Ekonomi

174 kompani në panairin “Prishtina 2018”, i rëndësishëm për integrimin ekonomik

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) mbajti konferencë për media lidhur me panairin e përgjithshëm ndërkombëtar “Prishtina 2018”, i cili do të mbahet prej datës 18-21 Prill 2018

Në konferencë u tha se ky panair ka rëndësi jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin e më gjerë sepse i jep rëndësi ekonomike, strategjike, integruese, sociale dhe mbi të gjitha është hap i fortësimit të partneritetit ndër-rajonal si dhe përmirëson imazhin dhe perceptimin rreth Ballkanit perëndimor.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se në panair do të marrin pjesë 174 kompani të ndryshme. 88 prej tyre janë kompani vendore dhe 86 të huaja, raporton eo.

Gërxhaliu tha se ky panair është shumë i rëndësishëm nga aspekti ekonomik dhe ai i integrimit. Ai shtoi se ky panair do ta përmirësojë perceptimin e krijuar për Kosovën.

Pjesë e panairit do të jenë 70 kompani nga Serbia, ndërsa nga Shqipëria vetëm një kompani. Duke folur për këtë, Gërxhaliu tha se si duket në Shqipëri me shumë janë të interesuar të bashkëpunojnë me vende te tjera sesa me Kosovën.

“Për të 19-tën herë, OEK organizon panairin ndërkombëtar ‘Prishtina 2018’. Panairi po rritet dhe promovohet me shtetin. Panairi ka multidimensionalitet, është i rëndësisë së pakontestuar në integrim”.

Gërxhaliu tha se e veçanta e këtij panairi është se ky panair është më i madhi në Ballkan.

“Në sektorin prodhues janë 38 prej kompanive, në shërbyese janë 20, kompani tregtare 16 dhe ndërtimore janë 10. Të gjithë sektorët nuk e kanë funksionalitetin e duhur pa mbështetje financiare. Sa i përket kompanive ndërkombëtare, prodhuese janë 56, ndërtimore janë 10, tregtare 16”.

Gjithashtu Gërxhaliu kërkoi nga komuna e Prishtinës që ta pastrojë rrugën që dërgon në panair, për shkak se aty ka shumë mbeturina.

Kryetari i OEK-ut e komentoi edhe pjesëmarrjen e Shqipërisë me vetëm një kompani.

“Duhet të mendojmë çka po ndodh me bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ata si duket janë të gatshëm që të bashkëpunojnë me të tjerët e me Kosovën jo. Gara më e madhe po bëhet si duket për të shtuar barriera e jo për të eliminiuar barrierat”, shtoi ai.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *