Lajme

Ahmeti prezantoi projektet kapitale për 4 vitet e ardhshme

Kryetari aktual i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, prezantoi sot disa nga projektet kapitale që do të realizohen gjatë katër viteve të ardhshme

Ai foli për rikonstruktimin e sheshit “Adem Jashari”, që do të kushtojë rreth 300 mijë euro, dhe do të jetë një hapësirë e përshtatshme edhe si shëtitore, edhe si vend pushimi.

“Ky shesh do të ndërlidhet me Qendrën Historike ku do të ndërtohet Tregu i ri, projekt ky i madh që do të kushtojë rreth 4 milionë euro dhe do ta ringjallë atë pjesë të qytetit. Sheshi “Adem Jashari” do ta krijojë mundësinë e lidhjes me pedonalen e rinovuar të rrugës “UÇK”, e deri tek shkallët e lagjes Arbëria, shkallë këto që do që do të përbëjnë një shteg karakteristik të këmbësorëve me gjithë hapësirat tjera përcjellëse për qëndrim. Projekti i këtyre shkallëve do të përfundohet në pjesën e parë të vitit 2018, dhe do të kushtojë rreth 500 mijë euro”, thuhet në njoftimin e tyre.

Më tej, Ahmeti prezantoi edhe idenë për Sallën Koncertale, që planifikohet të jetë në objektin ku sot është ATK.

“Lokacioni i tillë është shumë i përshtatshëm për shkak të afërsisë me sheshin kryesor të qytetit dhe me Teatrin Kombëtar”, tha ai.

“Me projektin e ri të Ndërmarrjes Publike Banesore, do të vazhdojmë rregullimin e hyrjeve të ndërtesave kolektive, sipas kërkesave dhe marrëveshje që do të bëhen me vetë banorët. Ky projekt deri tash ka shkuar shumë mirë, dhe kërkesat për ndërhyrje të tilla janë gjithnjë e më të mëdha.

Në katër vitet e ardhshme, do të rikonstruktohet edhe pllatoja në Bregun e Diellit, dhe në të njëjtën formë do të vazhdohet edhe me pllatot nëpër lagje të tjera. Në këtë formë shkojmë drejt zbatimit të programit tonë 100 pikësh, për ta bërë Prishtinën qytet në çdo lagje”, përfundoi Ahmeti.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *