Lajme, Lajmi kryesor

10 vite: Rrugëtimi i marrëdhënieve politike mes dy shteteve shqiptare

Duke qenë se më datë 17 shkurt 2018 Kosova shënon 10-vjetorin e Pavarësisë së shumëdëshiruar (2008-2018), preferova të gjej këtë mënyrë festimi dhe urimi duke paraqitur në një shkrim të vetëm rrjedhën e marrëdhënieve politike mes dy vendeve. Në këto 10 vite shqiptarët e dy shteteve janë afruar me njëri-tjetrin gjithnjë e më shumë dhe një meritë të veçantë ka dhe “Rruga e Kombit”

Nga Leonora Laçi

Duke qenë se më datë 17 shkurt 2018 Kosova shënon 10-vjetorin e Pavarësisë së shumëdëshiruar (2008-2018), preferova të gjej këtë mënyrë festimi dhe urimi duke paraqitur në një shkrim të vetëm rrjedhën e marrëdhënieve politike mes dy vendeve.

Në këto 10 vite shqiptarët e dy shteteve janë afruar me njëri-tjetrin gjithnjë e më shumë dhe një meritë të veçantë ka dhe “Rruga e Kombit”, e cila është përuruar më 25 qershor 2009, ndërsa më 12 nëntor 2011 është përuruar segmenti vazhdim i “Rrugës së Kombit” e quajtur rruga “Ibrahim Rugova”.

Ky afrim do ishte vetëm fillimi pasi do të thellohet me përpjekjet e dy qeverive të të dyja shteteve për dialog për të folur në të njëjtën gjuhë politike në arenën ndërkombëtare, mbështetje reciproke në ekonomi, arsim, art e kulturë, marrëdhëniet dypalëshe në aspektin politik dhe lobimet të cilat kanë qenë të ndjeshme, por mund të bëhet më tepër se aq.

Që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, diplomacia shqiptare ka qenë shumë aktive në sigurimin e njohjeve ndërkombëtare për shtetin e ri. Diplomatët dhe zyrtarët e lartë të Shqipërisë gjatë vizitave të tyre zyrtare në pjesë të ndryshme të botës në shumë raste kanë lobuar për njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

Ndonëse kanë ndryshuar qeveritë e dy vendeve ndër vite, po paraqesim një tablo të marrëveshjeve të arritura në takimet zyrtare të qeverive shqiptare të cilat morën udhë që në vitin 2012. Megjithatë u fol më herët, për një projekt të një Abetareje të përbashkët që do të përdoret në të gjitha trevat shqipfolëse. Madje thuhet që është arritur një marrëveshje midis institucioneve arsimore në Tiranë, Prishtinë e Shkup për kooperimin që do të shtrihet dhe për tekstet e lëndëve të tjera nga sistemi shkollor fillor, por nuk arrita ta gjej të dokumentuar.

Janë për t’u theksuar dhe ratifikimet e disa marrëveshjeve të nënshkruara gjatë viteve 2008-2014 siç vazhdojnë më poshtë;

-Marrëveshje për udhëtim të ndërsjellë të qytetarëve së bashku me Protokollin përkatës për Lëvizje në zonat kufitare (Mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministror të Republikës së Shqipërisë- e nënshkruar më 6 tetor 2009- e ratifikuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhe në fuqi).

-Marrëveshje për ripranimin e personave, së bashku me Protokollin e zbatimit të marrëveshjes (Mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit Ministror të Republikës së Shqipërisë- e nënshkruar më 6 tetor 2009- e ratifikuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhe në fuqi).

-Marrëveshje për Bashkëpunim policor (Mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit Ministror të Republikës së Shqipërisë- e nënshkruar më 6 tetor 2009- e ratifikuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhe në fuqi).

-Marrëveshje për Bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë në çështjet doganore (Mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit Ministror të Republikës së Shqipërisë- e nënshkruar më 6 tetor 2009- e ratifikuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhe në fuqi).

-Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës për Transportin Ndërkombëtar Rrugor për udhëtarët dhe mallrat, nënshkruar më 22.07.2011, hyrë në fuqi më 21.11.2011.

Në vitin 2012 filluan përpjekje për të kanalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve ku më datë 13 janar u nënshkruan disa marrëveshje. Por Mbledhja e parë mes dy qeverive u zhvillua në Prizren më 11 janar 2014. Mbledhja e dytë e përbashkët u zhvillua më 23 mars 2015, në Tiranë. Më tej më 3 qershor 2016 në Prishtinë, e së fundmi në muajin e pavarësisë së Shqipërisë, 27 nëntor 2017, u mbajt takimi mes dy qeverive në Korçë e për të vazhduar festimet për Pavarësinë më 28 nëntor në Vlorë.

Nënshkrimi i disa marrëveshjeve më 13 janar 2012

Të dyja vendet kanë nënshkruar një marrëveshje (nënshkruar në Prishtinë më 13 janarit 2012), për të bashkuar shërbimet konsullore në disa prej përfaqësive të tyre në botë. Deri më tani kjo marrëveshje është zbatuar përmes krijimit të një konsullate të përbashkët shqiptaro-kosovare më shtator 2014 në Milano, Itali. Një tjetër konsullatë e përbashkët pritet të hapet në të ardhmen e afërt në Kanbera, Australi.

Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë thelluar marrëdhëniet në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjen penale-ekstradim, transferim të personave të dënuar dhe ndihmë të ndërsjellë. Ku, Ministritë e Drejtësisë të të dyja vendeve kanë nënshkruar në këtë kohë marrëveshje të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështje penale – ekstradim, transferim të personave të dënuar dhe ndihmë të ndërsjellë juridike.

Takimi i parë mes qeverive u zhvilluar më Janarit të vitit 2014

Ky takim mes dy qeverive u mbajt në Prizren. Ku u nënshkruan një sërë marrëveshjesh, si:

Nënshkrimi i dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik midis dy vendeve si; Nënshkrimi i marrëveshjes midis dy qeverive për bashkëpunim në lehtësimin e tregtisë; nënshkrimi i marrëveshjes mes dy qeverive për bashkëpunim në fushat e transportit dhe infrastrukturës; thellim të bashkëpunimit dypalësh në fushën e integrimit evropian. Gjithashtu, kemi dhe dy projekte për Preshevën; një propozim për bashkëfinancim të pajisjeve mjekësore për maternitetin e Preshevës dhe gjithashtu miratimin e një propozimi për krijimin e një fondi të përbashkët për zhvillimin e Preshevës. Në fund të takimit mes qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Shqipërisë, do të bëhet nënshkrimi formal i këtyre marrëveshjeve dhe gjithashtu, të dy kryeministrat do t’i përgjigjen interesit të mediave të pranishme aty.

Mbledhja e dytë e përbashkët u zhvillua më 23 mars 2015, në Tiranë, nën moton “Një tokë, një popull, një ëndërr”, u firmosën 5 marrëveshje, 4 memorandume, 2 protokolle dhe një deklaratë e përbashkët për zonat e lira ndërkufitare. Ato janë;

Për Bashkëpunim të “Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë”.
Memorandum mbi “Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Kontrollit të Brendshëm”.
Protokoll mbi “Shfrytëzimin e Përbashkët të Pajisjeve për Kontrollin e Kufirit”.
Protokoll “Për Ndjekjen e Menjëhershme Ndërkufitare”.
Memorandum i Mirëkuptimit “Për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës”.
Marrëveshje e Bashkëpunimit për “Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.

