka takuar dje.

LDK kërkon heqjen vizave për Kosovën

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se Kosova duhet të marrë sa më shpejt liberalizimin e vizave për qytetarët e saj, si vendi i fundit në rajon që nuk e gëzon këtë të drejtë

Ai tha se këtë ia kanë bërë me dije edhe gjatë takimit që Kryesia e LDK-së kishte sot me zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian Rainer Wieland dhe Johannes D. Rey, shef i Zyrës së Fondacionit Konrad Adenauer Stiftung për Maqedoni dhe Kosovë.

Veliu tha se kanë kërkuar nga parlamentarët evropianë që Kosova ta ketë sa më parë liberalizimin e vizave për lëvizje të lirë të qytetarëve kosovarë në shtetet evropiane, ngase ajo tashmë ka përmbushur kriterin për ratifikimin e kufirit me Malin e Zi.

Numri dy i LDK-së ka bërë të ditur se në takim me parlamentarët evropianë kanë biseduar edhe për çështje tjera me rëndësi për Kosovën.

Ndërsa, zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian Rainer Wieland tha se është i kënaqur që LDK është pro dialogut Kosovë-Serbi.

Grupi i Kumanovës, arsyeja e vizitës së Zaevit në shtëpinë e Haradinajt?

Një konflikt i armatosur në Lagjen e Trimave në Kumanovë në vitin 2014, që rezultoi me burgim të 33 personave deri në 746 vjet prapa grilave, ka gjasa t’i ketë bërë bashkë Kyeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev dhe atë të Kosovës Ramush Haradinaj në shtëpinë e këtij të fundit

Haradinaj para pak ditësh ka qëndruar zyrtarisht në Maqedoni në një takim ku kanë marrë pjesë edhe shefa të qeverive të rajonit. Ndërsa ky i fundit është mbajtur në shtëpinë e Haradinajt, pa praninë e mediave. Kohë më parë shefi i Qeverisë së Kosovës kishte kërkuar hetim ndërkombëtar për rastin e Kumanovës për çka e kishte dhënë aprovimin edhe Zoran Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev bashkë me bashkëshorten e tij, Zoricën kanë qëndruar të mërkurën për një vizitë në Kosovë. Vizita e Zaev nuk ka qenë zyrtare. Ai është takuar vetëm me kryeministrin Ramush Haradinaj në shtëpinë e këtij të fundit.

“Bashkë me Aniten, mirëpritëm në shtëpinë tonë mikun dhe homologun tim maqedon, Zoran Zaev, me bashkëshorten e tij, Zorica, me dëshirën që miqësia jonë të reflektojë në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Një takim i tillë duket i pazakontë, pasi asnjëherë më parë Kryeministrat e Kosovës dhe Maqedonisë nuk kanë kultivuar raporte të tilla.

Por çfarë e solli Zaevin në Prishtinë e çfarë e shtyri Haradinajn ta ftojë atë? Ka gjasa që dy shefat e qeverive në Prishtinë dhe Shkup të kenë biseduar edhe për çështjen e Grupit të Kumanovës.

Bashkëpunëtorët e Haradinajt kanë refuzuar të komentonjë për Express për natyrën e takimit por kanë bërë me dije se ftesën Haradinaj Zaevit ia kishte bërë gjatë qëndrimit në Shkup para disa javësh.

Siç dihet Ramush Haradinaj menjëherë pas vendimit kishte dal me një deklaratë në lidhje me dënimin e Grupit të Kumanovës nga Gjykata e Shkupit, ku edhe ka kërkuar hetim ndërkombëtar.

“Kemi përcjellë me kujdes dhe vëmendje të shtuar procesin pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, në maj të vitit 2015 dhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Shkup. Drejtësia duhet të vihet në vend, duke nisur që nga zbardhja e plotë e ngjarjes me të gjitha dimensionet e saj. Një hetim ndërkombëtar do të ndihmonte zbardhjen e plotë të së vërtetës, për të cilën mundohemi të gjithë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq, kryeministri maqedonas i cili erdh për herë të parë në vizitë zyrtare në Kosovë premtoi se për rastin Kumanova do të ketë hetim ndërkombëtar në mënyrë që të zbardhet ngjarja.

“Duhet të dihet e vërteta. Kjo është në interes të dy shteteve. Është çështje e ndjeshme, aty pati vrasje. Do të ketë hetim ndërkombëtar në mënyrë që të arrihet e vërteta”, kishte shtuar Zaev.

Gjykata Penale dënoi me 746 vjet burg 33 pjesëtarët e grupit të Kumanovës. 7 dënime me burg të përjetshëm, 13 persona u dënuan me 40 vjet burg, 6 persona me nga 20 vjet, njëri nga të akuzuarit u dënua me 18 vjet, dy me nga 14 vjet dhe dy pjesëtarë tjerë me nga 13 vjet. Në mungesë të dëshmive, katër persona u liruan nga të gjitha akuzat. Me burg të përjetshëm u dënuan: Andi Krasniqi-Malisheva, Demë Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Beg Bajra dhe Fejzulla Rushitovski./Express