Marrëveshje e “Bashkëpunimit në Fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”.
Marrëveshje për “Bashkërendim Institucional për Përparimin dhe Zhvillimin Profesional të Mësimdhënësve në Arsimin Parauniversitar”.
Protokoll “Për Zbatimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunimin në Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë”.
Memorandum “Mbi bashkëpunimin në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural”.
Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës.
Mbledhja e tretë u zhvillua më 3 qershor 2016 në Prishtinë

Në mbledhjen e 3 qershorit, u evidentuan arritjet e deritanishme dhe u diskutua për gjetjen e mekanizmave të rinj për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, lehtësimin e procedurave dhe përmirësimin e klimës së biznesit, duke synuar unifikimin e tregut midis dy vendeve, përmirësimin e shërbimeve, infrastrukturës, rritjen e import-eksportit etj. Në këtë mbledhje u nënshkruan disa marrëveshje, memorandume në vijim të plotësimit të kuadrit ligjor dhe zhvillimit ekonomik dypalësh, rajonal dhe më gjerë.

Takimi i katërt, 27 nëntorit 2017 në Korçë

Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës kanë zhvilluar në qytetin e Korçës takimin mes tyre për të përcaktuar hapat e mëtejshëm të bashkëpunimit. Kryeministri Edi Rama deklaroi në hapje të mbledhjes se ky bashkëpunim ka sjellë rezultate të prekshme dhe shpresëdhënëse. Edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se arritjet e deritanishme janë një mundësi për t’u ndjerë krenar, por se mbetet ende shumë punë për të bërë. Palët firmosën 12 marrëveshje e protokolle bashkëpunimi që prekin fusha të ndryshme. U firmosën 12 marrëveshje e protokoll, marrëveshjet dhe memorandumet e firmosura pas mbledhjes përfshijnë disa fusha. Një rëndësi e veçantë i është dhënë diasporës, ndërsa palët angazhohen të financojnë mësimin e gjuhës shqipe dhe hapjen e qendrave të përbashkëta kulturore..

1-Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës për financimin dhe organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Diasporë.

2-Marrëveshje bashkëpunimi mes Këshillit të Ministrave të qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës në bashkëpunimin në fushën e diasporës.

3-Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës për qendrat kulturore në Diasporë.

4-Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme.

5-Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës në kuadër të anëtarësimit në BE.

6-Memorandum bashkëpunimi mes kryeministrisë së Republikës së Shqipërisë dhe zyrës së Kryeministrisë së Republikës së Kosovës për shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin për zbatimin e rregullimit më të mirë e të vlerësimit të ndikimit për përmirësimin e praktikave të zhvillimit të politikave.

7-Marrëveshje mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e të drejtës për pension.

8-Memorandum mirëkuptimi mes Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve dhe Agjencisë për Investime dhe përkrahjen e sipërmarrjeve në Kosovë.

9-Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Rinisë dhe Sporteve të Kosovës.

10-Protokoll për bashkëpunimin teknik në fushën e bujqësisë ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës për njohjen bilaterale të njohjeve të certifikatave të veterinare dhe produkteve me origjinë shtazore dhe joshtazore.

11-Memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Turizmit, Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

12-Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në krijimin e bashkëpunimit dhe krijimin e bursës shqiptare të energjisë elektrike mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës.

Dëshirojmë që marrëdhëniet të vazhdojnë më tej dhe jo vetëm në letër. Shqipëria dhe Kosova kanë historinë e përbashkët, kanë kulturën, gjuhën e traditat e përbashkëta.

Urime Pavarësinë Kosovë, dhe në një të ardhme jo të largët të mos kemi më doganën mes nesh.

Në Bashkimin Europian apo me Bashkimin Kombëtar të realizohet dëshira jonë e përbashkët, ndonëse këtë nuk e presim të na e bëjnë politikanët por le ta bëjmë ne, ashtu siç Shoqata “Trojet e Arbrit” ka disa vite që e ka bërë objektiv të sajin, afrimin mes nesh përmes takimeve, akademive, e konferencave.

Previous ArticleNext Article

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *